QËNDRIMI ISLAM NDAJ EVOLUCIONIT

Dr Mustafa Mahmud

QËNDRIMI ISLAM
NDAJ EVOLUCIONIT

Miku im tha:
– Sot do të kesh punë të vështirë. Të duhet patjetër ta dëshmosh krijimin e njeriut në mënyrën gala -gala: e mori Zoti një copë dhe, e përziu me dorën e Vet, e frymëzoi në atë shpirtin dhe kështu u krijua Ademi, ndërsa krijimin e njeriut në këtë mënyrë e refuzojnë dituritë për evolucionin, të cilat nga ana e tyre pohojnë se njeriu i parë, Ademi, ka ardhur në botë si rezultat i një procesi të tërë të zhvillimit të jetës në tokë dhe si i tillë është i lidhur ngusht me anëtarët e familjes së tij – botën shtazore, se ka paraardhës të përbashkët me majmunët, se ekziston ngjashmëri e madhe në ndërtimin e trupit të tyre që, krejtë së bashku, flet qartë se të gjithë i takojnë një familjeje.

I gatshëm për hir të të vërtetës dhe shkencës në diskutim të pakursyer, mikut tim iu përgjigja:

– Së pari më lejo t’i përmirësoj disa pikëpamje tua në lidhje me krijimin e njeriut. Zoti nuk e ka krijuar Ademin në mënyrë gala – gala si mendon ti: Ja, këtu është një copë dhe, i fryejmë asaj dhe do të bëhet Ademi. Kur’ani flet për një mënyrë krejtësisht tjetër të krijimit të Ademit, flet për krijimin i cili ka fazat e veta, zhvillohet nëpër periudha dhe kalon në kohën e Zotit. Kur’ani krejtësisht qartë thekson se njeriu nuk ka dalë drejtpërsëdrejti nga dheu por nga pasardhësit të cilët kanë lindur nga dheu:

“Ne, me të vërtetë e kemi krijuar njeriun nga palca e tokës.” (El122 Mu’minûn, 12). Pastaj, se njeriu në fillim s’ka qenë aspak i rëndësishëm:

“Vallë, a nuk ka kaluar njeriu një kohë, atëherë kur nuk ka qenë i denjë të përmendet.” (Dehr – Insân, 1).

Dhe se krjimi i tij ka qenë në mënyrë evolutive:

“Ç’është me ju, pse nuk i frikësoheni fuqisë së All-llahut. Ai ju ka krijuar në etapa (shkallërisht).” (Nûh, 13-14).

“Ne ju krijuam, pastaj ua dhamë formën dhe atëherë u thamë engjëjve: Bini në sexhde para Ademi., Ata ranë në sexhde, ndërsa Iblisi refuzoi…” (El-A’râf, 11);

“Dhe kur Zoti yt u tha ëngjëjve: Unë do ta krijoj njeriun nga balta, e kur ta përkryej dhe ta frymëzoj nga fryma ime, atëherë ju përuljuni.” (Sâd, 71-72).

Nga ajetet e theksuara bukur mund të shihet se krijimi ka kaluar nëpër faza: të krijuarit, të formuarit, të përkryerit, e pastaj të frymëzuarit e frymës. Është karakteristike që këto faza në ajete janë të lidhura me lidhësen “thumme” (pastaj), e cila në kohën e Zotit shënon miliona vjet:

“Dhe vetëm një ditë te Zoti yt është sa një mijë vjet sipas llogaritjes suaj.” (El-Haxhxh, 47).

T’i shikojmë këto faza kohore të krijimit në kaptinën Sexhde në të cilën All-llahu xhel-le-shanuhu thotë:

“E ka filluar krijimin e njeriut nga balta, pastaj e ka bërë që pasardhësit e tij të bëhen nga gjaku i pikësuar dhe nga uji i dobët i njeriut, pastaj e ka unjësuar dhe qenien e tij e ka përkryer dhe e ka frymëzuar nga fryma e Vet dhe i ka dhënë veshë, sy dhe zemër.” ( Es -Sexhdé, ,7-9)

Në fillim ka qenë dhe pastaj gjak i pikësuar nga uji i dobët. Këto janë nismat e krijimit të njeriut i cili si i tillë “nuk ka qenë i denjë të përmendet”. Pastaj kanë pasuar unjësimi, formimi dhe frymëzimi me të cilin njeriu është bërë qenie e përkryer me shqisa: të të dëgjuarit, të të pamurit, si dhe me zemër… është bërë Ademi i cili pra është etapa e fundit e një zhvillimi kauzal e të gjatë, e kurrsesi fillim absolut i një krijimi momental (mënyrë – gala-gala):

“Dhe All-llahu ju ka bërë që të rriteni nga toka sikur bimët…” (Nûh, 17).

Me rritjen e cila është përmendur në këtë ajet, mendohet në rritjen e cila i ka fazat e veta. Mirëpo, fshehtësia e vërtetë është në atë se çfarë kanë qenë ato faza në esencën e tyre, ç’kanë qenë në të vërtetë ato periudha të zhvillimit.

A është trungu i jetës i tërë nga një baba?

