OKB (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka mbajtur një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës Kombeve të Bashkuara, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalimit të tij Presidenti Erdoğan është shprehur: “Qindra fëmijë, të rinj, gra dhe të moshuar vazhdojnë të vriten në Irak, Siri dhe vende të tjera të ngjashme të cilat janë nën kthetrat e terrorit dhe të luftës. Refugjatët të cilët ikin nga lufta, vdekja dhe padrejtësia, përballen në Evropë me një sjellje të pahijshme dhe poshtëruese. Organizatat terroriste si DAESH, El Nusra dhe PYD/YPG vazhdojnë aktivitetin e tyre terrorist në rajon. Gjendja në Kaukaz përbën një rrezik të kthimit në një luftë të armatosur. Shumë probleme na presin në Jemen, Ukrainë etj. Shumë njerëz në vende të tjera të botës janë përballë problemit të urisë, sëmundjeve të përhapshme dhe paditurisë. Kjo tablo është turpëruese dhe vret ndërgjegjen e njeriut. Ajo që është edhe me e keqe është se në shumicën e rasteve mund të dilet nga kriza lehtësisht. E ardhmja e brezave, siguria dhe mirëqenia e tyre është në duart e vendimeve dhe masave që ne do të marrim sot.”
Turqia deri më tani ka harxhuar 25 miliardë dollarë, tha Presidenti Erdoğan dhe në vijim të fjalës së tij u shpreh: “Po nga bota çfarë na erdhi neve? Deri më tani nga çatia e institucionit ku ndodhemi, OKB-ja, na ka ardhur një shumë prej 525 milionë dollarë. Po tjetër? Tjetër gjë nuk ka ardhur. Po nga BE-ja ka ndonjë gjë? Për fat të keq BE-ja nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë. Shuma që i kanë dërguar UNICEF-it është 178 milionë dollarë, por asnjë pjesë e saj nuk erdhi tek ne. Ne që në fillim të këtij problemi, kemi operuar të vetëdijshëm se është një problem i gjithë njerëzimit dhe në koordinim dhe bashkëpunim me aktorët rajonal dhe global. Nuk mund të qëndronim pa nxjerrë asnjë zë ndërkohë që populli fqinj dhe vëlla i Sirisë përjetonte një katastrofë dhe nuk qëndruam.”
“Dhe sa do të lejojë OKB”
Ndërsa në lidhje me gjendjen në Siri, Presidenti Erdoğan është shprehur: “Armëpushimi për të cilin punuam shumë, për fat të keq nuk erdhi në gjendje të qëndrueshme. Ashtu sikurse e patë armëpushimi u prish dhe ditën e djeshme u sulmua edhe autokolona e ndihmave e OKB-së. Si pasojë e këtij sulmi, pati humbje jete dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur. Regjimi i Asadit nuk lejoi që ndihmat të shkonin në Halep, atje ku njerëzit kanë nevojë për ndihma humanitare. Madje sulmon edhe autokolonat e ndihmave. Duke i burgosur ata me uri regjimi i thotë popullit të tij ‘ose dorëzohu, ose vdis’. Po OKB dhe KS i OKB dhe sa do të lejojë një gjë të tillë.”
“E gjithë çështja është se Siria është e sirianëve”
Duke theksuar se Turqia asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk ka pretendime në Siri Presidenti Erdoğan tha: “E gjithë çështja është se Siria është e sirianëve. Askush nuk duhet të pretendojë territor në Siri. ‘Mburoja e Eufratit’ që nisi për të mbështetur opozitarët sirianë, nisi për të sjellë siguri, stabilitet dhe shpresë, në një zonë të pashpresë dhe ku pasiguria ishte në krye të çdo gjëje. Pamë hapur se synimi i organizatës terroriste PKK, PYD nuk ishte lufta kundër DAESH-it. Në këtë mënyrë grupet opozitare të moderuara morën ndihmën e duhur. Madje ky veprim ka nxitur edhe popullatën vendase në Irak për shpëtimin e Musullit.”
