Citimi i mëposhtëm shërben si një pikë fillimi e mirë: “Propaganda është një fjalë shumë e abuzuar dhe shpesh e keqkuptuar. Njeriu i thjeshtë e përdor atë për të nënkuptuar diçka inferiore apo deri dhe të urryer. Fjala propagandë ka gjithmonë një shije të mbrapse të hidhur”. Është veçanërisht e përshtatshme që këto fjalë duhen të jenë thënë nga Joseph Goebbels në mars të vitit 1933, menjëherë pasi është emëruar në krye të Ministrisë së Iluminizmit Popullor dhe Propagandës në kabinetin e parë të Hitlerit. Është e debatueshme se qe në këtë rol që Goebbels do të bënte më shumë se maksimumi për të siguruar dhe përgatitur këtë “shije të mbrapme” të hidhur. Goebbels vazhdon: “Por nëqoftëse i shqyrtoni shkaqet më të fshehta të propagandës, atëhere do të arrini në konkluzione të ndryshme: atëhere nuk do të ketë më shumë dyshim se propagandisti duhet të jetë njeriu me njohjen më të madhe të shpirtrave. Unë nuk mund ta bind një person të vetëm për nevojën e diçkaje për aq kohë sa nuk e njoh shpirtin e personit, për aq kohë sa nuk kuptoj sesi t’ia luaj fijet e shpirtit të tij që duhet bërë të tingëllojë” (Welch 2002, 26). Është jashtëzakonisht ironike që Goebbels do t’i cakonte vetes misionin e çlirimit të propagandës nga keqkonceptime të tilla.
Propaganda nuk u “shpik” nga Goebbels, megjithëse është në pjesën më të madhe si rezultat i propagandës naziste që termi ka marrë asociime të tilla kaq pexhorative. Fjala “propagandë” vazhdon që të sugjerojë diçka djallëzore; sinonimet për propagandën shpesh përfshijnë “gënjeshtrën”, “mashtrimin” dhe “shpëlarjen e trurit”. Gjatë viteve të fundit krahasime jo të favorshme janë bërë me këshilltarët dhe mënyrën me të cilën ata (nga sa thuhet) kontrollojnë imazhin e politikanëve dhe e përthyejnë axhendën politike në copëza të thjeshta. Kështu, një besim i pranuar gjerësisht sugjeron se propaganda është kanceri në trupin politik që manipulon mendimet e veprimet tona dhe duhet të shmanget me çdo kusht. Është vërtet kështu? Nëqoftëse po, duhet ta shmangim fjalën? Është teza ime se supozime të tilla duhet të sfidohen dhe se propaganda në vetvete nuk është domosdoshmërisht e keqe. Për shembull, grekët e lashtë e shikonin bindjen si një formë retorike dhe pranonin se logjika dhe arsyeja qenë të domosdoshme për t’i komunikuar idetë në mënyrë të suksesshme.
Gjatë gjithë historisë ata që qeverisin janë përpjekur gjithmonë që ta influencojnë mënyrën me të cilën të qeverisurit e shikonin botën. Nëqoftëse propaganda duhet të jetë një koncept i dobishëm, ajo më së pari duhet të zhvishet nga konotacionet pexhorative të saj. Propaganda nuk është thjesht ajo çka grupi i bën grupit tjetër ndërkohë që vetë grupi i njërit përqëndrohet në përhapjen e informacionit apo gjenerimin e publicitetit. Diktaturat moderne nuk e kanë ndjerë kurrë nevojën për t’ju shmangur fjalës siç e kanë demokracitë. Në përputhje me këtë, nazistët kishin një Ministri Iluminizmi Popullor dhe Propagande dhe sovjetikët një Komitet Propagande të Partisë Komuniste, ndërsa britanikët kishin një Ministri Informacioni dhe amerikanët Zyrën e Informacionit të Luftës.
