Pushteti i homoseksualitetit

Nga Ergys Mërtiri*

Nuk është problemi te homoseksualiteti dhe as te personat që kanë këtë orientim seksual, por është përdorimi, shndërrimi në ideologji dhe përpjekja totalitare për imponim ndaj shoqërisë, ajo që është shqetësuese te lëvizja gay, shprehet sociologu Ergys Mërtiri

Prej disa vjetësh, një komunitet individësh, ndonëse thuajse në anonimitet të plotë, ka ngritur një debat që ka trazuar fort ujërat e opinionit publik, duke zënë një vëmendje të jashtëzakonshme në media, politikë dhe në shoqërinë civile. Si askund në botë, ndeshemi përballë fenomenit të triumfit të madh të një kauze pa pasues, ku aktivistët nuk duken kurrkund. Si kurrë ndonjëherë dhe si askund në botë, në Shqipëri përkrahja ndaj komunitetit gej bën bashkë thuajse të gjithë aktorët socialë, nga politika, shoqëria civile, madje edhe të gjithë ambasadorët e huaj, duke i dhënë asaj një mbështetje të paprecedent, që nuk e ndeshim aspak në komunitete me më shumë halle e të drejta të natyrshme. Mesa duket, të drejtat që burojnë nga nevoja seksuale prevalojnë mbi çdo objekt tjetër angazhimi qytetar në Shqipëri.

Homokraci

Lëvizja gej ia ka dalë jo vetëm të vihet në qendër të vëmendjes, por ka arritur të imponohet gati përdhunshëm, ndaj publikut shqiptar. Kaq e fuqishme është ajo, sa edhe vetë ish-kryeministri Berisha, i njohur si një politikan me profilin e një konservatori, shkoi më larg se të gjithë vite më parë, duke premtuar legalizimin e martesave midis personash me seks të njëjtë, gjë kjo që nuk kanë pasur guxim ta bëjnë shumë prej homologëve të tij evropianë. Si në asnjë vend të botës, ligji kundër diskriminimit, një ligj i cilësuar kudo si një ligj gej, i debatuar e kontestuar masivisht në shumë vende perëndimore, në Shqipëri u miratua në unanimitet të plotë nga parlamenti shqiptar.

Ky fenomen është ndoshta më interesanti për të kuptuar shpërpjesëtimet e mëdha të opinionit publik, në raport me qytetarët. Ndoshta ky është treguesi më i mirë i distancës që ekziston midis elitave dhe shoqërisë, duke bërë që trinomi media, politikë dhe shoqëri civile, të jetojë në një planet tjetër nga ai ku jeton shoqëria shqiptare. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një veprimtari të shkëputur nga shqetësimet dhe interesat e shoqërisë, së cilës, elitat po i imponohen në emër të emancipimit, zhvillimit apo modernizimit, pavarësisht diskutueshmërisë së çështjes në të gjitha vendet e emancipuara që kemi si model.

Gjuetarë homofobësh

Veprimtaria e kauzës gej, ka kaluar tashmë prej kohësh në ofensivë, duke dalë në kërcënime publike ndaj kujtdo që nuk i nënshtrohet verdikteve të saj. Nëpërmjet kallëzimeve penale dhe denoncimeve publike, ajo po godet çdo individ që shpreh publikisht rezerva për ta, duke kushtëzuar rëndë lirinë e fjalës. Tritan Shehu, Eqerem Spahiu, Murat Basha, Eduard Halimi, Artan Lame e shumë të tjerë kanë qenë objekt akuzash për homofobi, të cilat i kanë vënë ata vërtet në vështirësi. Lëvizja ka krijuar tashmë listën e saj të zezë, të cilën e ka përdorur si shantazh ndaj publikut, për të frenuar zërat kundër. Nëpërmjet sofizmit në interpretimin e ligjeve që ka diktuar, ajo ka minuar fushën e diskutimit, duke bërë që çdo fjalë e thënë të jetë një kërcënim kundër vetes. Të kritikosh lëvizjen gej, kërkon tashmë akrobaci të mëdha retorike, për të mos rënë në kurthin terminologjik, me të cilin lëvizja ka mbuluar terrenin e debatit.

Drejtuesit e shoqatave të këtij komuniteti janë kthyer në gjuetarë “homofobësh”, të cilët në mos qofshin, do të shpiken, për t’u bërë objekt linçimi publik. Kjo vjen pasi, në natyrën e tyre, lëvizje të tilla nuk funksionojnë dot pa armiq. Ato kërkojnë të gjejnë doemos homofobë, për t’i dhënë përshkallëzim kauzës së tyre. Ato ushqehen nga antagonizmi dhe avancojnë gjithmonë nëpërmjet një dialektike ku legjitimojnë vetveten, duke akuzuar kundërshtarët realë apo imagjinarë.

Një rast i tillë ishte edhe ai i z. Spahia, i cili u bë objekt linçimi nga të katër anët, për një fjalë goje, sipas të cilës, u citua në media se kishte thënë që “këta janë për t’i kapur në hu”. Aktorë të shumtë nga fusha e politikës, medias, OJQ-ve e madje edhe nga trupi diplomatik, vërshuan mbi të, pavarësisht se fjalët e tij ishin thënë në mjedise private, e për më tepër në mënyrë frazeologjike. Z. Spahia u kërcënua me ndjekje penale nga Kristi Pinderi, duke u bërë, ndoshta i vetmi person në këtë vend për këto 26 vjet, që kërcënohet me burg për një metaforë të thënë në privatësi.

