Presidenti amerikan Donald Trump do të njohë Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.
Kjo u konfirmua nga zyrtarë të administratës amerikane për mediat, megjithëse ata thonë se Ambasada Amerikane do të spostohet më vonë nga Tel Avivi në Jeruzalem.
Sipas tyre, njohja e Jeruzalemit si kryeqyteti i Izraelit është thjesht pranim i realitetit nga qeveria amerikane. Megjithatë, nga Shtëpia e Bardhë thonë se kufijtë specifikë të qytetit do të vendosen nga një marrëveshje finale për statusin e tij, ndërsa statusi i vendeve të shenjta në Jeruzalem nuk preket.
Pritet që Trump të lajmërojë njohjen e Jeruzalemit si kryeqytetin izraelit gjatë fjalimit të tij më vonë gjatë ditës, duke bërë që SHBA të jetë vendi i parë që njeh Jeruzalemin që prej formimit të Izraelit në vitin 1948. Liderët e botës arabe kanë paralajmëruar se njohja e Jeruzalemit dhe dërgimi i Ambasadës Amerikane atje është një provokim flagrant ndaj botës myslimane.
Edhe aleatët perëndimorë si Franca dhe BE e kanë nxitur SHBA që të ketë kujdes në këtë çështje, por duket se Trump është i vendosur të përmbushë këtë premtim të fushatës. Vlen për t’u theksuar se njohja e Jeruzalemit dhe dërgimi atje i Ambasadës Amerikane u vendos nga Kongresi që në vitin 1995, por presidentët amerikanë gjithnjë e shtynin këtë, derisa erdhi Trump.