Pse na duket i rëndë namazi i natës?!

Na erdh Ramazani, a e kemi kuptuar se çka domethënë ky muaj?
Na ka ardhur Ramazani me tërë stolitë dhe bukuritë e veta, prej tyre është edhe namazi i teravisë dhe namazi i natës, i cili falet bashkë me xhemat në xhamia, në të cilat përmendet Emri i Allahut dhe takohen zemrat e besimtarëve në një rresht.
Një pikturë e mrekullueshme limanore, në të cilën bëhen bashkë vijat e bukurisë së adhurimeve me shkronjat e çiltërsisë vëllazërore, pamje të këndshme dhe të papara, të cilat është vështirë të përshkruhen.
Allahun e lusim që të na ndihmojë të arrijmë kulmin e kënaqësisë në këtë muaj dhe gradat më të larta të ëmbëlsisë. Amin!
Mirëpo ajo që ndodh realisht në mesin tonë është se namazi i teravisë, sidomos aty ku falet ngadalë, na duket i rëndë?!
A thua vallë, pse?!
Pse na duket i rëndë namazi i natës?!
I akuzuari i parë për këtë gjë është lukthi!
Nëse ia parashtrojmë këtë pyetje njerëzve, shumica e tyre do të përgjigjen se ushqimi i tepërt është shkak për këtë gjë, edhe pse Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, më herët na ka thënë:
“ما ملأ ابن آدم وعاء شر من بطنه “
“Njeriu nuk ka mbushur enë më të keqe se barku i tij”.
Mirëpo është për tu habitur me njeriun, ai vet e mbush barkun e pastaj ankohet prej tij.
Sigurisht se nuk mund të themi se ushqimi i tepruar nuk ndikon në përuljen dhe frikërespektin në namaz dhe se nuk i pengon në vullnetin për namaz nate, por jemi të sigurt se ka edhe shkaqe tjera që ndikojnë në këtë gjë edhe nëse lukthi është i mbushur mesatarisht.
Namazi i ka disa sekrete të cilat ia ruajnë përuljen dhe e bëjnë të dashur te shpirti i njeriut, gjatë kryerjes së të cilës kënaqet namazliu, ndien një rehati të pazakontë, i jeton disa çaste të lutjes drejtuar Allahut të Mëshirshëm, duke qëndruar para Tij dhe duke iu përul Atij, të cilat nuk mund ta ndien në asnjë vepër tjetër. Këtë na e tregojnë fjalët dhe veprat e myslimanëve të parë në lidhje me gjendjen e tyre në namaz.
Një lexim i shpejtë dhe sipërfaqësor mbi gjendjen e myslimanëve të parë në lidhje me namazin e natës na bën ta pranojmë pa mëdyshje se ka disa shkaqe që ndikojnë për të fituar kënaqësinë e namazit të teravisë dhe që të mos na vijë i rëndë.
Në mesin e tyre vërejmë njerëz që tërë natën e kalojnë në namaz, ose tërë ditën agjërojnë dhe tërë natën falen, ose njerëz që ndalen në një ajet dhe e përsërisin tërë natën, ose njeri që falet dhe nuk e di se çka ndodh përreth tij, ose njeri që kur futet në namaz nuk vëren atë që bëjnë familja përreth tij, sepse gjendet në një jetë tjetër!
I kemi parë si zbatim praktik i asaj që thotë Allahu, subhanehu ve teala:
(( تتجافى جنوبهم عن المضاجع ))
“I heqin trupat e tyre prej dyshekëve, duke e lutur Zotin e tyre nga frika dhe nga shpresa dhe nga ajo që Ne ua kemi dhënë (pasuria) atyre, ata japin”. (Sexhde: 16).
I kemi parë si falen tërë natën dhe në mëngjes kur zgjohen sikurse të kishin pushuar tërë natën.
Krejt kjo na tregon se në këtë çështje ka sekrete tjera përveç ushqimit, pijes dhe gjumit. Këto gjëra edhe pse ndikojnë, parashtrohet pyetja a e sjellin frikërespektin dhe kënaqësinë e adhurimit. Andaj nëse pushojmë pak ditën dhe i realizojmë shkaqet materiale që na ndihmojnë për namaz nate, pa dyshim se do të na ndihmojnë për të qenë më aktiv dhe më të lehtë për namaz nate. Mirëpo mbetet pyetja: a e arrijmë në këtë formë kënaqësinë e adhurimit, sepse ato masa na ndihmojnë që fizikisht ta përballojmë sa ma lehtë vështirësinë e namazit, mirëpo a na e sjell kënaqësinë?!
Shijimi i kënaqësisë në adhurim është diçka tjetër, ajo e bën adhurimin e lehtë, madje edhe pushim dhe rehati.
Ajo e largon gjumin nga syri dhe përtesën nga trupi.
Kënaqësia nuk na vjen nga ndonjë ushqim i veçantë, ose sasi e caktuar ose nga zëri i Imamit, por vjen nga vet individi, vjen nga prania e zemrës në namaz, këtë e mësojmë nga tregimet e namazit të natës të myslimanëve të parë.
