Prifti amerikan dënohet për fshehjen e pedofilisë

0
157

Prokurorët argumentuan se kisha u përpoq të fshihte skandalin me çdo kusht, duke vendosur reputacionin e dioqezës përpara detyrës për të mbrojtur fëmijët e rrezikuar.

Monsinjor William J. Lynn, ish-ndihmësi i një kardinali dhe prift i rëndësishëm i katolikëve amerikanë u shpall fajtor nga një gjykatë për rrezikimin e fëmijëve, duke u bërë zyrtari i parë i kishës Katolike që dënohet në Shtetet e Bashkuara në lidhje me skandalin e pedofilisë që shpërtheu vitin e kaluar. Lynn u dënua me argumentin se kishte fshehur abuzimet seksuale të disa priftërinjve që qenë nën varësinë e tij.
Juria me 12 anëtarë e shpalli fajtor Lynn, i cili punonte në dioqezën e Filadelfias për akuzën e komplotit. Gjyqi ndaj tij konsiderohet një pikë kthese për avokatët dhe për grupimet e mbrojtjes së viktimave.
Vendimi për shpalljen fajtor konsiderohet edhe si një fitore e rëndësishme për prokurorinë e këtij distrikti. Prokuroria pati hetuar intensivisht dioqezën që nga viti 2002. Monsinjori Lynn, 61 vjeç, qëndroi pasiv ndërsa juria njoftoi vendimin ndërkohë që të afërmit e tij në sallë shpërthyen në lot. Gjykatësja M. Teresa Sarmina hoqi lirinë me kusht për priftin, i cili hoqi rrobën e tij dhe u dërgua në burg nga policia. Shpallja e tij fajtor mund të sjellë një dënim me deri 3 vite e gjysëm burg. Dënimi do të jepet më 13 gusht.
Ky gjyq konsiderohet si një mesazh i qartë për zyrtarët e kishës por edhe të institucioneve të tjera që janë përgjegjës për fëmijët në të gjithë vendin. “Besoj se priftërinjtë dhe zyrtarët e tjerë tani e kuptojnë se nuk do të mund të shpëtojnë më përballë këtyre lloje krimesh,” tha Nicholas P. Cafardi, profesor i ligjit në Universitetin Duquesne.
Gjyqi që zgjati tre muaj hodhi dritë mbi sjelljen e udhëheqësit më të lartë të kishës në Filadelfia, veçanërisht Kardinalit Anthony J. Bevilacqua, për të cilin pati punuar edhe Lynn si këshilltar. Kardinali pati drejtuar kishën nga viti 1988 deri më 2003 dhe vdiq në janar, por emri i tij u përmend shpesh gjatë dëshmive. Edhe avokati i mbrojtjes pranoi para jurisë se në këtë gjyq u shfaq ana e errët e kishës.
Zbulimi i abuzimeve seksuale dhe i përpjekjeve për të mbuluar këto vepra penale ka torturuar kishën katolike në disa vende perëndimore, ndërsa kisha është detyruar të paguajë kosto të larta.
Prokurorët argumentuan se kisha u përpoq të fshihte skandalin me çdo kusht, duke vendosur reputacionin e dioqezës përpara detyrës për të mbrojtur fëmijët e rrezikuar.
Dioqeza lëshoi një deklaratë ku tha se “leksionet e këtyre viteve të fundit e kanë bindur kishën të jetë më vigjilente në mbrojtje të sigurisë së njerëzve,” ndërkohë që viktimave të abuzimeve të klerikëve iu kërkua ndjesë.
Lynn pati punuar si sekretar për klerin në dioqezën që ka 1.5 milionë anëtarë. Ai qe përgjegjës për emërimin e priftërinjve dhe për hetimin e akuzave. Prokurorët nxorrën prova bindëse që tregonin se Lynn nuk mori masat e duhura për të mbajtur dhunuesit larg fëmijëve. /express/kohaislame