Donika Gërvalla inkriminon Qeverinë aktuale dhe Haradinajn

0
120

Donika Gërvalla, e bija e poetit dhe atdhetarit të njohur Jusuf Gërvalla, i cili u vra mizorisht më 17 janar të vitit 1982, në Untergruppenbach të Shtutgartit në Gjermani, së bashku me vëllain e tij Bardhoshin dhe aktivistin tjetër Kadri Zeka, deklaron se shteti gjerman nuk i ka ndërprerë hetimet për këtë rast.
Në emisionin Rubikon të KTV-së, të gazetarit Adriatik Kelmendi, duke mos përmendur emrat, ajo deklaron se në dosjen e hetimeve përkitazi me atentatin e para 32 viteve në Gjermani, ka edhe emra të Qeverisë aktuale.

Vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës është aktualizuar kohëve të fundit me shumë akuza dhe kundërakuza që janë aktualizuar nga njëri prej themeluesve të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Ibrahim Kelmendi. Ky i fundit, përmes një libri dhe disa intervistave ka ngritur gishtin e akuzës për këtë vrasje të trefishtë drejt një tjetër aktivisti të asaj kohe në diasporë, Riza Salihut. Kundër Riza Salihut është deklaruar edhe Hysen Gega, ish i burgosur politik, i cili thotë se Salihu ka agjituar kundër Gërvallajve. Ai madje ka thënë se Salihu i kishte ofruar revolen që të vriste Jusuf Gërvallën.

Ndaj këtyre deklaratave kishte reaguar para dy vitesh Donika Gërvalla në emisionin “Press-ing” të KTV-së, ku për Salihun thotë se është tinëzar, ndërsa Kelmendi me gënjeshtra.

Atentati në Shtutgart është një enigmë që për kohë të gjatë është pjesë e debateve. Se gisht në këtë vrasje mund të kishte ndonjë shqiptar, dyshime ka patur edhe i ndjeri Jusuf Gërvalla, për të cilin thuhet se në spital, në prag të vdekjes kishte thënë: “Nëse vrasësi është shqiptar, mos u zbuloftë kurrë”.

Në Rubikon, sot Gërvalla tha se shteti gjerman është duke i vazhduar hetimet.

“Emrat e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës janë pjesë e dosjes”, ka thënë ajo, duke shtuar se vrasja është kryer nga profesionistët e UDB-së (Sigurimi i Brendshëm Shtetëror i ish-Jugosllavisë).

Në këtë intervistë Donika Gërvalla ka kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës që e ka sjell Kosovën në nivelin e shteteve afrikane.

“Qeveria e Kosovës i ka dyert e mbyllura në Gjermani”, ka deklaruar Donika, që jeton në Gjermani. “Qeveria që udheheq Kosovën është partner i papranueshëm për BE-në. Qeveria gjermane është e zhgënjyer. Gjermania nuk ka lëshuar pe ndaj Serbisë, por të jeni të qartë se gjermanët nuk do të lëshojnë pe as ndaj korrupsionit e krimit në Kosovë”.

Sipas saj, LDK ka potencial elektoral të fitojë zgjedhjet dhe të zëvendësojë partinë në pushtet.

“Vendi ka nevojë për ndryshim. A do të jetë në gjendje LDK të bind qytetarët se është alternativa më e mirë në vend, mbetet përgjegjësi e udhëheqësve të LDK-së që të përgatitet dhe të ofrojë zgjidhje, që të jetë alternativë për ndryshim”, thotë ajo duke shtuar se LDK nuk është zgjidhja ideale, por e keqja më e vogël.

Ndërkaq, për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ajo thotë se ai është i ri në moshë, por një ideolog të vjetër gjuha të cilit ia kujton gjuhën e regjimit komunist të Shqipërisë, ku Donika kishte jetuar pas vrasjes së të atit të tij, e ku ishte edhe pjesë e lëvizjes studentore që rrëzon diktaturën komuniste.

Ajo kritikon edhe liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn, e akuzon për shantazhe, haraç dhe dhunë fizike në Rajonin e Dukagjinit.

Në Rubikon, Donika Gërvalla akuzon AAK-në. Sipas Ramush Haradinaj dhe njerëz të tij e kanë kriminalizuar Dukagjinin, ku kanë udhëhequr pothuajse prej pasluftës.

“Ramush Haradinaj është kriminel ordiner i pasluftës”, ka thënë ajo.

/Telegrafi/