Programi IPA, kur grantet i merr pa meritë “filan-fisteku”

E përcjella promovimin e projekteve nga programi IPA për bashkëpunim ndërkufitar të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës, e si të mos e përcjellja kur e kam ndjekur nga fillimi procesin e aplikimit, evaluimit e perzgjedhjes së projekteve “më të mira”. Edhe pse ky promovim, nuk e di për çfarë arsye, por nuk u vërejtë edhe shumë nga mediat e shkruara dhe të tjera.

 

Kjo programë më tepër do duhej t’i bashkonte nevojat e qytetarëve të dy anve se sa nevojat e administratave të tyre komunale. Nisur nga ky fakt, shoqata qytetare ekologjike Eko Vita të cilën e udhëheq unë mori guximin që t’i hynte një pune shumë të vështirë për të bërë një projekt sa më të pranueshëm dhe të nevojshëm për qytetarët e dy anve dhe nga këtu zhvilluam fillimisht tre takime me krerët e komunave nga Kosova (Hani i Elezit, Kaçaniku dhe Rahoveci) se kështu ishin rregullat e vendosura nga thirrja për aplikim e shpallur nga zyra e IPA-s në Maqedoni. Një tentim për bashkëpunim patëm edhe me krerët e Komunës së Çairit dhe komunës së Haraçinë, por që për këtë të parin nga administrata e saj na u tha se ata veç më kishin vendosur që të aplikonin vetëm ndërsa këta të tjerët nuk ishin të gatshëm për një gjë të tillë. Dhe besoja se deri këtu nuk ka asgjë të keqe por se kjo është një arenë garimi për të mirë. Mirëpo duke pasur dëshirë të madhe për punë, të njëjtën mundësi ia ofruam komunës së Butelit që udhëhiqet nga z. Petre Llatinovski, edhe pse pak me rezervë për një bashkëpunim të mundshëm, ja që në befasi timen për të mirë zotëriu në fjalë pranoi, madje pa asnjëfarë kushtëzimi dhe me participim prej 5% nga vlera totale e projektit nga arka komunale e Butelit. Prap them se u befasuam për të mirë.

 

Nejse, pasi që veçmë vendosa për të shkruar për këtë fenomen që quhet IPA, e rendit është që të sqarohemi mirë. Diku në muajin nëntor të vitit 2013 u shpall thirrja për aplikime në programën IPA. Thirrja jipte mundësi të gjërë për gjitha kategoritë e organizimeve si ato shtetërore-lokale e deri te ndoshta edhe personat fizik. Kuptohet edhe organizatat joqeveritare nuk ishin lënë jashtë kësaj thirrjeje. Brenda kësaj kohe arritëm që të bënim një koncept (i 42-ti me numër rendor) i cili edhe do të pranohet nga komisioni i përcaktuar për përzgjedhjen e koncepteve. Kjo do të thoshte se ne kaluam në fazën e dytë që nënkuptonte edhe plotësimin e aplikacionit i cili është pak më pak se 100 faqe kompjuterike e pasuar edhe me po aq dokumentacion përcjellës të të gjitha palëve të kyçura. Afatet dhe rregullat që kërkoheshin nga ne që t’i respektonim ishin aq precize saqë nuk të linin hapësirë për të gabuar.  Mirëpo kjo kishte edhe anën e saj pozitive sepse të jep të kuptosh se kjo nuk është thirrje dosido por se udhëhiqet me parime dhe profesionalizëm dhe se nuk ka shumë vend për organizata ose subjekte tjera fantome.

 

Prilli dhe maji ishte afati i fundit i caktuar nga ana e zyrës së IPA-s për vlerësimin e aplikacionit të plotë ndërsa fundi i majit edhe njoftim për fituesit e granteve. Mirëpo kjo, për arsye të panjohura, nuk ndodhi. Por ishte e kuptueshme sepse shumë aplikacione, shume dokumentacion përcjellës dhe kjo kërkonte kohë për t’u kontrolluar dhe vlerësuar. Por kaloi pak më tepër kohë nga që mendonim se kanë nevojë. Sa vinte e vonohej përzgjedhja, mua më sillej një foto e përbashkët që në fund të muajit janar (koha e dorëzimeve të aplikacioneve) e kishin bërë kryetarët e disa komunave ndërkufitare maqedoni-kosovë, e që një portal duke bërë me siguri “lapsus linguae” pat shënuar “komunat që fituan grante nga IPA” (të jemë i sinqertë titulli mund të jetë edhe ndryshe). Por unë megjithate isha i sigurt se bëhej fjalë për një keqkuptim të gazetarit apo dicka e tillë.

