Ekonomia e Kosovës është duke bartur pasojat e një procesi të privatizimit të dështuar të ndërmarrjeve shoqërore. Ekspertë të çështjeve të ekonomisë vlerësojnë se privatizimi dëmtoi ekonominë e Kojsovës dhe nuk ndihmoi aspak në rimëkëmbjen ekonomike.
Kosova pati filluar privatizimin e përgjithshëm të ndërmarrjeve shoqërore në vitin 2003, në kohën kur vendet e rajonit e kishin përfunduar këtë proces. Procesi i privatizimit, në përgjithësi, në Kosovë është shoqëruar me kundërshtime dhe dilema të shumta.
Që nga fillimi i procesit të privatizimit në Kosovë, janë shitur 1,290 asete të ndryshme të ndërmarrjeve shoqërore, me një vlerë prej mbi 660 milionë eurosh.
Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismajl Kastrati, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thekson se këto ndërmarrje u shitën me çmime shumë të lira dhe iu shitën njerëzve, të cilët më pas ia ndryshuan destinimin ndërmarrjeve, duke i bërë dëm të madh ekonomisë së vendit.
“Në vend që me mjetet e shitura nga fondi i privatizimit të rigjenerohet ekonomia, të rritej mundësia e punësimit, ndodhi e kundërta. Përmes procesit të privatizimit mbi 70 mijë punëtorë dolën nga puna, shumë nga ndërmarrjet e privatizuara u shndërruan në depo, në halla sportive, vend për ndërtimin e banesave, pajisjet u shiten si skrap, faktikisht patëm një proces të dyfishtë të dështuar të privatizimit”, thekson Kastrati.
Kosovën po ashtu e ka përfshirë edhe niveli i ulët i rritjes ekonomike. Përderisa në vitin 2010 rritja ekonomike kishte qenë 5.39 për qind, në katër vitet e fundit kjo rritje ekonomike nuk ishte më e lartë se 3 për qind.
Rritja ekonomike prej jo më shumë se 3 për qind, nuk arriti të zbusë nivelin e papunësisë, e cila është në shkallë mbi 35 për qind dhe varfërinë ekstreme e cila është 10 për qind.
Berim Ramosaj, koordinator i Forumit të Politikave Zhvillimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se këta indikatorë të rritjes ekonomike tregojnë se Kosovës i duhen ndryshime të mëdha. Kosova, shton ai, duhet të ndryshojë në kuptimin e politikave të reja të cilat afirmojnë zhvillim.
“Gabimet më të mëdha, që pa dyshim që aty mund të kërkojmë zgjidhje, janë zhvillimet strukturore. Nuk e kemi bërë orientimin si duhet në aspektin e afirmimit të atyre degëve të cilat krijojnë edhe vende pune edhe rritje ekonomike”, thekson Ramosaj.
Ekonomia e Kosovës, po ashtu, nuk arriti të bëjë tërheqje të mjaftueshme të investimeve të huaja direkte. Eksperti i ekonomisë, Ismajl Kastrati, thotë se autoritetet e Kosovës nuk patën vizion të qartë dhe nuk hartuan strategji se si të tërheqin këto investime.
Investimet e huaja direkte në Kosovë, që kapin shumën prej 3,5 miliardë eurosh, për periudhën 2004 – 2015 ,po vlerësohet se nuk janë të mjaftueshme për të ndihmuar në zhvillimin më të hovshëm ekonomik të Kosovës.
Burokracia, furnizimi jo stabil me energji elektrike, jostabiliteti ekonomik dhe politik, qasja e kufizuar në financa, niveli i lartë korrupsionit, mungesa e politikave më të favorshme fiskale, si dhe evazioni fiskal, bënë që investitorët ndërkombëtarë të mos e shohin Kosovën vend atraktiv për investime.
Të gjitha këto barriera, sipas ekspertit të ekonomisë Kastrati, duhet të eliminohen, dhe duhet bërë reforma të thella ekonomike.
“Na duhet një konsensus që të miratohet një strategji zhvillimore e cila i parash orientimet zhvillimore për më shumë se pesë vite dhe ato strategji t’i përcjellim. Por, mbi të gjitha ne duhet të jemi më tërheqës për investitorët e huaj dhe për investimet nga diaspora jonë”, thotë Kastrati
Kosova në raportet e mekanizmave ndërkombëtarë është kritikuar se nuk ka bërë sa duhet për të adresuar problemin e zhvillimit të ulët ekonomik dhe përmirësimin e politikave zhvillimore.
Duke parë këta indikatorë negativ të ekonomisë së vendit, për herë të parë, në fillim të këtij viti Kosova aprovoi Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016 – 2021, e cila definon zhvillimin afatgjatë dhe gjithëpërfshirës të saj.
Kjo strategji është e ndarë në katër shtylla: kapitali njerëzor, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë, zhvillimi i industrive konkurruese dhe zhvillimi i infrastrukturës. (REL)