Megjithëse shkalla në të cilën propaganda praktikohet është rritur në mënyrë dramatike në shekullin e Njëzet, origjina e fjalës mund të gjehet prapa tek Reformimi, kur uniteti shpirtëror dhe ekleziast i Europës shkatërrua dhe Kisha Katolike romake e humbi kontrollin e saj në vendet veriore. Gjatë luftës pasuese midis forcave të Protestantizmit dhe atyre të Kundërreformës, Kisha Katolike romake e gjeti veten të përballej me problemin e ruajtjes dhe të forcimit të kontrollit të saj në vendet jokatolike. Papa Gregori i XIII-të krijoi një komision kardinalësh të ngarkuar me përhapjen e katolicizmit dhe rregullimin e çështjeve ekleziaste në territoret pagane. Një brez më vonë, në vitin 1622, kur Lufta 30 Vjeçare (1618 – 1648) kishte filluar, Papa Gregori i XV-të e bëri këtë komision të përhershëm si Sacra Congregatio de Propaganda Fide (Kongregacioni për Përhapjen e Besimit) i ngarkuar me menaxhimin e misioneve të huaja dhe i financuar nga një “ring tax” e vlerësuar për çdo kardinal të sapoemëruar. Brenda pak vitesh, në vitin 1627, mori formën e College of Propaganda (Collegium Urbanum), që u ngrit për të edukuar priftërinjtë e rinj që do të ndërmerrnin misione të tilla. Instituti i parë u propagandës që për pasojë thjesht një trupë e ngarkuar me përmirësimin e përhapjes së një grupi dogmash fetare. Shpejt fjala “propagandë” do t’i aplikohej çdo organizate të krijuar për qëllimin e përhapjes së një doktrine; më pas ajo ju aplikua vetë doktrinës dhe më së fundmi metodave të përdorura në kryerjen e kësaj përhapjeje.
Nga shekulli i Shtatëmbëdhjetë në shekullin e Njëzet ne dëgjojmë relativisht pak lidhur me propagandën. Termi kishte vetëm një përdorim të kufizuar dhe, pavarësisht se pexhirativ, në pjesën më të madhe ishte jofailjar. Gjatë Revolucionit Puritan të Anglisë, propaganda nëpërmjet pamfleteve dhe buletineve u bë një shtojcë e rregullt e aksionit ushtarak, me ushtrinë e Oliver Cromwell që preokupohej pothuajse aq shumë me përhapjen e doktrinave politike e fetare sa ishte me fitoren në terren. Përdorimi i saj u rrit në mënyrë të ndjeshme gjatë gjithë shekullit të Tetëmbëdhjetë dhe Nëntëmbëdhjetë, sidomos gjatë kohërave të luftës ideologjike, si në Revolucionin Amerikan dhe atë Amerikan (për shembull, zhirondinët përhapnin postera të mëdhenj midis trupave të armikut duke ju ofruar atyre shpërblime për dezertim). Nga fundi i luftërave napoleoniane deri në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore në vitin 1914, Europa perëndimore qëndroi në paqe dhe kishte pak raste ku ishte nevoja për propagandë në shkallë kombëtare.
Historikisht, propaganda u lidh me periudhat e stresit dhe të trazirave gjatë të cilave kundërshtitë e dhunshme mbi doktrinën shoqëronte përdorimin e forcës. Midis viteve 1914 dhe 1918 i gjithë përdorimi i propagandës si armë e organizuar e luftës moderne u transformuar në një diçka më djallëzore. Një prej mësimeve më domethënëse për t’u nxjerrë nga përvoja e Luftës së Parë Botërore qe se opinioni publik nuk mund të injorohej më si faktor përcaktues në formulimin e politikave qeveritare. Ndryshe nga luftërat e mëparshme, kjo luftë qe “lufta totale” e parë në të cilën të gjitha vendet më shumë sesa vetëm ushtritë profesioniste u ngërthyen në një luftim vdekjeprurës. Lufta shërbeu për të rritur nivelin e interesit popullor dhe pjesëmarrjen në punët shtetërore. Hendeku midis ushtarit në front dhe civilit në shtëpi u ngushtua ndjeshëm në atë që të gjitha resurset e shtetit – ushtarake, ekonomike dhe psikologjike – u desh të mobilizoheshin. Shqiperuar nga bota.al
