Palët që do të ulen në tryezën e raundit të katërt të bisedimeve të Gjenevës me temë Sirinë në qytetin Gjenevë të Zvicrës kanë pikëpamje të ndryshme mbi krijimin e “qeverisë së tranzicionit”
Palët që do të ulen në tryezën e raundit të katërt të bisedimeve të Gjenevës me temë Sirinë në qytetin Gjenevë të Zvicrës kanë pikëpamje të ndryshme mbi krijimin e “qeverisë së tranzicionit”. Teksa Turqia dhe opozitarët kërkojnë formimin e qeverisë së tranzicionit me kompetencë të plotë, Rusia dhe Irani kërkojnë formulat ku nuk do të ndahet autoriteti i Bashar al Asadit, shkruan Anadolu Agency (AA).
Teksa është përshpejtuar angazhimi diplomatik me qëllim për të gjetur zgjidhje ndaj krizës së Sirisë, pas një pauze një vjetore aktorët palë të problemit do të mblidhen nën çatinë e Kombeve të Bashkuara për bisedimet politike në Gjenevë.
Para bisedimeve që janë planifikuar të nisin ditën e enjte, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Sirinë Staffan De Mistura, ka ftuar palët në Gjenevë. Pritet që Mistura sot në një takim të deklarojë nëse do të nisin apo jo nesër bisedimet, dhe në lidhje me pjesëmarrësit dhe axhendën e bisedimeve.
Në bisedime krahas delegacioneve të opozitarëve dhe regjimit të Bashar Asadit janë ftuar nga OKB-ja edhe shumë vende të tjera kryesisht si Rusia, Turqia, Irani dhe SHBA-të.
Udhërrëfyesi i tranzicionit politik
Bazën e negociatave të Gjenevës e përbën Deklarata 1 e Gjenevës e cila u pranua në takimin e parë të mbajtur në qershor 2012.
Deklarata në fjalë synon sigurimin e armëpushimit, lirimin e të arrestuarve dhe dërgimin e ndihmave humanitare në rajonet nën rrethim. Më pas duhet të formohet qeveria e tranzicionit me kompetenca të plota që do të përbëhet nga emrat e përcaktuar me pëlqimin e ndërjellë të opozitës dhe regjimit. Në mënyrë që qeveria e tranzicionit të jetë me kompetenca të plota, sjell së bashku që ajo të jetë në një pozicion mbi presidentin e shtetit pra mbi Asadin.
Edhe vendimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkaura (KS-OKB) me nr. 2254 i miratuar në dhjetor 2015 parashikon formimin e qeverisë së tranzicionit pas përfundimit të negociatave mes delegacioneve të opozitës dhe regjimit.
Sipas kësaj duhet që brenda 6 muajve të përfundojnë negociatat dhe të formohet qeveria e tranzicionit si dhe qeveria e re të përgatisë brenda 12 muajve një kushtetutë dhe të çojë vendin në zgjedhje të barabarta.
Qëndrimi i Rusisë
Rusia vjen në Gjenevë me një axhendë jashtë udhërrëfyesit të caktuar në vendimin e KS-OKB-së.
Sipas informacioneve që AA-ja ka marrë nga palët që janë në kontakt me diplomatët rusë, mësohet se Moska ndjek një lloj qasje për “Qeveri të unitetit kombëtar”.
Rusia e cila dëshiron të japë një pamje të tillë duke përfshirë disa opozitarë në qeverinë e Asadit, kërkon që të shmangë në këtë mënyrë axhendën për qeverinë e tranzicionit me kompetenca të plota. Në rast se kjo do të jetë e mundur vihet në dukje se kjo do të forcojë vendin e Asadit duke mbrojtur të gjitha kompetencat e tij.
Rusia muajin e kaluar duke i dhënë një draft kushtetues opozitarëve në bisedimet e Astanas kërkoi të ndryshonte udhërrëfyesin në vendimin e KS-OKB-së.