 

Në ndërkohë pas një pauze të gjatë sërish u lajmëruan ata të zyrës së IPA duke na lëshuar nga një letër (në rastin tonë në email jozyrtar) ku kërkohej që gjithë aplikuesit të dërgojnë dokumentacion plotësues. Sipas rregullave të vendosura në thirrje, aplikacioni i paplotësuar me dokumentet e nevojshme eliminohet menjëherë, por këtu me siguri bëhej fjalë për pjesën më të madhe të aplikuesve që nuk i kishin në rregull këto dokumente. Në letër këkoheshin 4 dokumente të domosdoshme dhe 4 të tjera që nëse do ishe në ndonjë nga kategoritë e caktuara në udhëzues duhej të plotësohen nëse jo atëherë duhej të deklarohen si të panevojshme. Kështu edhe vepruam. Mandej prap një pauzë e gjatë ku kohë pas kohe mundoheshim të informohemi nëpërmjet telefonave të zyrës që e menaxhojnë. Kah fundi filloi pritja të bëhej edhe e sikletshme sepse kuptonim nga “muhabete të Çarshisë” se grantet i kanë caktuar, se kanë fituar filani e fisteku. Po prap thash se kjo është vetëm muhabet, e s’mund që të kuptonin para neve që pritnim çdo moment njoftim zyrtar. Dhe e gjithë kjo zgjati pesë muaj të plota derisa më 15 janar (pas plot 1 viti) na njoftuan me një letër të nënshkruar nga Mjellma Mehmeti-Petersen (këshilltare në Ministrinë e pushtetit lokal), se aplikacioni i shoqatës Eko Vita nuk pranohet jo për shkak konceptit, as për shkak të përmbajtjes, e besa jo edhe për plotësim dokumentacioni, porse për shkak të mungesës së një dokumenti që ishte sipas nevojës që cekëm më lartë. Sa vinte e më qartësohej fotografia e përmendur.

 

Nuk e morëm shumë ngat zemre, se ne jemi shoqatë që kemi aplikuar edhe më herët në vende të ndryshme dhe ka ndodh që të na refuzojnë, gjë që është normale në punën me projekte.

 

U mundova t’i lidhja arsyet e mundshme se vallë partneri që zgjodhëm nuk ishte i denjë, por ajo ishte një komunë si gjitha komunat fituese, por që vetëm udhëhiqej nga një kryetar maqedon por që shprehi dëshirë të flaktë të bashkëpunonte me një komunë kosovare. Menduam vallë mos ndoshta lartësia e grantit që kemi kërkuar mos qe e lartë, por nga publikimi pamë që ne kemi qenë 40% i granteve të caktuara (200.000 euro për dy anët). Menduam ndoshta përmbajtja e projektit mos qe e gabuar, por e dinim që ishim në kuadër të njërit nga prioritetet e paracaktuara në udhëzues e që ishte “zhvillim i qëndrueshëm mjedisor” (projekti ynë ishte fasadimi i dy shkollave fillore me qëllim efikasiteti energjetik si dhe ngritja e vetëdijes dhe aktivitete tjera përcjellëse në këtë temë). Ndalova së kërkuari arsye se e dija se nuk do ta gjeja asnjëherë.

Thjesht, u pajtova se edhe kjo është një nga ata përgjigjet negative që pranohen pas aplikimit në ndonjë thirrje për grante. Dhe kur mendova se fillova ta haroja dhe të koncentrohesha në thirrje të reja, ja prap para syve fotografia e para një viti. Por kjo ishte hera e dytë. Njerëzit e njëjtë në fotografinë e parë dhe të dytë. Tani me rastin e promovimit të projekteve të fituara nga IPA programa për bashkëpunim ndërkufitar mes Maqedonisë dhe Kosovës. Tani fotografia ishte e plotësuar edhe me disa ftyra të tjera politike. Merr përshtypjen se ke të bësh me një promovim të ndonjë projekti politik qeveritar apo partiak. Edhe përskaj faktit që e dija se Ministria e pushtetit lokal është partner me 15% të mjeteve në IPA fondet e EU, prap mendoja se komisioni “i pavarur” evropian vendos në bazë të koncepteve, aplikacioneve të plotë dhe dokumentacionit përcjellës. Zhgënjim total. Kjo është ajo dashuria e dyanshme. Mjetet e pushtetit lokal në arkën e pushtetit lokal (komuna).

 

Dhe nga këtu, nëse sektori civil jopartiak nuk mund të merr grante nga institucionet shtetërore, nëse ambasadat e huaja i kanë ngrirë mjetet e tyre për shkak të keqpërdorimeve dhe keqmenaxhimeve nga vet ne shoqatat, nëse fondet e “pavarura” evropiane (q
ë janë të komplikuara vetvetiu) zaptohen nga institucionet shtetërore, atëherë po i mbyllim zyrat tona dhe le ta bën pushtetit lokal edhe punën e sektorit civil.

 

Nga e gjithë kjo më ofenduese është që në letrën për refuzim, zyra e IPA-s na mundeson që të ankohemi pasiqë janë shpërndarë mjetet e grantit. Hahahaha

 

Po, do ankohemi deri te zyrja juaj por edhe deri te zyrja qendrore për jotransparencë dhe joprofesionalizëm si dhe për dyshim animi në përzgjedhje. Por ankesën do e bëjmë pas publikimit të këtij teksti.

 

Në fund fare, jam kurioz ta dijë se gazetari të cilin e përmenda më lartë nga i kuptoi rezultatet para se të bëheshin aplikacionet. Respekt për të.

 

Sedat Ramadani, kryetar i shoqatës Eko Vita

Artikulli paraprakSinkronizimi i ndërkëmbëzave
Artikulli vijuesNjë grumbull i madh i buallicave hakmerret kundër luanëve!