Në një gjendje lufte totale, që u kërkonte civilëve të merrnin pjesë në përpjekjen e luftës, morali filloi të bëhej i njohur si një faktor ushtarak domethënës dhe propaganda me ngadalë filloi të dalë si instrumenti kryesor i kontrollit të opinionit publik dhe një armë thelvbësore në arsenalin kombëtar, duke kulmuar në krijimin në Britani të Ministrisë së Informacionit në vitin 1917 nën Lordin Beaverbrook dhe një Enemy Propaganda Department të veçantë në Crewe House nën Lordin Northcliffe. Nëpërmjet censurës së rreptë dhe fushatave propagandistike të kontrolluara me dorë të hekurt, shtypi, filmat, traktet dhe posterat u përdorën të gjitha në mënyrë të koordinuar (ka mundësi për herë të parë) më qëllim që të përhapnin tema zyrtarisht më miratuara. Pavarësisht tensioneve të mëdha, konsensusi i kohës së luftës i Britanisë përgjithësisht u qëndroi nevojave të luftës. Një shpjegim për këtë qe përdorimi i aftë nga ana e propagandës dhe e censurës qeveritare. Megjithatë, pas lufte, një mosbesim i thellë i zhvillua nga ana e qytetarëve të thjeshtë, të cilët kuptuan se kushtet në front qenë errësuar qëllimisht nga sloganet patriotike dhe “propaganda mizore” që konsistonte në stereotipe të ndyra të armikut dhe aktivitetet e tyre tinëzare. Gjithashtu, popullata ndjehej e mashtruar se sakrificat e saj nuk kishin rezultuar në shtëpitë e premtuara dhe një tokë “të pranueshme për heronjtë”. Propaganda u asociiua me gënjeshtrat dhe falsifikimet. Edhe politikanët qenë të ndjeshëm ndaj këtyre kritikave; si rezultat, Ministria e Informacionit menjëherë u shkri. Qeveria britanike e konsideronte propagandën si politikisht të rrezikshme dhe bile moralisht të pranueshme në kohë paqeje. Ajo, siç shkruante një zyrtar në vitet Njëzet, qe “një fjalë e mirë e shkuar për dreq – e korruptuar nga i ndjeri Lord Northcliffe”. Impakti i propagandës në sjelljen politike qe aq i thellë sa që gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur qeveria përpiqej ta “edukonte” popullsinë lidhur me ekzistencën e kampeve naziste të përqëndrimit, ajo nuk u besua menjëherë për shkak se informacioni u dyshua se ishte më shumë “propagandë”.
Përvoja e përpjekjes propagandistike të Britanisë i pajisi gjermanët e mundur me një burim pjellor kundërpropagande të drejtuar në traktatet e paqes të pasluftës dhe poshtërimin e Republikës së Vejmarit. Duke shkruar Mein Kampf, Hitleri nënvizonte: “Në vitin 1915, armiku nisi propagandën e tij midis ushtarëve tanë. Nga viti 1916, ajo u bë gjithnjë e më shumë intensive dhe në fillimet e vitit 1918 ishte transformuar në një re furtune. Njeri mund t’i shohë tani efektet e kësaj joshjeje graduale. Ushtarët tanë mësuan të mendojnë sipas mënyrës që armiku donte ata të mendonin”. Duke theksuar se ushtria gjermane nuk ishte mundur në fushën e betejës por më shumë që detyruar të nënshtrohej si pasojë e shpërbërjes së moralit nga brenda, që ishte përshpejtuar nga propaganda e aftë britanike, Hitleri (ashtu si politikanët e tjerë të djathtë dhe grupet ushtarake) po siguronte legjimitet historik për teorinë e “goditjes pas shpine”. Pavarëissht rolit aktual të luajtur nga propaganda britanike (apo sovjetike) në gjunjëzimin e Gjermanisë, përgjithësisht u pranua se eksperimenti i kohës së luftës i Britanisë qe skema ideale sipas së cilës qeveritë e tjera më pas do të modelonin aparatet e tyre propagandistike. Sipas Hitlerit (sërish duke shkruar tek Mein Kampf), “Gjermania kish dështuar për ta njohur propagandën si një armë të dorës së parë, ndërsa britanikët e kishin përdorur atë me aftësi dhe maturi”. I bindur për rolin thelbësor të propagandës për cdo lëvizje të vendosur në marrjen e pushtetit, Hitleri e pa propagandën si një mjet shitjeje politik në një treg masiv. Kështu që nuk qe aspak habi kur Ministria e Propagandës qe e para që u krijua kur nazistët morën pushtetin në vitin 1933.
