Kjo është marrëveshja e tretë e nënshkruar nga palët për subvencionimin e linjës ajrore, sipas së cilës, në tre vitet e ardhshme linjës ajrore duhet t’i paguhen pesë milionë euro.
Qeveria e Maqdonisë dhe linja ajrore “Wizz Air” kanë nënshkruar një marrëveshje për mbështetjen financiare të linjave ajrore të lira, raporton Anadolu Agency (AA).
Marrëveshja u nënshkrua në godinën e Qeverisë së Maqedonisë nga ministri për Transport dhe Lidhje, Goran Sugareski, dhe shefi i çështjeve tregtare i “Wizz Air”, George Michalopoulos.
Kjo është marrëveshja e tretë e nënshkruar nga palët për subvencionimin e linjës ajrore, sipas së cilës, në tre vitet e ardhshme linjës ajrore duhet t’i paguhen pesë milionë euro.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Sugareski tha se sot fillon një fazë e re për zhvillimin e trafikut ajror në Maqedoni.
“Si një qeveri e përgjegjshme që në axhendën e saj vendos trafikun ajror të nivelit të lartë, ne kemi krijuar kushte për vendosjen e destinacioneve të reja për qytetarët e Maqedonisë. ‘Wizz Air’ ishte e vetmja linjë ajrore që paraqiti kërkesë për mbështetje financiare dhe i përmbushi të gjitha kriteret e thirrjes publike”, tha Sugareski.
Sipas kritereve, “Wizz Air” ka për detyrë të fillojë operacionet në të paktën katër destinacione të reja nga aeroporti i Ohrit “Shën Apostol Pavle”, edhe atë dy të parat deri më 29 mars të këtij viti, ndëra dy të tjerat brenda një viti nga arritja e marrëveshjes. Kompania po ashtu ka për detyrë të ofrojë dy linja të reja ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar “Shkupi” dhe me të njëjtat të operojë së paku dy vite.
Destinacionet e reja nga Shkupi do të jenë drejt qyteteve gjermane Karlsruhe dhe Bremen, atij qiproit Larnaca, si dhe qytetit finlandez Turku. Ndërsa destinacionet e reja nga aeroporti i Ohrit do të jenë drejt qytetit suedez Malmo, atij italian Milan, si dhe qyteteve gjermane Memmingen dhe Dortmund.
“Qeveria do të ndajë një mbështetje financiare në vlerë prej 40 mijë euro për çdo destinacion të ri nga aeroportet e Shkupit dhe Ohrit”, bëri të ditur Sugareski.
Nga ana tjetër, Michalopoulos, duke iu referuar historisë së linjës ajrore, theksoi se ata veprojnë në 44 vende dhe se “Wizz Air” është linja ajrore më e madhe në Evropën Qendrore dhe Lindore.