Profetët janë dërguar për ti thirrur njerëzit në besim.

“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as kërkoj që ata të më ushqejnë.” (Dharijat; 56,57,58.)

Allahu ka dërguar profetët me qëllim që të ftojnë në njësimin e Tij dhe në dedikimin e tërë fesë vetëm për Të.

Allahu thotë:

“Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Meje, pra më adhuroni!” (Enbija; 25).

Unë dëshmoj se s’ka të adhuruar me meritë përveç Allahut i cili është i Vetëm dhe i pashoq edhe pse idhujtarët e urrejnë këtë dëshmi. Gjithashtu dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij për mbarë njerëzimin.

Sqarimi i besimit të saktë dhe thirrja në të është një prej çështjeve më të rëndësishme dhe një prej detyrimeve më të mëdha. Besimi i saktë është themeli mbi të cilin ndërtohet dhe mvaret saktësia dhe pranimi i punëve të kryera prej njerëzve. Për këtë arsye të gjithë profetët e Allahut dhe pasuesit e tyre së pari janë angazhuar me ndërtimin e themelit dhe mbrojtjen e tij nga çdo rrënim apo cenim i mundshëm.
Rëndësinë e madhe të besimit të pastër së pari më së shumti e vëmë re në suret e Kur`anit dhe ajetet e tyre. Po kështu një angazhim të madh ndaj këtij themeli e vëmë re në thirrjen e të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem). I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) qëndroi në Mekë trembëdhjetë vjet duke thirrur në njësimin e Allahut e duke luftuar çdo gjë që binte ndesh me besimin e saktë e të pastër. Kur Allahu i mundësoi Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) çlirimin e Mekës, shembja dhe zhdukja e idhujve, urdhërimi për t`ia dedikuar çdo lloj adhurimi vetëm Allahut ishte çështja e parë të cilën ai vuri në zbatim.

Këtë përgjegjësi e kanë marrë përsipër dijetarët e islamit brez pas brezi. Ata i kanë kushtuar angazhimin më të madh besimit të pastër. Mundi dhe përpjekjet e tyre në mësimdhënie dhe në shkrimin e librave ka bërë që trashëgimia e literaturës islame në lidhje me këtë temë të jetë mjaft e pasur, saqë në literaturën islame librat e besimit janë gjithmonë në krye të përmbajtjes së saj.

Allahu i ka urdhëruar të gjitha krijesat e tij, njerëz dhe xhinë ti nënshtrohen besimit islam. Allahu për këtë besim ka dërguar të gjithë profetët dhe të gjithë librat e Tij.

Allahu thotë:

“Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: Adhuroni vetëm All-Allahun, e largojuni djajve (adhurimit të tyre)!” (Nahl; 36).

Tërë profetët janë dërguar për ti thirrur njerëzit në këtë besim. Tërë librat e Allahut janë zbritur për të shpjeguar këtë besim dhe për të sqaruar çdo gjë që e rrëzon, që bie ndesh apo që ia ul vlerat këtij besimi. Çdo krijesë e cila i plotëson kushtet e përgjegjësisë është e urdhëruar të pasojë këtë besim.

Një gjë me kaq rëndësi padyshim që meriton angazhimin, kërkimin dhe shtimin e njohurive rreth saj përpara çdo gjëje tjetër, sidomos nëse kihet parasysh se nga ky besim mvaret edhe lumturia e njerëzimit në këtë botë e në botën tjetër. Ai i cili nuk e ndjek këtë besim pa dyshim që ndjek ideja boshe, të kota e të gabuara.

Allahu thotë:

َلِكَ بِأَنَّ اللَّهَ هُوَ الْحَقُّ وَأَنَّ مَا يَدْعُونَ مِن دُونِهِ هُوَ الْبَاطِلُ

“Kjo ngase All-llahu është Ai i vërteti, dhe atë që lusin ata pos Tij është e kotë.” (Haxh; 62).

Besimi islam është një besim i saktë dhe i pastër, sepse përputhet me besimin e të gjithë profetëve të dërguar nga Allahu, dhe përputhet me besimin që përbëjnë të gjithë librat e zbritur nga Allahu.

Kur besimi është i tillë atëherë njeriu shpëton prej ndëshkimit të Allahut dhe arrin lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër.

Nëse besimi i njeriut është në kundërshtim me besimin e kërkuar prej Allahut me anë të profetëve dhe librave të tij, atëherë ky besim i sjell pasuesve të tij ndëshkimin e Allahut dhe hidhërimin në këtë botë e në botën tjetër.

Imam Muslimi në sahihun e tij transmeton prej Xhabir se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ai i cili e takon Allahun duke mos i shoqëruar askënd Atij në adhurim hyn në xhenet, ndërsa ai i cili e takon Allahun duke i shoqëruar dikë në adhurim hyn në zjarr.”

Besimi i pastër bëhet shkak që Allahu ti falë gabimet robit të tij. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu i Lartësuar ka thënë: “O biri Ademit nëse ti vjen tek Unë me gabime sa madhësia e tokës duke mos më shoqëruar askënd në adhurim, atëherë unë kam për të ardhur tek ti me falje po aq sa madhësia e tokës.” Sikundër vëmë re në këtë hadith kushti i arritjes së kësaj faljeje të madhe është të qënurit e besimit i pastër dhe i pa përlyer me idhujtari.

Njeriut me besim të pastër i pranohen dhe i bëjnë dobi punët e mira ndërsa njeriut me besim të gabuar e të pasaktë i shkatërrohen punët e mira dhe nuk i bëjnë aspak dobi.

Allahu thotë:

“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (Nahl; 97).

Allahu thotë:
“Ty të është shpallur, e edhe atyre para teje: “Nëse i bën shok (All-Allahut), veprat tua janë të asgjësuara dhe ti do të jeshë prej të humburve.”

Besimi i përzier me idhujtari bëhet shkak që njeriut ti ndalohet hyrja në xhenet dhe falja e gabimeve dhe bëhet shkak që njeriu të ndëshkohet në zjarrin e xhehenemit përjetësisht.

Allahu thotë:
“S’ka dyshim se All-llahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do.” (Nisa; 48).

Allahu thotë:
“Ai që i përshkruan Zotit shok, All-llahu ia ka ndaluar (ia ka bërë haram) atij xhenetin dhe vendi i tij është zjarri. Për mizorët nuk ka ndihmës.” (Maide; 72).

Gjithashtu besimi i pastër lë gjurmë të mira dhe ndikim të madh në zemrat e njerëzve, sjelljet e tyre, gjendjen dhe sistemin jetik të një shoqërie etj.

Autor: Shejh Salih el-Feuzan
Përktheu: Othman Haskasaj
Shkëputur nga libri i shej Salih El Feuzan
” el-Irshad ila sahih el-I’tikad ue red ala ehli shirki ue ilhad”
“Udhëzimi për një besim të saktë dhe kritika mbi idhujtarët dhe ateistët”

Artikulli paraprakFrika nga idhujtaria
Artikulli vijues6 bazat e besimit islam