Moska ka mbrojtur se dëshironte të përshpejtonte procesin duke përgatitur vetë kushtetutën që duhej ta përgatiste “qeveria e tranzicionit” dhe “nën drejtimin e sirianëve”.
Plani i Iranit
Irani dëshiron të vendosë në zbatim planin e tij me 4 pika që përfshin armpushimin emergjent, formimin e qeverisë të unitetit kombëtar, garantimin e të drejtave të pakicave në kushtetutë dhe zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale.
Qeveria e Teheranit planin në fjalë e kishte propozuar në mars 2014.
Edhe plani i Iranit sikurse ai i Rusisë parashikon vazhdimin në udhën e tij të qeverisë së Asadit pa patur ndarjen e pushtetit.
SHBA-të nuk e kanë qartësuar qëndrimin e tyre
Ndërsa edhe SHBA-të ku muajjin e kaluar qeveria e Donald Trump mori presidencën ende nuk kanë qartësuar politikën e tyre për Sirinë.
Burimet diplomatike kanë bërë të ditur se në takimet e zhvilluara në dy javët e fundit mes Turqisë dhe SHBA-ve, zyrtarët amerikanë ndodhen në një situatë ku në përgjithësi “dëgjojnë por nuk përcaktojnë qasje të qarta” dhe se aktualisht fokusimet e tyre kanë mbetur të kufizuara me luftën kundër DEASH-it.
Trump në javën kur mori detyrën e presidentit kërkoi nga Departamenti i Mbrojtjes që brenda 30 ditëve të përgatiste “një raport në lidhje me përgatitjet e ushtrisë në çështjet si lufta kundër organizatës terroriste DEASH, arsimin, mirëmbajtjen dhe municionet”.
Zbulimi i raportit në fjalë për politikën e Sirisë të qeverisë së Trumpit pritet të qartësohet me transformimin e tij në një dekret presidencial.
Turqia kërkon që t’i përmbahen vendimit të KS-OKB-së me nr. 2254
Burimet diplomatike në një deklaratë për gazetarin e AA-së kanë theksuar se pritshmëria e Turqisë është që ti përmbahen vendimit të KS-OKB-së me nr. 2254.
Burimet kanë tërhequr vëmendjen se formula të tilla si “qeveri e unitetit kombëtar” nuk do të mund të zënë vendin e “qeverisë së tranzicionit me kompetenca të plota”.
Ndër të tjera burimet duke nënvizuar se sipas vendimit të KS-OKB ata që duhet të përgatisin kushtetutën janë vetë personalisht sirianët, kanë vënë në dukje se adresa përgjegjëse për të bërë këtë punë është “qeveria e përkohshme”.
Gjithashtu burimet diplomatike kanë nënvizuar se shprehjet në draftin kushtetues të përgatitur nga Rusia në mënyrë indirekte hapin rrugë për diskutimin e integritetit territorial të Sirisë, ku në këtë mënyrë i jepet mesazh organizatës terroriste PKK/PYD dhe gjithashtu përfshihen edhe detaje që zgjatin afatin e detyrës së Asadit.
Përkundër kësaj burimet kanë rikujtuar se në deklaratën përfundimtare të nënshkruar në Astana nga delegacioni rus përfshihet edhe pandashmëria e integritetit territorial të Sirisë.
Ndërsa në anën tjetër mësohet se Përfaqësuesi i OKB-së Mistura ka siguruar Ankaranë në çështjen se PYD/PKK-ja nuk do të ftohet në bisedimet e Gjenevës.
Në bisedimet e Gjenevës nga Turqia do të marrin pjesë Ndihmës Sekretari i Ministrisë së Jashtme përgjegjës për Lindjen e Mesme Sedat Önal dhe delegacioni bashkë me të.
Pritshmëritë e opozitës
Edhe opozitarët dëshirojnë formimin e qeverisë së tranzicionit me kompetenca të plota duke vënë në zbatim vendimin e KS-OKB-së me nr. 2254.
