Kthimi i qytetarëve të Kosovës në shtetet ku ata jetojnë, pas kalimit të festave të fundvitit në Kosovë ka rikthyer kolonat dhe pritjet e gjata në pikë kalimin kufitar në Merdare.
Ministria e Diasporës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se një prej arsyeve për shkaktimin e këtyre radhëve të gjata është edhe përqendrimi kryesisht në dy pikëkalime kufitare Merdar dhe Dheu i Bardhë.
“Duke qenë se tani është periudha kur i keni përfunduar pushimet dhe largoheni masivisht nga vendlindja, kalimi kufitar përbën një sfidë të veçantë për ju. Në mënyrë që t’u shmangeni pritjeve në radhë të gjata, Ministria e Diasporës ju rekomandon fuqishëm që të zgjidhni edhe pika të tjera për kalimin kufitar”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Diasporës.
Ata kanë bërë të ditur se “institucionet e Republikës së Kosovës janë duke punuar vazhdimisht që të ndikojnë te pala serbe për aplikimin e procedurave lehtësuese në kufi”.
Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në pikë-kalimin kufitar në Merdare pritjet dhe kolonat janë të gjata.
“Sipas informacioneve të pranuara nga pikat kufitare qarkullimi zhvillohet normal, por si rezultat i fluksit të madh në pikëkalimin kufitar Merdare pritjet dhe kolonat janë më të gjata. Policia apelon tek të gjithë qytetarët që kanë për të udhëtuar jashtë vendit për t’ju shmangur pritjeve dhe kolonave të përdorin alternativat tjera, respektivisht të përdorin pikat tjera kufitare ku gjendja është më e mirë, ku poashtu mund te arrijnë në destinacionet e tyre”, ka thënë Hoxha.