Mungesa e zemrës në namaz është shkaku kryesor i cili namazin ia bën të vështirë njeriut edhe nëse imami lexon vetëm disa ajete dhe edhe nëse ka zërin më të bukur. Prania e zemrës në namaz e bartë njeriun nga një kopsht në tjetrin, nga një kënaqësi në tjetrën, nga një pamje në tjetrën, andaj kur kalon pranë ajeteve që flasin për xhenetin dhe ka zemrën të pranishme, i fluturon lartë nga shpresa e arritjes dhe vendosjes në te dhe nga mallëngjimi për te, kurse kur kalon pranë ajeteve që flasin për dënimet dhe ndëshkimet në xhehenem, i ndien ato sikur është duke i dalë zemra nga gjoksi, prej frikës që të mos jetë banor i xhehenemit. Krejt kjo e sjell njeriun te stacioni i kërkimit të faljes dhe mëshirës dhe vepron për ta shijuar duke e kërkuar vazhdimisht. Pastaj kalon pranë tregimeve të Kuranit dhe jeton në momentet dhe çastet e këtyre rrëfimeve, sikur të ishte pjesë e atyre tregimeve. Tërë këto gjëra që i përmendëm i ndodhin njeriut i cili kur falet e ka zemrën të pranishme në namaz dhe mu kjo është ajo që e vërejmë në tregimet e myslimanëve të parë, selefussalih, në lidhje me namazin e natës.
Ndaluni dhe analizoni këtë ndodhi nga historia islame.
Na tregon Abdullah ibën Mubareku në librin e tij “Zuhd” nga shërbëtori i Ebu Rejhanit, i cili na rrëfen dhe thotë: Ebu Rejhani u kthye nga një betejë në të cilën kishte marrë pjesë. Në të hyrë në shtëpi darkoi me familjen e tij, e pastaj kërkoi ti sjellin ujë për të marrë abdes. Morri abdes dhe shkoi te vendi ku zakonisht falej dhe filloi të falet. Lexonte sure pas sure, kapitull pas kapitulli, sa herë që përfundonte një kapitull e fillonte tjetrin, kështu vazhdoi deri sa thirri ezani i syfyrit. E përfundoi namazin e i mblodhi rrobat e tija. I erdh gruaja dhe i tha: Ebu Rejhan, ishe në luftë dhe je lodhur atje, erdhe dhe unë nuk e mora hisen time prej teje. Iu përgjigj, duke i thënë: ashtu është, ke të drejtë, sepse me të vërtetë të kisha harruar, e po të më kujtoheshe do ta jepja hakun tënd. I tha: çka të angazhoi prej nesh Ebu Rejhan? Tha: zemra ime zhytej në atë që kishte përshkruar Allahu në Kuran prej bukurive të xhenetit, siç është përshkrimi i veshmbathjes, grave, begatitë dhe kënaqësitë e tij, saqë u humba deri sa e dëgjova myezinin.
O Allah! Na mundëso të shijojmë kënaqësinë e përgjërimit ndaj Teje!
Disa dashamirë kur flasin për shkaqet materiale për llogaritjen e namazit të vështirë për myslimanin  përveç teprimit në ushqim e përmendin edhe lodhjen gjatë ditës, vonimin në ardhje në namaz, zërin e imamit, mungesën e edukimit në namaz nate gjatë vitit, kallaballëkun në xhami, etj.
Këto edhe pse mund të llogariten si shkaqe për të na ardhur namazi i rëndë, mirëpo mbetet pyetja: nëse nuk e teprojmë në ushqim, nëse nuk lodhemi ditën, nëse vijmë herët në xhami, nëse e zgjedhim një xhami me imam që ka zë të bukur dhe gjejmë vend të rehatshëm në xhami dhe i realizojmë të gjitha shkaqet materiale, kjo pa dyshim do të na lehtësojë pak gjendjen, por a do të arrijmë ta falim namazin në atë formë që të kënaqemi në te?!
Kush e lexon këtë që themi do të na thotë: ne nuk falemi hiç e ti na flet për namaz nate, edhe ma larg se kjo, na flet për shijim të kënaqësisë në namaz nate!
Mirëpo të jeni të bindur se ne e kemi lënë namazin obligativ sepse nuk e shijojmë kënaqësinë e tij, se po ta shijonin jo që nuk do ta linim por edhe do të shtonim edhe namazin e natës e
dhe kurrë nuk do të lodhemi, ashtu si nuk e lodhte namazi as Ebu Rejhanin.
O Allah na ruaj nga zemra që s’ka frikë, syri që s’loton, lutja për të cilën nuk ka përgjigje!
O Allah na mundëso ta kalojmë Ramazanin në agjërim të ditës dhe namaz të natës në atë formë që je i kënaqur Ti!
O Allah, na mëshiro, na i pastro zemrat, na i fal mëkatet dhe na i mbulo të metat! Amiiin!

Bekir Halimi

Artikulli paraprakKëshilla praktike gjatë agjërimit, sidomos për diabetikët
Artikulli vijuesMesazhe Ramazani…Nga Hoxhë Bekir Halimi