Funksioni i propagandës, argumentonte Hitleri, ishte që ta përqëndronte vëmendjen e masave në fakte, procese dhe nevoja të caktuara “përmbajtja e të cilave është kështu për herë të parë e vendosur brenda fushës së tyre të shikimit”. Për këtë arsye, propaganda për masat duhet të ishte e thjeshtë dhe të përqëndrohej në sa më pak pika që të ishte e mundur, të cilat duhej të përsëriteshin shumë herë, me një theksim në elementë të tillë emocionale si dashuria dhe urrejtja. Nëpërmjet vijueshmërisë dhe uniformitetit të mbështetur të zbatimit të saj, Hitleri konkludonte se propaganda duhej të çonte në rezultate “pothuajse përtej kuptimit tonë”.
Megjithatë, ndryshe nga bolshevikët, nazistët nuk bënin dallim midis agjitacionit dhe propagandës. Në Rusinë sovjetike agjitacioni merrej me influencimin e masave nëpërmjet ideve dhe sloganeve, ndërsa propaganda shërbente për të përhapur ideologjinë komuniste të marksizëm – leninizmit. Dallimi i përket përkufizimit të famshëm të Georgi Plekhanov të vitit 1892: “Një propagandist i paraqet shumë ide një apo disa personave; një agjitator i paraqet vetëm një ose pak ide, por ia paraqet ato një masë të tërë njerëzish”. Nga ana tjetër, nazistët e shikonin propagandën jo thjesht si një instrument për arritjen e elitës partiake, por si një mjet për bindjen dhe indoktrinimin e të gjithë gjermanëve.
Nëqoftëse dy luftërat botërore demonstrun fuqinë e propagandës, periudha e pas vitit 1945 dëshmoi përdorimin e zgjeruar të mësimeve të nxjerra nga përvoja e kohës së luftës brenda kontekstit të përgjithshëm të “revolucionit të komunikimeve”. Shkencëtarët politikë dhe sociologët teorizonin lidhur me natyrën e njeriut dhe të shoqërisë moderne-veçanërisht në dritën e ngjitjes së shteteve policore totalitare. Individët shikoheshin si uniformë dhe të përpunueshëm, ndërsa një vizion apokaliptik i shoqërisë së masave e theksonte zvjerdhjen e punës, kolapsin e fesë dhe të lidhjeve familjare dhe një rënie të përgjithshme të vlerave morale. Kultura u katandis në emëruesin më të vogël të përbashkët për konsum masiv, me masat të para si politikisht apatike, megjithëse të prirura ndaj fanatizmit ideologjik, të prekshme ndaj manipulimit nëpërmjet medieve dhe sofistikimit në rritje të propagandistëve. Kështu, propaganda u shikua si një “plumb magjik” apo “gjilpërë hipodermike” nëpërmjet të cilës opinionet dhe sjelljet mund të kontrolloheshin lehtësisht.
Kjo pikëpamje e zymtë u sfidua nga një numër shkencëtarësh socialë amerikanë, të tillë si Harold Lasswell (1902 – 1978) dhe Walter Lippmann (1899 – 1974), të cilët argumentuan se brenda kontekstit të një shoqërie masah të atomizuar propaganda ishte një mekanizëm për përgatitur opinion publik, miratim dhe, për pasojë, vepronte si mjet kontrolli social (që Lasswell i referohej si “vareja dhe kudhra e re e solidaritetit social” [1927, fq. 221]). Në vitin 1965 sociologu francez Jacques Ellul (1912 – 1996) e çoi këtë një shkallë më tej dhe sugjeroi se shoqëria teknologjike i ka kushtëzuar njerëzit në një “nevojë për propagandë”. Në pikëpamjen e tij, propaganda është maksimalisht efektive kur ajo përforcon opinione dhe besime të mbështetura më parë. Teoria e “gjilpërës hipodermike” është zëvendësuar gjerësisht nga një model kompleks “shumëshkallësh” që e pranon influencën e masmediave, por gjithashtu pranon se individët shikojnë për drejtues opinionesh brenda klasës shoqërore dhe gjinore të tyre.
