Ky raport do të ofrojë një rishikim të përditësuar të procesit të gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur, të analizojë pse procesi ka ngecur dhe të rekomandojë zgjidhje
Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë e cila financoi projektin ‘Mbështjetje për zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur- Gjetja e rrugëdaljes’ organizoi ngjarjen përmbyllëse, ku u publikua raporti i statistikave të të zhdukurve gjatë konfiliktit në Kosovë, i përgatitur nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), raporton Anadolu Agency (AA).
Ky raport do të ofrojë një rishikim të përditësuar të procesit të gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur, të analizojë pse procesi ka ngecur dhe të rekomandojë zgjidhje.
Matthew Holliday, drejtor për Ballkanin Perëndimor i Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP), gjatë prezantimit të raportit tha se autoritetet e Kosovës dhe Serbisë po ashtu edhe komuniteti ndërkombëtar kanë bërë përpjekje të mëdha për identifikimin e personave të zhdukur.
Holliday tha se ky raporti është raporti i tretë i përgatitur nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) për gjetjet e deritanishme rreth fatit të personave të zhdukur dhe shtoi se po punohet vazhdimisht për identifikimin e këtyre personave.
“Që nga viti 2002 mbi 2500 persona të zhdukur janë ekzaminuar në mënyrë forenzike duke përfshirë edhe ekzaminimet e ADN-së. Para vitit 2002 afro 2000 persona janë identifikuar në mënyra jashtë shkencore pra me identifikim vizual. Ndërsa sot numri i personave të zhdukur mendohet të jetë rreth 1600 persona”, tha Holliday.
Ai tha se deri në vitin 2008 përgjegjësia teknike për këta persona në Kosovë ka qenë tek misioni i UNMIK-ut ndërsa pas vitit 2008 mandati ekzekutiv për personat e zhdukur i takon EULEX-it.
Holliday duke theksuar se numri i të identifikuarve është më i ulët prej vitit në vit tha se autoritetet kosovare dhe ato serbe duhet të gjejnë rrugë të fuqishme për të bashkëpunar pa bërë dallime feje apo etnie të personave të zhdukur gjatë konfliktit në Kosovë.
Ndërsa, koordinatori i Shoqatës së Familjeve të Personave të Zhdukur “Zëri i Prindërve” në Mitrovicë, Bajram Qerkini gjatë fjalimit të tij vuri theksin tek familjarët e të zhdukurve të cilët sipas tij po mundohen që ta mbajnë gjallë këtë proces me ndihmën e bashkësisë ndërkombtare.
Ai tha se familjarët duhet ta dinë mirë se nuk do të ndalet ky proces derisa të identifikohet personi i fundit i zhdukur dhe sipas tij institucionet vendore kanë argumente ta mbajnë ICMP në Kosovë dhe jo ta largojnë nga Kosovë.
Qerkini, duke kritikuar institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare për ta trajtuar këtë çështje me seriozitet theksoi se: ”Bashkësia evropiane dhe qeveria e Kosovës duhet të na ndihmon në këtë drejtim. Nuk mund të tallemi dhe të thojmë se mjaft na keni ndihmuar kur thuhet se janë ende 300 persona të paidentifikuar në morg, 2000 persona pa ADN”.
Kurse, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në qeverinë e Kosovës, Prenk Gjetaj theksoi se menjëherë pas luftës, identifikimin i kufomave të të vrarëve është bërë me metoda klasike dhe pastaj janë bërë gabime ku ende ekzistojnë probleme, sepse mostrat sot nuk përputhen.
Ai ka theksuar se është e rëndësishme që të zhvillohet një strategji e përbashkët për zgjidhjen e fatit të personave të zhdukur dhe për të zgjidhur problemin e rreth 300 mbetjeve mortore të paidentifikuara të përsonave që ndodhen në morgun e Prishtinës.
“Sigurisht që sfidohemi me mungesën e kapaciteteve vendore profesionale, por shtrohet pyetja a ka ekzistuar një gadishmëri e organizatave dhe mekanizmave ndërkombëtare për të na ndihmuar dhe për ta tejkaluar këtë vështirësi”, tha Gjetaj.
Libor Chlad, zëvendësshef i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë tha se BE-ja do të vazhdojë të përkrahë procesin e identifikimit të të zhdukurve polikisht dhe financiarisht. Ndërsa Prishtina dhe Beogradi duhet t’i kryejnë obligimet e tyre ndaj familjeve të këtyre personave.