Qimnoni (lat. Fructus cumini). Qimnoni, atdheu i të cilit është Mesdheu lindor dhe Lindja e Mesme, lulëzon mes muajit maj dhe qershor dhe çelë lule të bardha. Frutat e qimnonit piqen në korrik dhe kanë një ngjyrë të verdhë të errët, janë në formë oval me një madhësi 4-5 mm. Bima e qimnonit rritet në vendet me diell dhe pjesërisht në hije në tokë të butë. Shumohet me farat e mbjella në fund të pranverës dhe i takon familjes së majdanozit. Bima e qimnonit më së shumti kultivohet në Iran, Uzbekistan, Taxhikistan, Turqi, Marok, Egjipt, Indi, Siri, Meksikë dhe Kili. Në Turqi kjo bimë kultivohet në rajonin e Egjeut dhe Detit të Zi. Frutat e qimnonit pasi të jenë pjekur mblidhen dhe lihen për tu tharë më pas bluhen dhe në këtë mënyrë përfitohet erëza e qimnonit. Për shije mund të themi se është i mprehtë, djegës dhe pak i theksuar.
Aroma dhe shija e qimnonit është e përshtatshme me gjella të mishit. Madje një anadollak qoften pa qimnon nuk e quan qofte. Qimnoni përdoret edhe si erëza në disa pije dhe brumëra. Është një erëz që përdoret mjaftë në kuzhinat e Afrikës Veriore, Lindjes së Mesme, Kinës perëndimore, Indisë dhe Meksikës. Nga farat e qimnonit përfitohet vaji dhe ky vaj përdoret për shërimin e disa sëmundjeve si reumatizmi. Vaji i qimnonit gjithashtu mund të përdoret edhe në gjella dhe supa. Vaji i qimnonit parandalon depresionin, lehtëson ngërçet dhe ënjtjen, shton vrerin dhe oreksin. Ai mund të konsumohet duke pikuar 2-3 pika mbi pak sheqer ose mbi copë buke. Ndërkaq vaji i qimnonit nuk propozohet për shtatzënat ndërsa vendet e lyera me këtë vaj nuk duhen të ekspozohen në diell. Ndërkohë që mes popullit përdoret si ilaç, qimnoni është më i dobishëm në formë pluhuri ose i valuar në ujë. Nëse konsumohet si çaj i përgatitur me uthull dhe ujë është i dobishëm për sëmundjet e frymëmarrjes. Ndërsa nëse përdoret mbi plagët e pezmatuara atëherë përshpejton shërimin dhe mbylljen e tyre.
Qimnoni është i pasur me hekur. Në përgjithësi njihet për shtimin e oreksit dhe për lehtësimin e tretjes së ushqimit. Dihet gjithashtu se forcon stomakun dhe lehtëson qitjen e urinës dhe gazrave nga organizmi. Qimnoni shton edhe sasinë e qumështit të nënës, qetëson dhe ulë tensionin e lartë të gjakut. Ndihmon me qitjen e materieve toksike nga trupi me djersitje. Kinezët në medicinën e tyre tradicionale qimnonin e përdorin për qitjen e gazrave dhe për lehtësimin e tretjes së ushqimit. Në studimet e reja të bërë me qimnon është gjetur se ulë sheqerin në gjak. Dietistët theksojnë se qimnoni ulë në minimum gazrat e krijuara nga ushqimet e grurit.
Ekspertët thonë se edhe shtatzënat mund ta përdorin qimnonin për ta lehtësuar stomakun nga gazrat. Ndërkaq vështirësitë e tilla tek foshnjat dhe fëmijët mund të mënjanohen me anë të qimnonit. Edhe nënat që kanë foshnjat në gji me përdorimin e kësaj bime mund të parandalojnë që efektet e ushqimit, të cilat krijojnë gazra, të përzihen në qumështin e nënës dhe kështu të parandalojnë shqetësimet tek foshnjat. Pasi që qimnoni mund të ketë efekte negative tek personat që kanë probleme me stomakun, do të ishte më mirë të mos ekzagjerohet me konsumin e tij ashtu sikurse me ushqime tjera. Nëse disa ushqime të cilat krijojnë gaz në stomak dhe tretja e të cilëve është e vështirë si lakra, mëlçia, etj, konsumohen me qimnon atëherë edhe tretja e tyre do të jetë më e lehtë. Kjo zbatohet me shekuj në kuzhinën e Anadollit.