Shumica e autorëve sot është dakord që propaganda e konfirmon më shumë sesa i konverton – ose të paktën është më efektive kur mesazhi është në linjë me opinionet dhe besimet ekzistuese të shumicës së konsumatorëve. Duke shkruar në vitin 1936, Aldous Huxley vërente se “propagandisti është një njeri i cili kanalizon një rrymë tashmë ekzistuese; në një tokë që nuk ka ujë, ai gërmon kot” (Harper’s 174 [1936]:39). Ky ndryshim në theksim nënvizon një numër keqkuptimesh të zakonshme të lidhura me studimin e propagandës. Ekziston një besim i mbështetur gjerësisht se propaganda implikon asgjë më shumë se artin e bindjes, që shërben vetëm për të ndryshuar qëndrime dhe ide. Kjo është padyshim një prej synimeve të saj, por është zakonisht një synim i kufizuar dhe dytësor. Shumë shpesh propaganda është e interesuar me mprehjen dhe fokusimin e tendencave dhe besimeve ekzistuese. Një keqkuptim i dytë themelor është besimi se propaganda konsiston vetëm në gënjeshtra dhe mashtrime.
Në fakt, ajo operon në disa nivele të së vërtetës – nga gënjeshtra e pastër dhe gjysëm të vërtetat dhe të vërtetat e nxjerra jashtë kontekstit. (Zyrtarët e Ministrisë së Informacionit britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore i referoheshin kësaj si “të gjithë të vërtetën, asgjë përveç së vërtetës dhe sa më afër të jetë e mundur të vërtetën!”). Shumë autorë lidhur me subjektin e shikojnë propagandën si thelbësisht përmbushëse të instikteve iracionale të njeriut – kjo është e vërtetë deri në një masë të caktuar – por për shkak se qëndrimet dhe sjelljet tona janë gjithashtu produkt vendimesh racionale, propaganda duhet t’u bëjë apel edhe elementëve racionalë. Preokupimi me të parën injoron faktin bazik se propaganda është etikisht neutrale, domethënë se mund të jetë e mirë apo e keqe.
Në të gjitha sistemet politike politika duhet të shpjegohet, publiku duhet të bindet për efikasitetin e vendimeve qeveritare (ose të paktën duhet të qëndrojë i qetë) dhe diskutimi racional nuk është gjithmonë mjeti më dobishëm për arritjen e kësaj, veçanërisht në epokën e shoqërisë së masave. Për shembull, më së vonshmi, publikut britanik i është kujtuar në më shumë se një rast shpirti i “Dunkirk” dhe i “Falkland”; it has been asked to consider “ëho governs Britain”; i është garantuar se përqindja e inflacionit mund të “reduktohet sa të hapësh e të mbyllësh sytë” dhe i është garantuar se taksat nuk do të ngrihen “nën këtë qeveri” dhe se “paundi në xhepin tuaj” nuk ka – dhe nuk do të – zhvlerësohet. Prandaj, në çdo trup politik propaganda – siç supozohet shpesh – nuk është një rritje malinje, por më shumë një pjesë thelbësore e të gjithë procesit politik. Qysh nga fillimi i luftës totale, qeveritë kanë kërkuar që të përballen me masmedian, t’i kontrollojnë e t’i përdorin ato – sidomos në kohëra krize – dhe të sigurojnë se veprojnë në interesin kombëtar sa më shpejt të jetë e mundur. Duke pasur parasysh teknologjinë në evolucion, përkufizimet e propagandës gjithashtu kanë pësuar ndryshime. Propaganda ka nënkuptuar gjëra të ndryshme në kohëra të ndryshme, megjithëse shkalla me të cilën është praktikuar dukshëm është rritur në shekullin e Njëze. Cilat janë tiparet karakteristike të propagandës dhe si mund të përcaktohet ajo?
Propaganda – këtu po e përjashtoj me qëllim propagandën pastërtisht fetare apo tregtare në formën e reklamimit – është një aktivitet i qartë politik që mund të dallohet nga aktivitete të lidhura me të si informacioni dhe arsimi. Dallimi midis tyre qëndron në qëllimin e provokuesit. E thënë thjesht, propaganda është përhapja e ideve që synon t’i bindë njerëzit që të mendojnë dhe veprojnë në një mënyrë të caktuar dhe për një qëllim bindës të veçantë. Megjithëse propaganda mund të jetë e pavetëdijshme, jam i preokupuar këtu më përpjekjet e vetëdijshme, të qëllimshme, për të përdorur teknika bindjeje që të arrihen objektiva specifikë. Propaganda mund të përcaktohet si përpjekja e vullnetshme për ta influencuar opinionin publik nëpërmjet transmetimit të ideve dhe vlerave për një qëllim bindës specifik që është konceptuar në mënyrë të vetëdijshme për t’i shërbyer interesit personal të propaganduesit, qoftë dretpërsëdrejti ose jodrejtpërsëdrejti. Ndërsa informacioni i paraqitet audiencës së tij me një deklarim të paekuivok faktesh, propaganda i paketon këto fakte me qëllim që të nxjerrë një reagim të caktuar. Ndërsa arsimi – të paktën në atë çka besoj se është nocioni liberal i arsimit – na mëson sesi të mendojmë me qëllim që ta mundësojë ta ndajmë mendjen tonë, propaganda dikton atë çka njeriu duhet të mendojë. Informacioni dhe arsimi janë të preokupuar me zgjerimin e perspektivave dhe hapjen e mendjeve tona, ndërsa propaganda orvatet që t’i ngushtojë ato dhe (epreferueshme) t’i mbyllë mendjet tona. Me pak fjalë, dallimi qëndron në qëllimin apo objektivin përfundimtar të secilit.
