Prishtina e Suhareka përfitueset kryesore të donacioneve nderkombetare

Komuna e Prishtinës dhe ajo e Suharekës sivjet kanë përfituar më së shumti grante nga donatorët në nivel vendi. Këto donacione janë përqendruar në shërbimet publike dhe në bujqësi. Përderisa në raportet financiare të Ministrisë së Financave nuk jepen detaje për orientimet e granteve të donatorëve nëpër komuna, burime të “Kohës Ditore” bëjnë të ditur se dy komunat e përmendura kanë përfituar më së shumti nga donatorët.
Drejtues të dy Komunave kanë konfirmuar se janë përfituese të donacioneve disamilionëshe për projekte të ndryshme. Por, vlera e donacioneve që janë dhënë për Komunën e Suharekës rezulton të jetë shumë më e madhe krahasuar me kryeqytetin.
Drejtori i Shërbimeve Publike, në Komunën e Prishtinës, Agim Gashi, tha se sivjet kanë përfituar donacione në vlerë prej afro 2 milionë eurosh për projekte të ndryshme, siç është përfitimi i dhjetë kamionëve për transportin e mbeturinave nga një organizatë japoneze, së bashku me një makineri për ndërrimin e gomave, që kapin vlerën prej mbi një milion eurosh, pastaj është financimi i fushatës së vetëdijesimit për ndarjen e mbeturinave, që po e financon GIZ-i gjerman, i cili po ashtu ka kontribuar edhe me blerjen e shportave të mbeturinave, për të cilin projekt ka dhënë donacione edhe USAID-i amerikan.

Gashi tutje ka pohuar se GIZ-i gjerman, po ashtu ka financuar edhe rregullimin e zyrave të kompanisë “Pastrimi”, si dhe projektin e instalimit të sistemit elektronik të financave dhe kontabilitetit në këtë kompani, i cili ka kushtuar afro 200 mijë euro.

Si projekt tjetër, i përfituar nga donatorët, ai ka përmendur edhe rregullimin e parkut të “Arbërisë” nga Komisioni Evropian, të cilin e ka implementuar IOM-i, si dhe projekti tjetër, mirëmbajtja e varrezave të qytetit dhe rregullimi i oborreve të dy shkollave: “Xhevdet Doda” dhe “Naim Frashëri”- donacion nga Banka Botërore.

Kurse, kryetari i Komunës së Therandës, Blerim Kuqi, i cili ka pohuar se në këto dy vjetët e fundit Komuna që ai drejton ka përfituar 15 milionë euro, të cilat janë implementuar edhe sivjet. “Kemi fituar donacione që kalojnë vlerën prej mbi 15 milionë eurosh, për projekte të filluara para dy vjetësh dhe që janë në proces e sipër të realizimit “, tha Kuqi.

Ai ka saktësuar se donatorët kanë financuar më së shumti projektet në bujqësi dhe donatori më i madh në këtë komunë, sipas tij, është ADA (Agjencia për Zhvillim e Austrisë), e cila ka dhënë së paku 3 milionë euro në projektet e kësaj fushe. “Pastaj kemi projekte të financuara nga Komisioni Evropian, USAID-i, Banka Gjermane për Zhvillim, etj”, ka theksuar Kuqi.

Një pjesë e këtyre mjeteve të donatorëve janë investuar në ujësjellës, dhe shumica prej tyre në bujqësi, ka bërë të ditur ai. “Në politika zhvillimore janë investuar shumë pak, përveç bujqësisë, e cila megjithatë është një sektor tepër me interes për komunën, dhe këto investime i duhen këtij sektori”, është shprehur Kuqi. /Koha Ditore

Artikulli paraprakForcat e Esedit rikthejnë kontrollin në aeroport
Artikulli vijuesPentagoni: plan ambicioz për krijimin e një rrjeti zbulimi