Ka disa ditë që është thënë se do të publikohen listat e veteranëve të Zonës Operative të Dukagjinit, mirëpo megjithë paralajmërimet e vazhdueshme, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Procesi i verifikimit të listave në këtë zonë është duke zgjatur më shumë se në zonat e tjera të cilat tani më kanë bërë publike listat e tyre.
Faik Fazliu, nga komisioni për verifikimin e listave kishte deklaruar për Indeksonline se këtë të hënë do të publikoheshin listat e Zonave të Dukagjinit, Pashtrikut dhe Shalës. Këto dy të fundit janë publikuar në ndërkohë, por jo edhe ajo e Dukagjinit.
As Zona e Drenicës ende nuk është publikuar.
Shkumbin Demaliaj, përfaqësues i Zonës së Dukagjinit në komisionin për verifikim të veteranëve, dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së, ka thënë për Indeksonline se janë duke i shqyrtuar listat, duke mos dhënë një datë të saktë se kur do të publikohen.
“Jemi duke i shqyrtuar listat, dhe do të publikohen atëherë kur të përfundojnë. Këto lista do të publikohen sepse nuk kemi zgjidhje tjetër ky proces duhet të përfundojë”, ka thënë Demaliaj.
Ishte pikërisht Demaliaj i cili para dy ditësh përmes llogarisë së tij në Facebook kishte paralajmëruar publikimin sa më të shpejt të listave, por krejt kjo po del që ky zyrtar ose nuk është i informuar ose nuk po dinë çfarë po paralajmëron.
E pikërisht partia e Demaliajt, AAK-ja, sot ka nisur një peticion për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit aktual për vlerat e luftës së UÇK-së, pasi që thonë se ka shumë mangësi dhe statusi nuk njihet për një numër të madh të luftëtarëve të Dukagjinit.
Ndoshta edhe kjo inciativë mund të jetë arsye e shtyrjes së publikimit të listave.kohaislame