Rëndësia e propagandës në politikën e shekullit të Njëzet nuk duhet nënvlerësuar. Arsyeja më e natyrshme për rëndësinë në rritje të dhënë propagandës dhe pushteti i supozuar i saj mbi opinionin është baza e zgjeruar e politikës, e cila e ka transformuar në mënyrë dramatike natyren e pjesëmarrjes politik. Sigurisht, mjetet e komunikimit janë rritur në mënyrë korresponduese dhe rritja e arsimit dhe avancimeve teknologjike në komunikimin masiv kanë rezultuar të gjithë faktorë kontribuues. Ne po dëshmojmë tani shpërthimin e superautostradave të informacionit dhe të rrjeteve të të dhënave dixhitale. Preokupime legjitime janë shprehur lidhur me natyrën e pronësisë e të aksesit të medieve dhe masës në të cilën informacioni rrjedh lirisht (“fabrikimi i konsensusit” i Noam Chomsky). Propagandistët janë shtrënguar që t’u përgjigjen këtyre ndryshimeve nëpërmjet rivlerësimit të audiencës së tyre përdorimit të çfarëdo metode që ata e konsiderojnë si më efektiven.
Në luftën e Kosovës të dyja palët në konflikt e kuptuan rëndësinë e manipulimit të lajmeve në kohën reale në avantazhin e tyre. Për më tepër, për herë të parë në një luftë, interneti u përdor për të përhapur propagandë. Duke i shpallur luftë Serbisë (ose, në mënyrë më të saktë, Sllobodan Millosheviçit, i cili ishte përshkruar si “një Hitler i ri”), NATO u përpoq që t’i justifikojë qëllimët e saj luftarake nëpërmjet mëshimit të aspektit humanitar të fushatës ajrore bombarduese dhe saktësisë të armëve të saj. Jamie Shea, zëdhënësi i NATO-s, këmbëngulte si “kauza jonë është e drejtë”. Edhe Millosheviçi rezultoi se qe i aftë në përdorimin e medieve për qëllime propagandistike. Duke e lejuar BBC-në dhe CNN-in që të vazhdonin të transmetonin nga Beogradi, ai shpresonte që ta përçante opinionin perëndimor me historitë e mbrëmjeve të civilëve të “pafajshëm” të vrarë nga goditjet ajrore të NATO-s. Përderisa propaganda më efektive është ajo që mund të verifikohet, NATO u vendos në pozita mbrojtëse në luftën propagandistike sepse i duhej të konfirmonte saktësinë e pretendimeve serbe. Megjithëse strategjia ushtarake e NATO-s në fund të fundit rezultoi e drejtë, luftërat ballkanike të viteve Nëntëdhjetë e përforcuan centralitetin e propagandës për luftën. Përdorimi i propagandës nga të dyja palët në konfliktin e Kosovës – veçanërisht interneti – nënvizon forcat e ndryshimit midis epokës para Luftës së Ftojtë dhe mjedisit aktualisht të globalizuar të informacionit. Centraliteti i propagandës u godit në vend edhe njëherë akoma nga sulmet terroriste kundër Shteteve të Bashkuara me 11 shtator 2001, të cilat u planifikuan per impaktin e tyre mediatik si akte propagande me deklaratë. Më pas propaganda u bë një tipar i madh i “luftës kundër terrorizmit” që pasoi.
