Brenda pak ditësh pritet të merret vesh se si dhe kur do të mbahen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme në vend. Duket që ato janë të pashmangshme.
Nuk është më çështje a do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, në periudhën 4-18 qershor, ose në njërën prej tri të dielave të qershorit. Çfarë ka mbetur pa u sqaruar është se si do të shkohet në zgjedhjet e reja të këtij lloji në vend, të tretat që nga shpallja e pavarësisë.
Duket që ky konkludim kategorik është pasqyrim objektiv i zhvillimeve politike në vend në ditët e fundit, kur u mor vesh që PDK e Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, ka ndërlidhur fatin e koalicionit të sotëm qeverisës me mungesën e marrjes së vendimeve të mëdha – siç është edhe votimi i Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.
Siç ka marrë vesh Politiko.net, nga burime vendore dhe ndërkombëtare, gjasat që Demarkacioni të fitojë përkrahjen e së paku 80 deputetëve të Kuvendit të Kosovës pothuajse nuk ekzistojnë. Sjellja eventuale e këtij Ligji në Kuvend do të mund të bëhej vetëm sa për ta ushtruar një provë të votës, si dhe për të parë se cilët deputetë të koalicionit qeveritar nuk kanë respektuar qëndrimet e udhëheqjes partiake të cilat e kanë mbështetur Marrëveshjen e 26 gushtit të vitit 2015.
Por, rrëzimi i kësisojtë i një Marrëveshjeje Ndërkombëtare s’do mend që bart në vete dhe rrezikun e dërgimit të një mesazhi të keq brenda dhe jashtë vendit, për Qeverinë aktuale.
Sa u përket zhvillimeve brenda vendit, po që se kjo Marrëveshje do të rrëzohej në votimin parlamentar dhe pastaj do të shkohej në zgjedhje të jashtëzakonshme, tri subjektet opozitare do të mund të dëshmonin që kauza e tyre ka fituar, ose që Demarkacioni – i cili sipas VV, AAK dhe Nismës është i dëmshëm për Kosovën – është anuluar. Gjithsesi, kjo çështje do të ishte njëra prej temave kryesore të fushatës dhe të debateve parazgjedhore, midis tjerash sepse dihet që mosmiratimi i saj do të shtyjë për një kohë të pacaktuar udhëtimin pa viza të qytetarëve të Kosovës.
Ndërsa, kur flitet për pasojat rajonale dhe ndërkombëtare të kundërshtimit të kësaj Marrëveshjeje, dihet që Mali i Zi brenda një kohe të shkurtër do të bëhet edhe formalisht shtet anëtar i NATO’s, prandaj pasja e një kontesti të këtillë kufitar në mes të Kosovës dhe Malit të Zi do të vlerësohet, në Bruksel dhe në Washington, si një dëshmi që autoritetet kosovare nuk ia kanë dalë të adresojnë dhe zgjidhin si duhet këtë çështje.
Nëse merren parasysh këto dy pasoja imediate politike për vendin, ka gjasë që Qeveria e Kosovës e Kryeministrit Mustafa mos ta dërgojë Demarkacionin në Kuvend. Kjo do të thotë që kjo telashe e madhe politike do t’i mbetet për adresim dhe zgjidhje Kuvendit dhe Qeverisë së re, që do të dalin prej zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Në çdo variant, bazuar në zhvillimet e ditëve të fundit, duket që Qeveria aktuale, që në parim ka përkrahjen e 86 deputetëve të dy partive më të mëdha shqiptare dhe të atyre që përfaqësojnë komunitetet pakicë, aktualisht nuk e ka më mbështetjen e shumicës parlamentare.
Nëse PDK më nuk dëshiron të vazhdojë të qeverisë së bashku me LDK’në, duke u thirrur mbi të gjitha, siç ka potencuar ditëve të fundit Kryetari i saj, Kadri Veseli, në mungesën e vendimmarrjes për çështjet madhore të vendit – siç është Demarkacioni, atëherë del që aktualisht janë së paku 66 deputetë të Kuvendit që duan zgjedhje të reja, 36 të PDK’së dhe 30 që përfaqësojnë subjektet opozitare.
Kjo shumicë mund të kualifikohet për vendime legale, në dy mënyra: duke u bërë bashkë me deputetët tjerë për të mbërritur te së paku 80 deputetë që do ta shpërbënin këtë përbërje të legjislativit të vendit, ose me Mocionin e mosbesimit, i cili kërkon mbështetjen e së paku 61 deputetëve.
Megjithatë, tej anës legale, ekziston edhe segmenti i marrëveshjes politike në mes të PDK’së dhe LDK’së, ku në Pikën 14 të saj theksohet që PDK dhe LDK nuk do të përkrahin mocionet e mosbesimit të iniciuara nga palët e tjera në Kuvendin e Kosovës.
Duket që bisedimet e drejtpërdrejta mes Kryeparlamentarit Veseli dhe Kryeministrit Mustafa do ta adresojnë mënyrën se si do të shkohet në zgjedhjet e reja parlamentare. / Politiko.net