Qeveria ndanë 43 milionë euro për subvencione në bujqësi

Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi ka raportuar para Komisionit parlamentar për Bujqësi për planin e vitit 2016 dhe për zhvillimet e kësaj Ministrie për vitin e kaluar.
Krasniqi tha se shumica e buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë shkon për dy programe mbështetëse të fermerëve, për grante dhe për subvencione me buxhet prej rreth 43 milionë euro.

Krasniqi tha se për këtë vit pret që të rritet numri i fermerëve që do të marron mbështetjen me anë të subvencioneve dhe granteve. Në vitin 2015 numri i përfituesve fermerë ishte 37 mijë, kurse për këtë vit pritet të jetë 40 mijë. Sipas tij në këtë vit janë shtuar edhe disa produkte bujqësore për mbështetje.

Krasniqi tha se në bazë të të dhënave të Doganës së Kosovës është shtuar eksporti i produkteve bujqësore në 6 përqind në vitin 2015 krahasuar me vitin 2014.
Sipas tij në vitin e kaluar po ashtu nga investimi në bujqësi janë punësuar rreth 1 mijë e 600 persona.

Por deputeti i LDK-së Adem Salihaj tha se nuk është i kënaqur me shumën e e mjeteve për fermerët në Kosovë. Ai tha se në vendet e BE-së ndajnë 50 përqind të buxhetit vetëm për bujqësi. Salihaj ngriti çështjen e plehrave kimike, të cilat sipas tij nuk kanë përmbajtje të duhur. AI tha se në plehra kimike rreth 50 përqind ka zall.

Kurse, deputeti Shaip Muja foli për analizat e tokave bujqësore, pasi sipas tij ka edhe kontaminime të tokave dhe bujqit po investojnë pa ditur tipin e tokave dhe nuk po arrijnë të krijojnë rendimente të kënaqshme. Muja pati vërejtje edhe tek barnat bujqësore që nuk janë të kontrolluara dhe mbeten pa efekt për ruajtjen e bimëve.

Ministri Krasniqi tha se licencat për produkte i ndan Ministria, kurse për kontrollë nuk kanë kompetenca, kjo sipas tij është në kompetencë të AUV.
Krasniqi tha se prioritet i mbështetjes së bujqësisë janë drithërat, pemëtaria, sektori i mishit dhe sektori i qumështit.

Artikulli paraprakAustrali, Viktoria legalizon kanabisin për qëllime mjekësore
Artikulli vijuesKompania gjermane Wintershall dhe Irani memorandum për studimet rreth naftës