Delegacioni negociator i cili u mblodh ditën e djeshme në kryeqytetin Rijad të Arabisë Saudite, arriti në konsensusin që axhenda e Gjenevës të jetë tranzicioni politik.
Delegacioni mbron idenë se përgatitja e kushtetutës duhet të lihet në fazën e fundit ashtu siç parashikohet edhe në vendimin e KS-OKB-së me nr. 2254.
Opozitarët duke tërhequr vëmendjen se regjimi i Asadit vazhdon shkeljet e armëpushimit kërkojnë që në Gjenevë të diskutohet në tryezë edhe çështja e forcimit të armëpushimit.
Delegacioni negociator i opozitarëve ripërsërit kërkesat për heqjen e rrethimeve, hapjen e korridoreve për ndihmat humanitare dhe lirimin e të arrestuarve.
Ndër të tjera në kuadër të kërkesave të Rusisë dhe Misturas është në rendin e ditës që brenda delegacionit të opozitarëve të përfshihen edhe disa politikanë që njihen me afërsinë që kanë me Moskën dhe Kajron. Por opozitarët kundër regjimit kundërshtojnë me shtimin e numrit duke tërhequr vëmendjen se këto emra në fjalë kanë qëllim “hollimin” e frontit të opozitës.
Delegacioni i opozitarëve do të kryesohet nga anëtari i komitetit politik të Koalicionit kombëtar të Sirisë (SMDK) Nasır Hariri, ndërsa kryenegociator i delegacionit do të jetë Muhammed Sabra.
Mesazhet e forta të regjimit
Ndërsa regjimi i Asadit vazhdon ti cilësojë si terroristë opozitarët në delegacionin negociator
Regjimi dhe grupet terroriste të huaja të mbështetura nga Irani, kanë intensifikuar sulmet e tyre në Damask dhe përreth tij që nga takimi Astana i cili u mbajt me 23-24 janar nën udhëheqjen e Turqisë dhe Rusisë me qëllim forcimin e armëpushimit.
Aktualisht rajonet Kabun dhe Bezze në lindje të Damaskut dhe rajoni Vaer në Humus të cilat ndodhen nën rrethim përballen me sulmet intensive ajrore.
Në sulme ofrojnë mbështetje për ushtrinë e Asadit edhe grupet terroriste të huaja me mbështetje të Iranit.
Burimet diplomatike kanë përcaktuar se regjimi me sulmet e vazhduara që nga Astana e deri tani ka bërë përpjekje të tërheqin në konflikte opozitarët dhe ti largojnë nga tryeza e negociatave.
Rruga e Mistura-s
Sipas informacioneve të marra nga burimet e Kombeve të Bashkuara mësohet se përfaqësuesi i OKB-së për Sirinë Mistura po diskuton me palët disa formula mes tranzicionit politik të parashikuar në vendimin e KS-OKB-së dhe këresave të Rusisë dhe Iranit.
Në qendrën e propozimeve të Mistura-s qëndrojnë tranzicioni i qeverisë, përgatitja e kushtetutës dhe vendosja në funksion të njëkohshëm të tre komisioneve të ndara të zgjedhjeve.
Por në këtë situatë projekt-kushtetuta, nuk do të përgatitet nga qeveria e tranzicionit ashtu sikur parashikohet në vendimin e KS-OKB-së.
Negociatat e para të Gjenevës u mbajtën më 30 qershor 2012, ndërsa Gjenevë-2 nisi më 22 janar 2014, por kishte mbetur pa rezultat. Bisedimet e nisura për të tretën herë më 29 janar 2016 përfunduan për shkak se regjimi vendosi nën rrethim Halepin.
Me arritjen e suksesit në pakësimin e dhunës së luftës me armëpushimin e arritur nën garantimin e Turqisë dhe Rusisë më 30 dhjetor 2016, komuniteti ndërkombëtar u dakordësua për rifillimin e negociatave politike në Gjenevë.