Imperativi i parë me të cilin filloi shpallja e fundit e Zotit për njeriun në tokë ishte: “Lexo, studio, mëso!”
Se leximi dhe arsimimi është detyrim i çdo muslimani dhe muslimaneje padyshim na flasin edhe hadithet e Muhamedit a.s., por edhe tradita dhe praktika e gjeneratave të para të muslimanëve.
Për këtë arsyeje muslimanët duhet t’i nxisin fëmijët e tyre të arsimohen dhe edukimin e fëmijëve dhe arsimimin e tyre duhet ta bëjnë prioritet të prioriteteve”
Historia Islame na mëson se muslimanët kanë qenë kampion të ndërtimit të shkollave dhe në ato shkolla kanë studiuar një spektër të gjerë të disiplinave shkencore.
Mjekësia, matematika, gjeografia, biologjia, kimia, fizika, astronomia, zoologjia, optika, mekanika dhe gjuhët janë vetëm nga disa disiplinat që janë zhvilluar në qytetet dhe shkollat e muslimanëve.
Janë shkruar vëllime të librave që në detaje flasin se si janë zhvilluar disiplinat e përmendura në mjediset muslimane, si dhe cilët janë shkencëtarët muslimanë që janë më meritorët për zhvillimin e këtyre shkencave.
Në kohën e emevijve dhe abasidëve, por edhe më vonë, të gjitha qytetet kanë pasur librari të mëdha të cilat përmbanin mijëra vepra shkencore, ndërsa të njëjtat janë mësuar dhe hulumtuar në shkollat e njohura dhe universitetet në gjithë perandorinë muslimane.
Udhëheqësit, gjykatësit, por edhe bota e thjeshtë muslimane, të gjithë kanë qenë të njohur me rëndësinë e studimit dhe arsimimit të rinisë, andaj të gjithë me forca të përbashkëta kanë dhënë gjithçka nga vetja për edukimin dhe arsimimin e rinisë e cila nesër do të jetë bartëse e të gjitha aktiviteteve shoqërore në qytetet, lagjet dhe fshatrat e vendit.
Përfundimisht, ne duhet të dalim nga kjo letargji dhe të kuptojmë se edukimi dhe arsimimi duhet të jetë në rend të parë dhe është e nevojshme të investojmë shumë në shkollimin e gjeneratave të reja. Kjo, sigurisht do të na kthehet për të mirë si shoqëri dhe assesi nuk do të jemi në humbje.
Të gjithë mësuesit, arsimtarët dhe profesorët, por edhe prindërit dhe nxënësit duhet ta dinë se të gjitha lëndët janë të rëndësishme njëlloj sepse na duhen gjenerata të afta dhe të gjithanshme të cilat nuk do të lejojnë që në fshatrat, lagjet dhe qytetet e tyre të ketë analfabet.
Informatika, gjuhët e huaja, gjuha amtare, matematika, mësimbesimi, edukimi shëndetësorë dhe fizik, gjeografia, fizika, biologjia, kimia, kultura qytetare dhe të gjitha lëndët duhet të jenë të rëndësishme për ne. Andaj nuk duhet që ndonjërën prej tyre ta konsiderojmë më pak të rëndësishme. Duhet të mundohemi që fëmijët t’i zotërojnë me sukses të gjitha lëndët në bazë të mundësive dhe aftësive të tyre.
Kur të zbulojmë se ndaj cilës lëndë fëmijët tanë kanë aftësi të veçanta dhe e zotërojnë më mirë, atëherë të përpiqemi bashkë me arsimtarët e tyre t’i drejtojmë fëmijët në ato lëndë që i duan dhe t’i aftësojmë më shumë.
Duhet të kemi ndjenja ndaj këtij bashkëpunimi. Vetëm me forca të përbashkëta mund të nxjerrim maksimumin nga fëmijët tonë dhe t’i drejtojmë në ato profesione ku në të ardhmen do ta tregojnë veten dhe do ta bëjnë me dashuri. Kjo është shumë e rëndësishme
Për fëmijët tanë shkolla duhet të jetë preokupimi më i rëndësishëm ditorë. Andaj të përpiqemi që ma dashuri dhe në mënyrën më të bukur t’ua tregojmë dobinë dhe rëndësinë e arsimimit dhe shkollës, që nesër ne dhe ato si dhe shoqëria ku jetojmë të mburremi me suksesin e tyre.
Mësues, prind dhe nxënës të dashur ju qoftë për hajr ky vit akademik duke lutur Zotin t’ju jap sukses, shëndet, hare dhe bereqet në jetën tuaj.
Përshtati: A. D. Islampress