Tashmë, burgu është kërcënim edhe për fyerjet online të homoseksualëve. Qeveria ka miratuar një ligj në mbrojtje të këtij komuniteti, ku çdo person që fyen në internet homoseksualët, dënohet deri në 2 vjet burg. Në nenin 119/b të Kodit Penal, sanksionohet se “Fyerja e qëllimshme publike, nëpërmjet sistemeve të teknologjisë së informacionit e komunikimit, që i bëhet një personi, për shkak të përkatësisë etnike, kombësisë, racës, fesë ose orientimit seksual, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”.

Së fundmi, pritet që martesat mes homoseksualëve të përfshihen edhe në Kushtetutë, si në asnjë vend tjetër në Europë, përveç Kosovës. Reforma në Drejtësi ka gati ndryshimin e një neni, që i hap rrugën ndryshimit të Kodit të Familjes dhe lejimit të martesave midis partnerëve me seks të njëjtë. Gjithçka është bërë në fshehtësi të plotë dhe u desh reagimi i një gazete, që debati të hapet krejt papritur, nga disa aktorë publikë si Kisha Katolike dhe Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU).

Homofobë dhe homopërfitues

Është e dukshme prirja që shoqëria shqiptare ka për të mospranuar homoseksualitetin, gjë që natyrisht sjell edhe diskriminim. Fondacioni SOROS ka publikuar disa vite më parë, të dhënat e një sondazhi të bërë nga “Open Socity” në 30 vendet e Europës, ku Shqipëria rezulton vendi më mospranues ndaj homoseksualitetit. Të dhënat nga ky sondazh tregojnë se 53 për qind e të anketuarve u përgjigjën se homoseksualët nuk kanë të drejtë të jetojnë në mënyrën e tyre. Ironike është se, populli më “homofob” në Europë, bëhet vendi me legjislacionin më bujar në botë ndaj homoseksualëve, duke qenë të vetmit, bashkë me Kosovën, që e përfshijnë këtë në Kushtetutë.

Në fakt, shoqëria shqiptare është ende e panjohur me këtë dukuri dhe shpesh është vështirë të bëhet dallimi midis diskutimit mbi homoseksualitetin nga të drejtat individuale të njeriut. Por ajo që vihet re është se edhe aktorët e këtij debati nuk janë të interesuar ta bëjnë këtë dallim. Askush nuk duket i interesuar të respektojë palët në debat, duke bërë dallimin midis gjykimeve që kemi për një sjellje dhe të drejtave që gëzon personi që e ushtron atë sjellje. Diskutimi shtrohet sikur ata që janë kundër homoseksualitetit si sjellje, mbështesin diskriminimin e homoseksualëve. Kjo bëhet pasi, jo vetëm që shoqëria nuk është sa duhet e informuar për këtë debat, por pikë së pari, sepse vetë përfaqësuesit e kauzës gej, nuk janë të interesuar ta çojnë debatin aty ku duhet, por përpiqen ta polarizojnë atë, duke legjitimuar vetveten nëpërmjet delegjitimimit të kundërshtarëve. Kjo bën që jo vetëm debati të jetë i shurdhët, por edhe të prodhojë efekte negative shoqërore, të cilat do të rëndojnë më shumë mbi vetë komunitetin gej.

Shndërrimi i homoseksualitetit në kauzë, prodhon sensibilitete që ndikojnë natyrisht edhe në kundër-reagime. Individë të shumtë nga vetë komuniteti gej në botë, kanë reaguar shpesh kundër shndërrimit të homoseksualitetit në kauzë, duke kërkuar respektimin e privatësisë së individit. Sipas tyre, seksi është diçka që konsumohet në intimitet dhe nuk ka asnjë arsye që diçka intime të shndërrohet në kauzë publike. Krijimi i kauzave të tilla, ka sjellë kudo rritjen e diskriminimit dhe dhunës ndaj homoseksualëve.

Kjo të bën të mendosh se aktivistët e lëvizjes gej, synojnë më shumë të krijojnë probleme sesa t’i zgjidhin ato. Duket sikur ata janë të interesuar më shumë që të ketë diskriminim, në mënyrë që të legjitimojnë aktivitetin e tyre. Kjo shkon në përputhje të plotë me logjikën e OJF-ve, të cilat ushqehen me problemet, pasi problemet sjellin fonde. Por, derisa të vijohet në këtë mënyrë, mund të themi se personat më të kërcënuar nga lëvizja gej janë vetë homoseksualët, të cilët po përdoren në emër të një kauze që nuk përfundon kurrë, e cila i ekspozon ata përballë një klime debati, që nuk iu bën mirë aspak.

*sociolog

Artikulli paraprakTri banane në ditë zvogëlojnë rrezikun e sulmit në tru
Artikulli vijuesTërmeti i djeshëm më i fuqishmi në 100 vitet e fundit