Më 14 prill, në ora 12:00, aktivistë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, protestojnë tek Sheshi “Zahir Pajaziti” për të kërkuar që vendimi mbi dënimin që i është shqiptuar vrasësit të viktimës së dhunës në familje, të ndjerës Zejnepe Berisha, të ankimohet nga prokuroria dhe të kërkohet dënim maksimal për kryerjen e veprës penale.
Gjatë tërë kësaj tragjedie, ishte lënduar edhe vajza e tyre, andaj institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin veprimet e duhura në pajtim me ligjin, thonë përfaqësuesit e shoqërisë civile që bëjnë thirrje për protestë.
“Me 12 prill, me urdhër të Gjykatës Themelore të Prizrenit vrasësi i viktimës është dënuar me vetëm 12 vjet burgim. Kodi Penal i Republikës së Kosovës, në nenin 179 mbi Vrasjen e Rëndë thotë se “Me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet personi i cili: … 1.3. privon nga jeta anëtarin e familjes”. Duke marrë parasysh rrethanat se si ka ndodhur kjo vrasje, peshën e veprës dhe dhunën sistematike që viktima ka përjetuar, konsiderojmë se dënimi nuk është proporcional me veprën e shkaktuar”, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile thonë se fakte të shumta tregojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është korrekt në dhënien e dënimeve të vrasësve burra dhe gra.
“Gratë shpeshherë marrin dënime më të rënda edhe në raste kur ato kanë kryer veprën në vetëmbrojtje. E tërë kjo na lë të kuptojmë që mirëqenia e grave dhe vajzave në Kosovë vazhdon të jetë e rrezikuar, e kjo sidomos nga institucionet të cilat do të duhet të ofrojnë siguri, drejtësi dhe barazi në të gjitha sferat e jetës. Poashtu, ju rikujtojmë se në të kaluarën institucionet përgjegjëse janë deklaruar se duhet të ketë zero tolerancë ndaj dhunës në familje, por dënimet e tilla minimale nuk po përçojnë të njëjtin mesazh. Ato po japin mesazhin e gabuar se krimet e tilla makabre nuk do të marrin dënimin e merituar në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.