Hetimi i nisur në Prizren shtrihet në shumë shtete të BE-së

Një hetim i nisur në nëntor të vitit të kaluar në Prizren ka arritur të shtrihet në shumë shtete të Bashkimit Evropian, shkruan sot Koha Ditore.
 
47 persona janë arrestuar vetëm të martën si të dyshuar për kontrabandë të kosovarëve. Gjatë operacionit të mbështetur nga Europoli dhe Interpoli, në Francë janë arrestuar 12 persona, në Gjermani 1, në Çeki 16 persona, në Sllovaki 2 të dyshuar, në Austri 8, në Hungari 4 persona dhe në Kosovë 4 persona.
 
Të gjithë dyshohen se i takojnë një grupi ndërkombëtar kriminal që ka kryer veprat penale të kontrabandës me emigrantë, pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.
 
Si rezultat i këtij hetimi ka pasur arrestime të tjera në shtete të BE-së, përcjell Koha.net. Numri i përgjithshëm i të arrestuarve është 78.
 
Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën në hetimin e përbashkët të Francës, Gjermanisë, Çekisë, Sllovakisë, Austrisë, Hungarisë, Zvicrës, është realizuar një operacion i përbashkët. Policia ka thënë se hetimi ka nisur në vitin 2014 së bashku me Prokurorinë Speciale pas hetimeve disamujore, lidhur me veprimtarinë kriminale “të një grupi mirë të organizuar”, që vazhdimisht merrej me kontrabandë të emigrantëve nga Kosova për në shtetet e Perëndimit.
 
Dy prej kosovarëve të arrestuar të mërkurën kanë dalë para gjyqtarit në Gjykatën Themelore të Prizrenit. Ahmet Rrustemit dhe Valdet Thaçit u janë caktuar nga 30 ditë paraburgim./Koha
Artikulli paraprak16 vjet nga masakra e Krushës së Vogël, vetëm gjysmës së viktimave u dihet varri
Artikulli vijuesArrestohet kirurgu për marrje ryshfeti dhe vepra të tjera penale