As kërkesa e SHBA-së dhe Gjermanisë s’e bind deputetin e LDK-së për ta votuar Demarkacionin

Në vizitat e njëpasnjëshme të ndërkombëtarëve në Kosovë, nuk është lënë anash për asnjë moment çështja e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Sot, të domosdoshme ratifikimin e kësaj marrëveshje e kanë theksuar ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel dhe senatori amerikan, John McCain.

Por, i paluhatshëm në qëndrimin e tij është deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, i cili ka thënë se nuk sheh asnjë arsye që ai ta ndryshojë qëndrimin e tij. Në një prononcim për “Indeksonline” ai ka thënë se nuk ka fakte që kjo marrëveshje është në rregull.

Sipas Bulliqit, qeveria e ka ndalur liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës me këtë marrëveshje, kurse ka shtuar se kur demarkacioni të vijë në Kuvend, atëherë bëhet çështje e deputetëve.

Nuk është kjo punë që varet vetëm prej meje, i kam vetëm dy gishta. Në fund të fundit, vota ime është vetëm një. Sigurisht do ta ndërroja qëndrimin po të kisha arsye edhe të kisha fakte që gjithçka është në rregull, por nuk është në rregull dhe qëndroj prapa kësaj. Qeveria e ka ndalë këtë punë qe dy vite, ju e dini shumë mirë. Kur të vjen në Kuvend atëherë është kompetencë e jona”, ka thënë ai.

I pyetur nëse mendon që demarkacioni në formën aktuale do të kalojë ose jo, nëse sillet në Kuvend brenda këtij muaji ashtu siç ka deklaruar kryeministri Isa Mustafa, ai ka thënë se tanimë u takon deputetëve që të reflektojnë.

“Nuk mund ta profetizoj këtë çështje se a do të kalojë apo jo, por kjo tash do të jetë në dorën e deputetëve dhe ata duhet të reflektojnë tani. Nëse janë bind që është krejt në rregull e votojnë, nëse jo, sigurisht do t`i japin arsyet e tyre”, është shprehur ai.

Ndryshe, ministri Gabriel dhe senatori McCain në vizitën e sotshme në Kosovë kanë deklaruar se duhet të ratifikohet marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi në mënyrë që Kosova të ecë përpara në proceset integruese./Indeksonline/R.Rexhepaj/

Artikulli paraprakProtestë kundër vendimit të Gjykatës për vrasësin e Zejnepe Berishës
Artikulli vijuesA u tradhëtua Nishani nga PD-ja dhe pse Meta mund të jetë presidenti i ri