Presidenti i ardhshëm i BE-së thotë se Islami nuk ka vend në shtetin e tij

Njëra nga kauzat që po përdorin skeptikët e Bashkimit Evropian në Britani për dalje nga ky union, është frika nga fluksi i emigrantëve dhe refugjatëve.

Në anën tjetër, si për ironi, presidenti i ardhshëm i BE-së – nga e cila britanikët duan të shkëputen, Robert Fico, ka thënë se as ai nuk i dëshiron myslimanët në “vendin e tij”.

Kryesimi i Këshillit të Ministrave ndërrohet çdo gjashtë muaj me rotacion nga secili anëtarë. Javën tjetër, kryesimin e BE-së do ta marrë Sllovakia, pasi do t’i dorëzohet detyra nga Holanda. Dhe kryeministri i saj Robert Fico, është njëri nga liderët më të zhurmshëm në kundërshtim të emigrantëve.

“Islami nuk ka vend në shtetin tim”, u kishte thënë Fico gazetarëve në muajin maj. Ai paralajmëroi se emigrantët mund ta “ndryshojnë karakterin e shtetit” dhe deklaroi se ai nuk do ta lejojë që kjo gjë ta prekë vendin e tij, shkruan Washington Post.

Fico, njëjtë sikurse edhe liderët e tjerë të Evropës Lindore apo Qendrore, ka argumentuar faktin se Sllovakia nuk ka pasur asnjëherë përvojë me myslimanë, për dallim nga vendet e perëndimit të Evropës apo ShBA-të, raporton Insajderi.

“Derisa Sllovakia është një shtet i krishterë, ne nuk mund të tolerojmë mbërritjen e rreth 300-400 mijë emigrantëve myslimanë, të cilët do donin të ndërtonin xhamia nëpër gjithë vendin dhe do tentonin të ndryshonin kulturën dhe vlerat e shtetit tonë”, deklaroi Fico.

Fico, po ashtu pati thënë se multi-kulturalizmi është trillim, dhe se kjo gjë mund të shkaktojë shumë probleme në një vend.

Artikulli paraprakBeH: Arrestohen gjashtë persona për krime lufte
Artikulli vijuesGuvernatori i Bankës Qëndrore tregon humbjet milionëshe të tregut të sigurimeve