Promovohet libri “Ajka e kuptimit të dhjetë sureve të fundit të Kur’anit”

Është promovuar libri “Ajka e kuptimit të dhjetë sureve të fundit të Kur’anit”, nga autori Rashit Zylfiu. Libër ky që në vete ngërthen kuptimin e dhjetë sureve të fundit të Kur’anit për të cilën lexuesi është kurioz ti di. . Pjesën e panelistëve e përbënin, Kryetari i Bashkësis Islame në Gjilan, Dr.Sylejman Osmani, Dekani i Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, Dr.Fahrush Rexhepi dhe Hoxhë Ekrem Avdiu.
 
Me rastin e marrjes së fjalës, panelistët dhanë kritika pozitive dhe mendimet e tyre lidhur me librin e botuar nga autori Zylfiu. I pranishëm, gjithashtu ishte edhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri i cili theksoi se autori ka një vlerë të veçant pasi është munduar të zbulojë misterin e kuptimeve të sureve të librit famëlartë Kur’anit.
 
“Ky libër do jetë shembull për gjithë lexuesit dhe ata që dëshirojnë të mësojnë fjalën e krijuesit. Misteri i gjithë atyre lexuesve mbetet kuptimi i librit famëlartë të Kur’anit, dhe njerëz që vijnë dhe na ndihmojnë në kuptimin e drejtë të sureve të Kur’anit, sigurisht që kanë një vlerë të veçant. Në këtë Muaj të Madhërishëm të Ramazanit uroj që të pranohet mundi dhe sakrifica juaj ashtu sikurse uroj të kaloni me sukses edhe sfidat që ju presin në jetë. Faleminderit edhe njëherë Hoxhë Rashit Zylfiu për këtë libër, herën tjetër do të vij të komentoj librin dhe të gjejmë arsyen për të vazhduar me botimin e librit të dytë”, theksoi Haziri.
 
Vetë autori i librit, Rashit Zylfiu shpjegoi dashurinë dhe nostalgjinë se pse vendosi të botojë këtë libër për dhjetë suret e fundit të Kur’anit.
 
“Ky është një libër modest që lindi nga dashuria dhe nostalgjitë që ngjallin këto sure të para që mësuam në fëmijëri dhe deshëm që lexuesit dhe besimtarëve t’u ofrojmë së paku ajkën e asaj çfarë përcjellin këto sure kur’anore”.
 
Më tej Zylfiu shtoi se botimin e këtij libri e ka bërë për të mos harruar kulturën e leximit.
 
“Falenderojmë All-llahun që na mundësoi të jemi anëtarë të fesë e cila filloi me fjalën “Lexo” . Me këtë fjalë muslimanët u ngritën dhe i ofruan vetes dhe botës shumë në të gjitha sferat, thënë më shkurt sollën civilizimin e botës. E kur filluan ta braktisin dhe të preokupohen me gjëra të tjera, mbetën aty ku janë sot. Ju të gjithë të pranishëm sot keni penguar një të keqe që po i bëhet librit në kohën e sotme, duke e braktisur atë. Ju iu përgjigjët ftesës sonë për t’i dhënë hijeshi këtij libri, që sapo e ka parë dritën e botimit, duke u bërë pjesë e këtij promovimi të librit “Ajka e kuptimit të dhjetë sureve të fundit të Kuranit” , tha Zylfiu.
 
Me rastin e promovimit të librit u shtrua edhe iftar për të gjithë të pranishmit. /D.Sylejmani/
Artikulli paraprakDer Spiegel: Mafia kontrollon Maqedoninë
Artikulli vijuesFjalë nga Shejh Shuajb Arnauti