Gjithashtu, propaganda mund të jetë e kufizuar në efektet e saj: kërkime të kohëve të fundit na kanë detyruar që t’i rishqyrtojmë supozimet e thjeshta të mëparshme nëpërmjet të shikuarit në “rezistancën” apo “imunitetin” e propagandës. Me pak fjalë, propaganda mund ta mbajë audiencën e saj në një valë etheje, ashtu si ajo që pasoi shpërthimin e luftës në vitin 1914, vendosjen e një task force në Atlantikun Jugor në vitin 1982 apo fillimin e Operacionit Desert Storm në vitin 1991. Megjithatë, në perspektivë, propaganda bëhet më pak efektive për shkak se audienca ka kohën dhe mundësinë që investigojë premisat bazë të saj. Siç nënvizonte Goebbels, “Propaganda bëhet joefektive në momentin që ne jemi të vetëdijshëm për të” (Welch 2002). Këtu vijmë në thelbin e çështjes. Komunikimi midis qënive njerëzore mbështetet në një përzierje të arsyes dhe emocionit për efektin e saj: nëqoftëse propaganda është shumë racionale, ajo mund të bëhet e mërzitshme; nëqoftëse është shumë emocionale apo e fortë, ajo mund të bëhet transparente dhe qesharake. Ashtu si format e tjera të ndërveprimit njerëzor, propaganda duhet të gjejë balancën e duhur të saj.
Kur flasim për propagandën, ne mendojmë për mediat si konvencionalisht të konceptuara – radio, televizion, film, shtyp e kështu me radhë – por propaganda si një agjent përforcimi nuk është e kufizuar tek këto. Pak do ta mohonin faktin se prania e fytyrës së Hitlerit në pullat dhe monedhat e Rajhut të Tretë qe një shembull propagande, megjithëse shumë mund të befasohen në sugjerimin se i njëjti gjykim mund të zbatohet për fytyrën e monarkut britanik. Pullat postare dhe monedhat nuk janë gjë tjetër veçse dy shembujj të zbatimit më të zgjeruar të propagandës. Censura është përshkruar si antiteza e propagandës dhe ndihmësja e domosdoshme e saj. Çfarë mënyre më të mirë për ta përforcuar të tashmen dhe përcaktuar të ardhmen sesa përkujtimi i lavdive të së kaluarës? Historia ka provuar në të vërtetë se është një burim i paçmueshëm propagande. Nuk është aspak konçidencë që Londra ka Waterloo Station e saj dhe Parisi Gare d’Austerlitz e tij. Ne duhet ta mendojmë propagandën në terma shumë më të zgjeruara: kurdoherë që opinioni mendohet si i rëndësishëm, dikush do të përpiqet që ta influencojë. Prandaj propaganda mund ta manifestojë veten në formën e një ndërtese, një flamuri, një monedhe apo edhe të një paralajmërimi shëndetësor të shkruajtur nga qeveria në një paketë cigaresh. Goebbels theksonte se “në propagandë, ashtu si në dashuri, gjithçka është e lejueshme që është e suksesshme” (Welch 2002).
Propaganda mund të jetë e fshehur apo e mbuluar, e zezë apo e bardhë, e vërtetë apo e gënjeshtërt, serioze apo qesharake, racionale apo emocionale. Propagandistët vlerësojnë kontekstin, audiencën dhe përdorimin e çfarëdo metode e mjeti që ata e konsiderojnë më të përshtatshëm dhe më efektiv. Nëqoftëse ne mund t’i zgjerojmë termat tona të referimit dhe ta zhveshim propagandën nga asociimet pexhorative të saj, atëhere domethënia e saj si një pjesë e natyrshme e procesit politik në shekullin e Njëzet do të zbulohej.
Një shkrimtar bashkëkohor ka sugjeruar bile se ne kemi nevojë për më shumë propagandë, jo më pak, për të influencuar opinionet dhe nxitur pjesëmarrjen aktive në procesin demokratik. Siç na kujtonte E. H. Carr në vitin 1939, “Pushteti mbi opinionin është për pasojë jo më pak thelbësor për qëllime politike sesa pushteti ushtarak dhe ekonomik dhe ka qenë gjithmonë ngushtësisht i shoqëruar me to. Arti i i bindjes ka qenë gjithmonë një pjesë e nevojshme e pajisjeve të një lideri politik” (Carr 1946, 132).
(Marrë nga parathënia e librit “Propaganda and Mass Persuasion: A Historical Encyclopedia”.)
================================