Rexhepi shkarkoi këshilltarin dhe dy zyrtarë të MPB-së

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka marrë vendim për shkarkimin e Sedat Gashit nga pozita e këshilltarit politik të MPB-së dhe pezullimin nga puna me pagesë, të Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj dhe drejtorin e Departamentit për Prodhim të Dokumenteve, Besnik Berisha.
Në një kumtesë të lëshuar nga MPB, thuhet se vendimet janë marrë në mbështetje të Nenit 145 (pika2) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh nenet 4, 21, 22 të ligjit nr. 03/L-189 për administratën shtetërore të Republikës së Kosovës, (Gazeta Zyrtare, nr. 82,21 tetor 2010), si dhe duke u bazuar në Nenin 8 (paragrafi 1.4), shtojcën 3, të Rregullores nr.02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrave (22.03.2011) dhe Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës Nr.03/L-149 neni 75, Paragrafi 1.

Pezullimi i këshilltarit Gashi, është bërë për shkak të mos përmbushjes së detyrave dhe përgjegjësive si Këshilltarë Politik, ndërsa për zyrtarët, Camaj dhe Berisha për shkak të keqmenaxhimit dhe marrëdhënieve të këqija ndër njerëzore me stafin.

Procedurat e mëtejme për të lartpërmendurit do të zhvillohen në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, thuhet në njoftim.

Artikulli paraprakClinton: angazhimet e SHBA për sigurinë e Izraelit janë të forta
Artikulli vijuesNë Indi u ekzekutua "sulmuesi i Mumbait"