Edhe pse qimnoni është një bimë që më së shumti përdoret për shkak të aromës, ai përdoret edhe në industrinë e ilaçeve dhe të sojës. Turqia qimnonin më së shumti eksporton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropë, Lindjen e Mesme, vendet arabe dhe të gjirit. Bujqësia e qimnonit është zhvilluar në prefekturat e Afjonit, Ankarasë, Eskishehirit dhe Konjas për shkak të kushteve të volitshme të motit dhe kjo ka ndikim pozitiv në ekonominë. Qimnoni në Anadoll njihet me emra të ndryshme si Avxhar, Axhemkimjonu, Kemnon, Zira etj. Posaçërisht në zonën e Eskishehrit ku edhe rritet qimnoni njihet me emrin Zira.
Ju mund të bëni edhe çajin e qimnonit, por duhet patur kujdes që farat e qimnonit të jetë të bluara para përgatitjes së çajit. Nëse farat e bluara të qimnonit nuk përdoren brenda 24 orëve atëherë vajrat e saj do të prishen dhe do të ndryshohet aroma. Gjatë përgatitjes së çajit të qimnonit duhet të përdoren farat e bluara rishtazi ose të shtypura lehtë të cilat i vëmë në një enë dhe i përvëlojmë me gjysmë litre ujë të valuar. Pas 5-10 minutave çaji kullohet dhe është i gatshëm për konsum.
Qimnoni dihet dhe përdoret prej kohërave të lashta. Sipas një natyralisti të shquar të periudhës romake, qimnoni është aromatizuesi më i mirë. Historianët thonë se romakët në vend të specit përdornin qimnonin prej të cilit përgatisnin një mëlmesë që e konsumonin me bukë. Arkeologët në një listë të shkruar në tableta të Mikenit të mbetura prej shekullit të 14-të para erës sonë kanë hasur në shënime mbi qimnonin ku shkruhet se qimnoni ruhej në depot e pallateve si një pasuri e rëndësishme. Edhe në tabletat e Akadit të Mesopotamisë të shkruar me kuneiforme është hasur në shënime për qimnonin. Ndërkaq për shënime në lidhje me qimnonin është hasur edhe tek civilizimet e vjetra egjiptiane, greke dhe romake. Në një libër të gjellëve të gjetur që i përkiste periudhës së fundit të perandorisë romake, gjatë përgatitjes së mëlmesave të ndryshme për frutat e detit romakët i shtonin qimnon. Edhe mjeku i shquar turk, Ibn-i Sina fliste për qimnonin, por në dallim nga kohërat antike ai këtë bimë e përdorte për shërimin e sëmundjeve të syve.
Qimnoni është një erëz që pëlqehet mjaft në Evropë. Italianët për shembull në aperitivë dhe në disa biskota të kripura shtojnë qimnon. Ndërsa holandezët një lloj të djathit të posaçëm e përgatisin me qimnon. Salsiçet me qimnon janë më të preferuarat në Evropë. Buka me qimnon që gatuhet në disa vende të Gjermanisë janë të njohura në gjithë botën. Ekziston edhe qimnoni frenk që është i ngjashëm me qimnonin e zakonshëm e që përdoret në Evropën e mesme. Këto dy bimë i ngjajnë shumë njëra-tjetrës, por shija e farave të tyre dallon shumë. Edhe farat të cilat përdoren në biskota në kuzhinën angleze i takojnë qimnonit frenk. Nëse marrim parasysh dobitë e qimnonit atëherë atë duhet ta konsumojmë.