Nga Asma T. Uddin | New York Times
Pesëmbëdhjetë qytete në Francë, duke iu referuar rendit publik dheshqetësimeve mbi sigurinë, e kanë ndaluar rrobën e banjës që mbulon të gjithë trupin, të emëruar si “burkini”, e cila vishet nga disa gra muslimane. Sipas urdhëresës, të lëshuar në Kanë, “rrobat e banjës që tregojnë hapur një përkatësi fetare, ndërkohë që Franca dhe vendet e adhurimit janë shënjestrat e akteve terroriste, ka gjasa të përbëjnë rrezik për rendin publik.”
Si është e mundur që një palë pantallona, një bluzë me mëngë të gjata dhe një mbulesë koke, të bëra nga material për rroba banje, të kërcënojnë sigurinë publike?
Sipas kryeministrit francez, Manuel Valls, kjo veshje është pjesë e “skllavërimit të femrave.” Gjatë një interviste për një gazetë, kryetari i bashkisë së Kanës, David Lisnard, tha: “Burkini është uniformë e ekstremizmit islamik, jo e fesë muslimane.”
Këto shpjegime mund të duken qesharake, por z. Valls dhe z. Lisnard e përmblodhën në mënyrë të përkryer arsyetimin e dy ordinancave të diskutueshme mbi rendin publik, të cilat gjykatat europiane, deri te Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, i përdorin kur kanë të bëjnë me femrat muslimane me veshje fetare. Sipas gjykatës më të lartë europiane për të drejtat e njeriut, femrat muslimane me shami dhe burkë janë viktima, që kanë nevojë për një shpëtimtar qeveritar, dhe njëkohësisht agresore, të cilat përhapin ekstremizmin thjeshtë duke u shfaqur si muslimane në publik.
Legjislacioni reflekton një perspektivë të rrënjosur thellë në konceptin francez mbi muslimanët dhe veshjen fetare muslimane. Deri aty sa këta politikanë francezë e kanë llogaritur rrezikun e tyre ligjor kur kanë ndaluar burkinin. Ata duhet ta dinin se Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila vazhdimisht ka përkrahur gjykata e shkallës së ulët në këto çështje, do të ishte në anën e tyre nëse do të sillnin në gjykim shqetësimet për rendin publik.
I njëjti arsyetim është përdorur për t’i mohuar një mësueseje të drejtën për të mbajtur shaminë në klasë si dhe për të penguar një studente në universitet që të merrte pjesë në një provim duke qenë me shami.
Neni 9 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut është baza ku parashtrohet një koncept i gjerë mbi “të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë” në 47 shtete anëtare të Këshillit të Europës; kjo përfshin të drejtën e një personi, “në publik ose privatisht, që të manifestojë fenë ose besimin e tij, në adhurime, mësime, praktika dhe në kryerjen e obligimeve.” Megjithatë, një klauzolë e mëtejshme lejon që të bëhen disa përjashtime – kufizime në manifestimin e besimit si “masë e domosdoshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit dhe moralit, apo për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.”
Për fat të keq, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka treguar herë pas here se një shtete sfidues mund t’i plotësojë gjerësisht këto përjashtime në forcimin e stereotipave të pabaza (këtu të vjen në mendje nocioni i burkinit si një lloj “uniforme xhihadiste).” Arsyeja pse vendet anëtare dalin pa lagur nga kjo është mbrojtja e vazhdueshme që gjykata u bën zyrtarëve dhe gjyqtarëve shtetëror – duke e zhvendosur balancën në favor të qeverive dhe kundër paditësve.
Kjo mbrojtje është institucionalizuar për shkak të strukturës së gjykatës, meqë çdo shtet ka një gjykatës si pjesë e trupit gjykues. Gjykata përfshin gjithmonë një gjykatës të rëndësishëm shtetëror kur dëgjon një rast, qoftë si gjykatës i dhomës së shtatë, apo si pjesë e dhomës së lartë.” (Rastet e fundit të veshjeve fetare muslimane janë çuar në dhomën e lartë).
Shtete përfitojnë gjithashtu edhe nga doktrina e “marzhit të vlerësimit” të gjykatës, e cila i jep liri veprimi të madhe vendeve anëtare në çështjet e identitetit kulturor, veçanërisht në rastet e lirisë fetare. Në rastin e ankesave fetare të muslimaneve, të dëgjuara nga gjykata, përgjithësimet dhe frikërat e paarsyeshme shpeshherë kanë zënë vendin e arsyetimeve ligjore rigoroze dhe provave të forta.
Legjislacioni ka qenë i qëndrueshëm përgjatë viteve. Në vitin 2001, në çështjen Dahlab kundër Zvicrës, gjykata vendosi se për nxënësit e vegjël, të parit e mësueses së tyre me shami mund të jetë shtrënguese pasi “mbajtja e shamisë mund të ketë ndonjë efekt konvertues.” Meqë mbajtja e shamisë, vendosi gjykata, “duket të jetë diçka e imponuar ndaj femrave nga një perceptim i bazuar në Kuran,” kjo e bën këtë veshje “të vështirë për t’u përputhur me parimin e barazisë gjinore.” Gjykata vendosi se një femër me mbulesë nuk mund të përcjellë “mesazhin e tolerancës, respektit për të tjerët dhe, mbi të gjitha, barazinë dhe mos diskriminimin që të gjithë mësuesit duhet t’ua përçojnë nxënësve në një shoqëri demokratike.”
Në çështjen e vitit 2005, Shahin kundër Turqisë, gjykata dëgjoi një ankesë mbi çështjen e lirisë fetare nga një grua, të cilës iu ndalua nga qeveria turke që të merrte pjesë në një provim e veshur me shami. Gjykata e nxori arsyetimin e saj nga rasti i Dahlab-it, duke shpjeguar se ndalesa ndihmon në promovimin e barazisë gjinore. Gjithashtu, e ndihmonte Turqinë në “luftimin e ekstremizmit.” Përsëri këtu, femra me veshje fetare ishte njëherësh viktima dhe kërcënimi.
Në vitin 2014, gjykata mori vendimin për S.A.S. kundër Francës, një çështje që sfidonte ligjin francez të vitit 2010 që ndalonte mbulesën e fytyrës, përshirë nikabin dhe burkan. Pavarësisht aplikimit shumë më të gjerë të kësaj ndalese, dhoma e lartë e gjykatës e mbështeti vendimin në terrene më të rrëshqitshme se siguria publike. Vendosi se ndalimi i burkës ndihmonte në ruajtjen e “kushteve për të ‘jetuar së bashku.’” Me fjalë të tjera, një grua me burkë në publik shkelte “të drejtat dhe liritë e të tjerëve”, të cilët mund të ndiheshin të ofenduar nga ajo.
E njëjta logjikë e shtrembëruar po përdoret në urdhëresat franceze kundër burkinit. Një shikuesi amerikan, një ndalesë e tillë mund t’i duket një kufizim skandaloz i lirisë fetare, apo lirisë në përgjithësi, por më e habitshmja këtu është se legjislacioni europian në mbështetje të kësaj flet me gjuhën e të drejtave të njeriut. Duke shprehur paragjykime dhe frikë në gjuhën e përjashtimeve të Nenit 9, gjykata në fakt përdor ligjet për të drejta e njeriut për të kufizuar të drejtat e njeriut.