Deri më datë 4 prill kanë afat partitë të regjistrohen në zgjdhjet e pjesshme lokale; më 10 prill është afati i zgjedhjeve parlamentare….ç’pritet të ndodhë dhe a do jetë prilli muaji kur kriza politika do marrë formën e saj të vërtetë, në mos ekstreme?
Muaji prill ose e zgjidh ose e thellon krizën politike. Ja datat e rëndësishme ku do të vihet në provë opozita dhe mazhoranca: nëse do të futen vetëm në zgjedhje apo do të ulen të dialogojnë.
Të parat janë zgjedhjet në Kavajë për kryebashkiakun e ri që do të zëvendësojë Elvis Roshin e PS-së. Këto zgjedhje mbahen më 9 maj 2017, pra pak më shumë se 1 muaj para zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit. Opozita ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje, por nga e thënë në të bërë është në mes një javë kohë për të vendosur. Data 4 prill është vendimtare. Sipas Kodit Zgjedhor, deri në këtë datë partitë politike duhet të jenë regjistruar në KQZ për zgjedhjet e pjesshme në Kavajë. Në të vërtetë akoma asnjë parti nuk është regjistruar, as PS-ja e cila ka deklaruar se do të shkojë e vetme në këto zgjedhje dhe as LSI-ja, aleatja e saj.
PS-ja nuk ka vendosur akoma as emrin me të cilin do të zëvendësojë Roshin. U përfol për emrin e një gruaja, një kandidaturë që u sulmua nga opozita akoma pa u bërë zyrtare. Bëhet fjalë për Silvana Dajën, bashkëshortja e Gentian Dajës, kryetar i degës së Partisë Socialiste të Kavajës. Por opozita pretendon se bashkëshorti është një person me rekorde kriminale dhe kjo e nxjerr nul ligjin e dekriminalizimit nga i cili u penalizua më parë Roshi.
Nëse data 4 prill nuk e kapërcen dot krizën dhe partitë shkelin ligjin duke mos u regjistruar në zgjedhje ose duke u regjistruar vetëm PS-ja, vetëm një javë më pas më 10 prill mbetet prova e dytë dhe më e rëndësishme.
10 prilli është afati i fundit për regjistrimin në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. PD me aleatët e saj ka marrë vendim që të mos regjistrohen në zgjedhje deri në plotësimin e kushteve të tyre për “qeveri teknike” që do të garantonte zgjedhjet e lira. PS është shprehur e vendosur të shkojë në zgjedhje dhe pa opozitën, por aleatja kryesore e saj, LSI, ka deklaruar se nuk mund të bëhen zgjedhjet pa opozitën. Si do të zgjidhet kjo krizë mbetet për të pritur 10 prillin ose më tej zgjidhja mund të vijë në shkelje të plotë të ligjit zgjedhor.
Data 10 prill ka një rëndësi të dyfishtë pasi është data që shënon nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri. Pa opozitën në Kuvend kjo zgjedhje vihet shumë në dyshim, ndërsa kërkohet një kourum prej 2/3 e deputetëve për të nisur votimi i parë. PS-LSI janë në një fazë reflektimi dhe negociatash për vazhdimin apo jo të koalicionit qeverisës pas divergjencave të shumta mes tyre. Por nëse këto dy parti bien dakord mund të zgjedhin presidentin në raundin e fundit me 71 votave pa nevojën e opozitës.
I gjithë muaji prill dhe maji janë vendimtarë për Kavajën, presidentin e ri dhe zgjedhjet parlamentare. Nëse partitë politike nuk do të respektojnë afatet ligjore të regjistrimit, dorëzimit të listave të kandidatëve, listave për anëtarë të KZAZ-ve, etj. ky proces do të pësojë kolaps duke krijuar një precedent dhe duke e kthyer procesin në paligjshmëri.
Siç duken gjasat, kriza do të marrë tiparet e saj të vërteta në prill, deri më tani ka qenë lojë fjalësh dhe presion paraprak kush duron më gjatë. E sigurt është që njëra palë do të lëshojë rrugë, ose opozita do të zbatojë afatet ligjore paralelisht me protestën e luftën politike, ose mazhoranca do të zbprapset dhe do të ulet të negociojë mbi kushtet e opozitës…skenari më i keq do të hidhte në erë procesin dhe do të gjendeshin zgjidhje të momentit, siç mund të ishte shtyrja e zgjedhjeve. /