Rezultatet e para të referendumit në Egjipt

Në publikimin e rezultateve të para të referendumit për kushtetutën e re në Egjipt, autoritetet egjiptiane kanë deklaruar se pjesëmarrja ka qenë e lartë, ndërkohë që burimet e pavarura janë shprehur se pjesëmarrja e votuesve të kushtetutës ka qenë shumë e ulët. Procesi i votimeve ka shënuar 11 viktima dhe me qindra të arrestuar dhe është shoqëruar me demonstrata në disa prefektura të vendit.

Autoritetet egjiptiane kanë pohuar se pjesëmarrja në votime ishte mbi 50% dhe se shumica e tyre më e madhe, kanë votuar pro kushtetutës së re të vendit. Ministria e brendshme ka deklaruar se 93.6% e votuesve kanë votuar pro, ndërkohë që 3.7% e tyre kundër.
Por, qendra egjiptiane për studime, media dhe mendimin e lirë, ka deklaruar se në nivel republike, pjesëmarrja në votime ditën e parë të referendumit, ishte vetëm 11%.
Referendumi në Egjipt nuk ka munguar në shtypin botëror, ku gazeta britanike The Times, ka shkruar një artikull të plotë me titullin “Votimi për gjeneralët”. Ajo e sheh këtë referendum si një test kredibiliteti për Sisin, i cili sipas zërave të brendshme pritet të hedhë kandidaturën për president të vendit.
Gazeta franceze Liberacion, në artikullin “Referendum për kreun e ushtrisë” thotë se ky referendum, më shumë se për kushtetutën, është për popullaritetin e gjeneral Sisit.
Gazeta Le Figaro, shprehet se referendumi për kushtetutën në Egjipt, i shërben regjimit të vjetër të Mubarakut.
Në shtypin amerikan, gazeta Christian Science Monitor, thotë se egjiptianët votuan “pro” kushtetutës, por për çfarë kanë rënë dakord? Shkruesi i artikullit thotë se votimi pro kushtetutës së re, është votim pro ushtrisë.
Gazeta Los Angelos, mendon se ky ishte një referendum i paqartë për kushtetutën e re, pasi më shumë se për kushtetutën, ai shërben për të fituar një mbështetje popullore nga ana e ushtrisë për rrëzimin e Mursit dhe forcimin e pushtetit të gjeneralëve. Ajo thotë se miratimi i kushtetutës nuk do të reflektohet në një agjendë ambicioze përderisa do të forcojë pozitat e ushtrisë.
Gazeta ruse Isvesta, shprehet se me miratimin e kushtetutës së re, ushtria fiton pavarësi ekonomike të plotë. Tashmë ajo do të menaxhojë një pjesë të turizmit, naftës dhe disa burimeve të tjera fitimprurëse. /aonline/kohaislame

Artikulli paraprakArrestohen 7 persona për ‘trafikim me njerëz’
Artikulli vijuesDonika Gërvalla inkriminon Qeverinë aktuale dhe Haradinajn