Qumështarët përplasen me njëri-tjetrin

Nga Bashkim Kastrati

Blegtorët e Kosovës përballen me probleme të shumta gjatë aktivitetit të tyre të përditshëm. Ata në vazhdimësi kanë pasur probleme me shitjen e qumështit, kjo për shkak se ka vetëm disa kompani që e bëjnë grumbullimin e tij; dhe këto kompani shpesh ua ndryshojnë çmimin fermerëve duke i detyruar ata që ta shesin me atë çmim, ndryshe iu shkon huq.

Blegtorët që merren me mbajtjen e lopëve qumështore janë ankuar vazhdimisht për një treg të papërshtatshëm dhe të pasigurt. Një litër qumësht ata e shesin rreth 24-25 centë, që i bie të ketë kosto më të ulët se sa një litër ujë!

Ata kanë probleme edhe me mungesën e stallave për mbajtjen e lopëve, mosaprovimin e projekteve për ndërtimin apo zgjerimin e tyre nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa vonesa ka edhe për subvencionet që ata i marrin për krerë të lopëve.

Përveç problemeve të lartcekura, tashmë kanë edhe një hall tjetër, se në cilin grup organizativ të qumështarëve të radhitën. Kjo për faktin se këto ditë kemi një përplasje ndërmjet krerëve të qumështarëve të Kosovës.

Kujtojmë se deri më tani interesat e qumështarëve nuk janë përfaqësuar më së miri nga krerët e shoqatës së tyre. Shumë nga blegtorët janë ankuar se krerët e kësaj shoqate nuk merren me problemet reale të qumështarëve, por me interesat e tyre personale.

Ndërkaq, ndarja e prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit në dy grupe ka nxjerrë në shesh problemet e para. Njëra shoqatë, që i përfaqëson një pjesë të prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit, ka bërë analiza të produkteve të tri kompanive vendore lidhur me sasinë e përdorur të vajit të palmës. Analizat janë bërë në Fakultetin e Veterinës në Shkup, ku tregojnë sasinë e vajit të palmës të përdorur në disa prej prodhimeve të këtyre kompanive vendore.

Ramadan Memaj, që vazhdon të jetë në krye të shoqatës, ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të marrin masa, pasi me këtë veprimtari po mbyllen fermat.

Memaj nuk e ka mohuar që kjo është bërë në shenjë hakmarrje për shkak të largimit të tyre nga kjo shoqatë.

“Ne i sigurojmë të gjithë anëtarët dhe opinionin e gjerë se do t’i mbrojmë me përgjegjësi të plotë të gjithë qumështarët, në përputhje të plotë të mandatit dhe autorizimeve që kemi. Çdokush që mundohet të paraqitet si përfaqësues i kësaj shoqate, duhet të jetë i vetëdijshëm se po prezantohet rrejshëm dhe për këtë ne kemi njoftuar organet kompetente. Në ditët në vijim ne do të dalim me njoftim edhe për manipulimet që u janë bërë qumështarëve në Kosovë me fakte dhe me dokumente për të dëshmuar një gjë të tillë”, thuhet në komunikatën e nënshkruar nga Ramadan Memaj.

Por kjo shoqatë ka dy kryetarë dhe Gani Durmishaj hedh poshtë të dhënat e prezantuara nga Memaj.

Përveç kësaj, ai ka thënë se shoqata nuk ka të drejtë të bëjë analiza, por Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë. Derisa shoqata funksiononte si duhet, kishte mbajtur disa protesta, duke kërkuar nga institucionet që të mos e lejojnë shitjen e prodhimeve me vaj palme në të njëjtin vend ku shiten prodhimet e qumështit.

Tahiri: Ja kush po e shkatërron sektorin e qumështit në Kosovë

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, ka thënë për tesheshi.com se problem tek qumështarët e Kosovës është qeveria, sepse në import dhe prodhim vendor në të gjitha sektorët e bujqësisë, e sidomos në sektorin e qumështit sipas tij, koordinohen krimi i organizuar dhe qeveria duke u marrë vesh se me pas prodhim vendor dhe sa me i lënë hapësirë krimit të organizuar që të importojë.

“Të sektori i qumështit, prodhuesve ju mundësohet(lejohet) të prodhojnë vetëm 30% të nevojave të Kosovës, kurse tregtarëve ju lihet ai 70% që ta sigurojnë nga importi. Ka qenë një përudhë e artë e prodhuesve të qumështit kur kanë prodhuar dhe kanë plotësuar 50% të nevojave të popullatës të Kosovës në qumësht dhe produkteve të qumështit, ajo ishte në vitet 2006-2008 dhe me pastaj filluan problemet e ndryshme që shkaktuan fillimin e rënies se prodhimtarisë se qumështit”, thotë Tahiri.

Ai thotë se përçarjet në mes Shoqatës se prodhuesve të qumështit dhe disa përpunuesve të qumështit, janë shkaktuar nga kryetari i shoqatës se përpunuesve, të cilit ju ka nda shoqata e përpunuesve në 3-4 pjesë, krejt kjo në shkak të konkurrencës brenda përpunuesve të qumështit dhe “në shkakun se Kryetari i Shoqatës se përpunuesve është një servil i qeverisë dhe në shkakun se ai nuk po lufton si e sa duhet për të drejtat e prodhuesve dhe përpunuesve, si dhe për ti luftuar dukuritë negative që po e pengojnë dhe po e shkatërrojnë sektorin e qumështit”.

Tahiri tutje thotë se një prej problemeve më evidentë është konkurrenca e pabarabartë e importit të qumështit nga shumë shtete të rajonit, të cilin sipas tij e orkestron krimi i organizuar dhe e lejon qeveria e cila i mbyllë sytë kur qumështi hyn në kufi në formë kontrabande me lehtësime të ndryshme doganore.

“Importohet, qumështi me kualitet të dobët, vjen qumështi pluhur, krejt këto bëjnë që qumështi që futet në këto forma është konkurrent me çmime me të ulëta. Edhe korrupsioni në forma të ndryshme nga Ministrja e Bujqësisë bëhet pengesë në shumë prodhues të qumështit të cilët edhe detyrohen të heqin dore nga ky biznes. Në të gjitha këto Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës i ka ngritur shqetësimet e veta para mediave dhe të Ministria e Bujqësisë, por pa sukses, sepse të gjitha poret e shtetit janë të kapura nga qeveria dhe krimi i organizuar”, u shpreh Tahiri.

Artikulli paraprakAlzheimeri dhe diabeti problemi që shkaktohet nga mungesa e higjienës orale
Artikulli vijuesJa pse domatet e tanishme nuk kanë më atë shije e ngjyrë si të dikurshmet