Pyetje: a ke menduar pse rrjetet sociale janë falas?
Përgjigja: kur nuk e paguan çmimin e mallit, atëherë dije ti je malli!!
Andaj kujdes dhe mendo!
“Celulari është aparati më i lehtë edhe në peshë edhe për ta bartë në dynja, porse mund të bëhet më i rëndi në mëkate dhe bartje në ditën e Ahiretit, andaj ta përdorim mirë dhe për të mirë!”
Një shprehje që ta shkurton tërë rrugëtimin.
Google, Facebook, Twiter, Whatsapp, edhe të gjitha programet tjera e komunikimit masiv janë një det i thellë, ku në te është përmbytur morali i burrave! Ka ra logjika! Mes tyre ka të ri por edhe pleq! Këto valë morën turpin e vajzave të ndershme dhe shkatërruan shumë njerëz.
Andaj, kujdes! Mos hy thellë në to, por bëhu sikur bleta, ndalu te faqet e mira, për ti bërë dobi fillimisht vetes, pastaj edhe tjerëve.
Mos u bë sikur miza, e cila ndalet në çdo gjë, në gjërat e mira edhe të këqija, i bartë sëmundjet pa e kuptuar aspak se çka është duke bërë.
Interneti është një treg i madh, ku askush nuk e ofron mallin e vet falas. Secili do diçka përballë asaj që e ofron. Dikush dëshiron prishjen e moralit me mallin që plason. Dikush dëshiron përhapjen e mendimeve të tija të dyshimta. Dikush dëshiron popullaritet. E dikush përmirësimin e njerëzve. Andaj mos blej asgjë deri sa ta kontrollosh se çfarë malli është.
Mos i hap linqet, sepse disa prej tyre janë kurthe dhe shkatërrim, punë hakerash edhe hajnish, rrënim e shkatërrim.
Mos përhap dezinformata, barsoleta të kota, copy paste të gjërave të ndaluara fetarisht.
Dije se këto veprime të kalkulohen brenda shpërblimeve dhe mëkateve, andaj zgjedh mallin para se të nxirret para teje, Ditën e Kiametit.
Para se të komentosh apo të marrësh pjesë në ndonjë debat mendo, kjo vepër e kënaq Allahun apo e hidhëron Atë?!
Mos u mbështet shumë në miqësinë e atij që s’ta ka parë syri.
Mos gjyko për njerëzit nga ajo që shkruajnë.
Sepse janë anonim.
Fotot e tyre fotomontazh.
Sjellja e tyre e rafineruar artificialisht.
Fjalët e stolisura.
Mbajnë maskë.
Gënjejnë sinqerisht.
Sa njerëz paraqiten fetar, e feja distancohet prej tyre?!
Sa të bukur dalin aty, e janë më të shëmtuarit.
Sa bujar paraqiten, e janë më koprracët.
Sa trima shfaqen e janë më frikacakët.
Në përjashtim të një pakice.
Andaj mos përdor emra të huaj, sepse fundi i fundit Allahu e di atë që është publike edhe atë që është sekrete.
Mos lëndo ata që të lëndojnë, sepse ti paraqet veten e ata veten e tyre. Ti paraqet moralin tënd, e jo moralin e tyre.
Ena çka ka brenda e tregon.
Filtro atë që shkruan.
Ti shkruan, pas teje shkruajnë edhe melaqet, kurse mbi të gjithë është Allahu i Cili llogarit dhe kontrollon.
Gjëja më e frikshme në detin e gjerë të internetit është parja e haramit, skena të imoralitetit dhe devijimit. Nëse ke filtër nga këto gjëra, atëherë shfrytëzo internetin për të shërbyer veten dhe për të kontaktuar me shoqërinë në të cilën jeton dhe për të përhapur fenë tënde.
Nëse e vëren veten të përmbytur në kënetën e harameve, atëherë ik nga interneti sikur që ikë nga një kafshë e egër, sepse fundi i kësaj rruge është zjarri dhe këto veprime do të jenë kundërshtari yt para madhërisë së Allahut.
Dyert kryesore nga të cilat u hyn shejtani janë neglizhenca dhe epshi, kurse që të dyja janë shtylla e internetit.
Dije se ky mjet nuk është prodhuar për të shtuar neglizhencën tënde por për të qenë në shërbimin tënd, andaj shfrytëzoje për ndërtim e jo për rrënim, bëre argument për ty e jo argument kundër teje.
Allahu na dhuroftë sukses dhe udhëzim!
Përshtati: Bekir Halimi