Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se në takimin me nënkryetarin e AAK-së, Ardian Gjini është biseduar për ndalimin e Haradinajt në Francë si dhe për situatën në tërësi
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, sot takimin e parë e zhvilloi me zyrtarët e partisë opozitare të Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në krye të së cilës ndodhet Ramush Haradinaj. Me këtë rast Rama theksoi nevojën e punës së përbashkët për fshirjen përfundimtare të urdhër-arresteve të lëshuara nga Serbia, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit nënkryetari i parë i AAK-së, Ardian Gjini dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mbajtën një prononcim për media, ku Rama tha se gjatë këtij takimi është biseduar për ndalimin e Haradinajt në Francë, si dhe për situatën në tërësi dhe për sfidat e përbashkëta të këtyre dy vendeve.
Duke theksuar besimin se përfundimi i procesit të Haradinajt do të jetë “përfundimi që duam të gjithë”, Rama tha: “Ky nuk është fundi por është fillimi i një pune të përbashkët të Qeverisë sonë dhe të Qeverisë së Kosovës dhe të institucioneve të Shqipërisë dhe të institucioneve të Kosovës për të fshirë përfundimisht këto lista njerëzish me urdhërarreste të një kohe që i përket të shkuarës dhe që na shfaqet hera herës në këto forma, të cilat na kujtojnë se e shkuara është gjithmonë një kërcënim për ne, por edhe na obligon që të vazhdojmë së bashku me mjetet e paqes dhe të demokracisë ta bëjmë të shkuarën të pakthyeshme”.
Kurse nga ana e tij, nënkryetari Gjini tha se vizita e kryeministrit Rama ka nderuar ish-kryeministrin Haradinaj. Sipas tij, me nderimin e Haradinajt, Rama i ka nderuar të gjithë patriotët dhe të gjithë shqiptarët.
“Ne bashkarisht kemi qenë të vetëdijshëm për rolin që e ka luajtur kryeministri Rama dhe Republika e Shqipërisë jo vetëm në këtë fazë por në të gjitha fazat e zhvillimit të Kosovës, e posaçërisht duam të falënderojmë publikisht për angazhimin që e kanë pasur me situatën që është krijuar pas ndaljes së kryetarit Haradinajt në Francë”, ka thënë Gjini.
Kryeministri Rama sot do ta takojë edhe homologun e tij kosovar, kryeministrin Isa Mustafa si dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin.
Ndryshe, ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-udhëheqësi i UÇK-së, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht është kryetar i AAK-së, më 4 janar u ndalua nga autoritetet franceze bazuar në një urdhërarrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004.
Ai më 12 janar u lirua me kusht nga autoritetet franceze, kurse me 9 shkurt do të mbahet seanca për shqyrtimin e lëndës ektraduese të Haradinajt në Serbi.