Bedri Ajdari, familjar i të akuzuarve për rastin “Monstra” në deklaratën e tij dhënë Portalb-it rrëfen për pritjet e tij dhe të familjarëve nga prokurorja speciale Katica Janeva.
Ai shprehet skeptik, por thotë që me vëmendje po përcjell çdo lajm që ka të bëjë me “Monstrën” dhe me Prokurorinë Speciale Publike.
“Ne deri më sot nuk kemi asnjë informacion. Ne kemi qenë së bashku me avokatët te Zoran Zaev para se ky i fundit t’i dorëzojë materialet te Prokuroria Speciale Publike. Unë e pyeta a ka bazë për ta marr rastin PSP, ai më tha se po! Ai ka qenë i qartë se të akuzuarit në rastin “Monstra” janë të pafajshëm. Këtë e ka përsëritur edhe në takime tjera me qytetarë”, theksoi për Portalb Ajdari.
Tani, shton ai më tutje, çka ka brenda në materiale dhe çka i ka dorëzuar PSP-së unë nuk e di.
“Nuk jemi të sigurt në asgjë. Në bazë të avokatëve Prokuroria Speciale ka shumë ingerenca. Se a do të veprojë dhe si, nuk kemi informacion. Nëse e marrim për shembull rastin “Boshkovski” dhe rastin “Monstra” prioritet do duhej të kishte rasti “Monstra”, sepse ka pasur pasoja më të mëdha se tortura; këtu kishte rrahje, keqtrajtime nëpër gjykata, në secilin vend- edhe gjatë rrugës i kanë rrah deri te gjykata, nëpër stacione… Gjatë bastisjeve ka pasur keqtrajtime, frikësime deri aty që fëmijët e mi kanë pasoja, se kanë qenë të vegjël. U mor rasti “spiun”, “titanik” dhe raste tjera… Jemi në pritje nuk kemi tjetër mundësi. Po presim natë e ditë, po i përcjelli të gjitha informacionet”, përfundoi Ajdari.
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës në rastin “Monstra” Naser Raufi për Portalb ka konfirmuar se ka informacione se është duke u punuar edhe në rastin në fjalë nga PSP.
“Jemi të sigurt që e punojnë këtë rast. I kanë materialet edhe pse nuk e kanë shpall publikisht. Është çështje kohe se kur do të dalin me të dhëna konkrete”, tha për Portalb avokati Raufi.
Zëdhënësja e PSP-së, Lençe Ristoska, në pyetjen e Portalbit, se çfarë po bëhet me rastin “Monstra”, u përgjigj se janë duke i dëgjuar hetimet dhe se ende nuk ka diçka të re.
“Nuk ka ende diçka të re, jemi duke i dëgjuar hetimet”, tha Ristoska.
Më 12 shkurt, Prokuroria Speciale në krye me Katica Janevën ka deklaruar se është e njohur me rastin “Monstra”./Portalb