Duke e marrë parasysh përbërjen kimike, çdo gjë është nga dheu. Çdo gjë me vdekjen e cila është e pashmangshme, i kthehet tokës dhe zbërthehet në përbërjet e veta themelore. Ky është fakt i gjithënjohur. Por, fjalën “baba” ne këtu e kuptojmë shumë më gjerë se përbërja themelore e njeriut. Pyetja vetëm është se a është lindur qeliza e parë nga toka e cila me të shumëzuarit i ka prodhuar të gjitha llojet dhe gjinitë e shtazëve dhe të bimëve e me këtë edhe vetë njeriun, apo kanë ekzistuar nisma të shumënumërta dhe të nduarnduarta: një nismë nga e cila janë zhvilluar bimët, një tjetër nga e cila lindi një lloj i caktuar i shtazëve si psh. sfungjerët, nisma nga e cila u zhvilluan peshqit, pastaj nisma nga e cila lindën zvarranikët, nisma e shpendëve, nisma e sisorëve dhe nisma nga e cila është zhvilluar njeriu, që do të thotë se edhe njeriu ka nismën e vet… plotësisht të pavarur sikur edhe çdo lloj tjetër.

Ngjashmëria anatomike e gjinive, llojeve dhe familjeve nuk e mohon lindjen e çdo lloji nga nisma e veçantë. Kjo përputhshmëri anatomike krejtësisht qartë tregon në atë se është një Krijues i të gjitha llojeve, gjinive dhe familjeve, i cili të gjithë i ka krijuar nga materiali i përbashkët, sipas një stili dhe plani të njëjtë. Kjo është konsekuenca e tyre logjike dhe e domosdoshme. Mirëpo, kjo që kanë një baba, nuk është rezultat i domosdoshëm i ngjashmërisë anatomike dhe përputhshmërisë së llojeve, gjinive dhe familjeve.

Mjetet e komunikacionit janë të ngjashme ndërmjet veti si qerret, trenat, tramvajët, etj. Kjo ngjashmëri e tyre flet se ato mjete të komunikacionit janë prodhim i trurit njerëzor. Por kjo në asnjë mënyrë nuk e mohon ekzistimin e projektuesit dhe origjinalitetin e tyre. Sikur që është e padrejtë të themi se qerrja e dorës është “zhvilluar” sipas ndonjë ligji të vet të brendshëm të pavarur, së pari në qerre të cilën e tërheqin kuajt, pastaj në ford, tren dhe dizel, sepse është e vërtetë që ky “kalim” do të ishte krejtësisht ndryshe dhe do të vijonte me zhvillimin e mendjes së konstruktuesit dhe aftësive të tij shpikëse. Po ashtu është e padrejtë të thuhet se një lloj ka dalë nga tjetri, edhe pse ky pohim, duke marrë parasysh renditjen e përmendur kohore, duket i saktë. Mirëpo është e vërtetë se çdonjëri prej tyre ka ardhur me “kërcimin shpikës” të konstruktuesit të vet dhe ashtu ka filluar pavarësisht.

A kanë ekzistuar paranisma të pavarura të gjinive apo disa gjini kanë nismë të njëjtë?

Zhvillimi është përmendur krejtësisht qartë në Kur’an sikur që janë përmendur edhe fazat e tij: faza e krijimit, faza e formimit, faza e përkryerjes dhe faza e gjallërimit… Mirëpo, shkenca ende nuk ka mbërritur që në tërësi ta shpjegojë cilëndo qoftë nga këto faza dhe ta japë fjalën e fundit për to.

Nëse kthehemi në ajetin e kaptinës Sexhde i cili në përkthim është:
“… E filloi krijimin e njeriut nga balta, pastaj e bëri që pasardhësit e tij të bëhen nga gjaku i pikësuar dhe nga uji i dobët i njeriut, pastaj e unjësoi dhe qenien e tij e bëri të përkryer dhe e frymëzoi nga fryma e vet, dhe i dha veshë, sy dhe zemër…” (Es-Sexhde, 7-9), do të shohim se nismat e para të njeriut, prej të cilave më vonë është bërë njeriu i parë-Ademi, e ato janë mbi të cilat flitet sikur mbi ujin e njeriut, nuk i kanë pasur të formuara shqisat: e të pamurit, të dëgjuarit, as zemrën. Këto kanë ardhur më vonë pas “frymëzimit të frymës” e kjo ka qenë faza e fundit e krijimit të Ademit. Do të thotë, këto nisma janë të ngjashme me jetën paranismore (primodiale) të shtazëve:

“Vallë, a nuk ka kaluar njeriu një kohë kur nuk ka qenë i denjë të përmendet.” (Insân, 1).

Nuk mendoj se e gjithë kjo dallohet nga qëndrimet e shkencës për të cilat flet ti.
Mirëpo, e vërteta e zhvillimit ende është fshehtësi. Dhe askush i mençur nuk do të pohojë se këtë të vërtetë e ka zbuluar.
Ndoshta ajo që me të vërtetë ka ndodhur, as për së largu nuk është kjo për të cilën flasim ne dhe për të cilën flasin shkencëtarët. Çështja është ende e hapur për hulumtime dhe çdo gjë që shkenca e servon është vetëm supozim.

Artikulli paraprakDYSHIMET
Artikulli vijuesMAKSIMA KUR’ANORE: “LÂ ILÂHE IL-LALL-LLAH” NUK KA ZOT TJETËR PËRVEÇ ALL-LLAHUT