“Duhet të punojmë së bashku për zonën e sigurisë ku fluturimet të jenë të ndaluara”
Duke theksuar se popullata vendase pas “Mburojës së Eufratit” ka nisur të kthehet në Jerabulus, Presidenti Erdoğan tha: “Menjëherë nisëm nga puna për të dërguar energji elektrike dhe ujë të pijshëm në zonë. Institucione të ndihmës humanitare janë duke punuar në vend për nevojat e qytetarëve atje. Në këtë rajon planifikojmë të ngremë një zonë të përshtatshme ku refugjatët mund të rrinë brenda vendit të tyre. Për këtë duhet të punojmë së bashku për ngritjen e një zone sigurie ku fluturimet të jenë të ndaluara.”
“Fjala e dhënë nga Bashkimi Evropian nuk u realizua”
“Jemi duke punuar në bashkëpunim me BE-në në lidhje me krizën e refugjatëve. Me anët të një marrëveshjeje kalimin e paligjshëm të refugjatëve që në tetor të 2015-ës ishte rreth 7 mijë në ditë, e ulëm deri në 50 në ditë”, tha Erdoğan dhe më pas shtoi: “Kjo tablo tregon që Turqia kë çuar në vend fjalën e dhënë ndaj BE-së. Fjala e dhënë nga BE-ja në marrëveshjen e arritur më 18 mars 2016 pothuajse u harrua. Jemi të shqetësuar përballë nxjerrjes së preteksteve të pashpjegueshme.”
“FETÖ është kërcënim për gjithë botën”
Presidenti Erdoğan ndër të tjera tha: “Nuk duhet të harrojmë që tentativa për grusht shteti në Turqi, ishte në të njëjtën kohë ndaj të gjithë demokracisë në të gjithë botën. Kur populli jonë atë natë i dha një mësim të mirë të pasionuarve ndaj grushtit të shtetit, në të njëjtën kohë u bë një burim shprese edhe për shumë popuj në botë të cilët besojnë në demokraci. Kjo organizatë terroriste e kohërave moderne nuk është një kërcenim vetëm për Turqinë, por edhe për 170 vendet në të cilat operon. Me pak fjalë ajo është një kërcënim për shumë vende të cilat përfaqësohen sot këtu. Kjo organizatë është në përpjekje për të marrë nën kontroll të gjithë botën në kuadër të mendimeve të veta brenda një perversioni mendor.”
Duke theksuar se strategjia e kësaj organizate është operimi dhe përhapja e saj në institucionet shtetërore duke u fshehur nën petkun e arsimit, dialogut, humanizmit dhe shoqërisë civile, Presidenti Erdoğan në vijim shtoi: “Nga kjo foltore, iu bëj thirrje të gjithë miqve tanë që të hedhin hapat e nevojshëm në mënyrë të shpejtë, kundër organizatës terroriste Fetullahçı (FETÖ). Duke u nisur nga përvoja jonë themi që nëse nuk luftoni tani kundër tyre, nesër do të jetë shumë vonë. Në këtë kontekst unë dua të shpreh se emrat e shkollave të tyre të emërtuar me shtesat ‘Turk’ apo ‘Türkiye’ nuk kanë të bëjnë me ne.”
“Krenohem me popullin tim”
Duke theksuar se organizatat terroriste ditët e sotme ndjekin shumë rrugë për të arritur qëllimet e tyre Presidenti Erdığan në vijim duke rikujtuar se kanë qenë përballë një tentative për grusht shteti më 15 korrik nga organizata terroriste FETÖ tha: “Tanket shtypën njerëz nëpër rrugë. Helikopterët dhe mjetet ushtarake hapën zjarr mbi civilët. Kjo tentativë për grusht shteti, ndaj demokracisë, vullnetit të sovranit dhe kushtetutës, u pengua nga populli trim. Në këtë kontekst krenohem me popullin tim. Krenohem sepse i dolën për zot demokracisë. Krenohem pasi 29 ditë me radhë kanë qëndruar në sheshe për ti dalë për zot demokracisë. Krenohem me atë popull të cilët duke e shumëzuar veten me zero dolën përpara tankeve për të mbrojtur demokracinë.”