Risitë e “iPhone 5”

Më në fund “Apple” zbuloi smartfonin e shumëpritur, të ashtuquajturin “iPhone 5”.

Gjigandi amerikan as këtë herë nuk zhgënjeu pritshmëritë. Gjëja e parë që të bie në sy te ky telefon inteligjent është madhësia e ekranit.

”iPhone 5” ka një rezolucion 326 piksel për inc, që mbetet një ekran retina më i madh se versionet e mëparshme.
Ekrani ka një raport 16:9 dhe e ka shtuar gjatësinë e përgjithshme të telefonit, por gjithashtu lejon edhe një total prej gjashtë rreshtash aplikacione në ekran.

Që do të thotë pesë rreshta në faqe së bashku me një rresht të vetëm permanent në fund të ekranit.

Aplikacionet e projektuara për “iPhone”-ët e mëparshëm nuk krahasohen me ekranin e ri, ato kanë shufra të zeza në të dy fundet e ekranit.

Telefoni, që thuhet se është krejtësisht prej xhami dhe alumini, është gjithashtu edhe më i hollë në tërësinë e tij. Është vetëm 7.6 mm ose 18% më i hollë se “iPhone 4S”-ja.

Pesha është 112 gramë ose 20% më i lehtë se 4S. Duket se ky product ka mahnitur edhe vetë kompaninë “Apple”, ku zv.presidenti i marketingut, Phil Schiller, tha se ky është produkti më i bukur që “Apple” ka prodhuar ndonjë herë.

”iPhone 5” është gjithashtu telefoni i parë 4G LTE i kompanisë amerikane. Celulari inteligjent do të jetë kompakt me rrjetet LTE me shpejtësi të lartë të internetit.

Për momentin këtë shërbim e ofrojnë kompanitë “AT&T”, “Verizon” dhe “Sprint”, në SHBA dhe rrjetet e tjera globale si: “Virgin” në Kanada, “Singtel” dhe “Telstra” në Australi, dhe “Deutsche Telekom” në Europë.

Modeli i ri përfshin gjithashtu Wireless ultra të shpejtë, i cili ndërthur Wi-Fi 5GHz, duke i dhënë “iPhone 5”-ës më tepër internet me bandë të gjerë. Një procesor i ri, “Apple A6”, vë në punë këtë “iPhone”.

”Apple” thotë se është dy herë më i shpejtë se paradhësi i tij dhe 22% më i vogël. Edhe kamera e “iPhone”-it ka pësuar një përmirësim. Ende ka një sensor tetë megapiksel, por është 25% më i vogël dhe është rritur ndjeshmëria ndaj dritës.

Gjendja dinamike me dritë të ulët pretendon të nxjerrë foto më të mira pa përdorur flash-in dhe opsionet e tjera si ulja e zhurmës dhe filtrimi inteligjent për të rritur cilësinë e imazhit.

”Apple” thotë se kamera do t’i nxjerrë fotografitë 40% më shpejt. Është për t’u përmendur fakti se aparati i ri ka edhe një gjendje panoramike të përshtatur për nxjerrjen e fotove të gjera masive.

”iPhone”-i i ri përfshin zhvillime të reja edhe në telefonatat me zë. Tani ai është i pajisuar me tre mikrofonë të ndarë – para, në fund dhe mbrapa. Edhe sistemi operativ ka pësuar ndryshim. iOS 6 është programi i ri me të cilin do të funksionojë “”iPhone 5”.

Këto janë vetëm disa nga risitë e “iPhone 5”, duhet pritur data 21 shtator kur të fillojnë shitjet për të parë se si do e presin përdoruesit. Parashikimet janë më shumë se optimiste. Sipas shumë analistëve “Apple” do të shesë 10 milionë njësi brenda tre javëve të para.

Webmasteri i “TCH” shpjegon risitë

””iPhone” është një mjet që na ka lehtësuar jetën, sidomos ne që meremi me këtë fushë dhe e kemi gjithmonë me vete për mirë ose keq. Për çdo emergjencë, me një “iPhone” ke një zgjidhje gjithmonë në xhep”, u shpreh Gjelishti. Sipas tij, me 243 milionë produkte të “Apple” në të gjithë botën, “”iPhone” është shndërruar në një një stil jetese. “Apple” po përcakton mënyrën se si ne jetojmë, kontaktojmë me teknologji, me botën virtuale, ndaj produkti i ri nuk është vetëm një ngjarje teknologjik. Prezantimi i një produkti të “Apple” është marketing në përmasa të pafundme, është një ngjarje e ideuar deri në detaje. Ndonëse na mungon pamja e shkujdesur e Steve Jobs, ai ka lënë pas vetes një trashëgimi të jashtëzakonshme që do të zgjasë për shumë kohë në treg”.

Duke u ndalur tek ndryshimet konkrete të modelit të ri të prezantuar nga “Apple” të “smartphone”, Gjelishti theksoi se “Pamja ndryshon shumë pak. Më e rëndësishmja është se ky “iPhone” do të jetë dy herë më i shpejtë dhe për ata që e duan për punë kjo është shumë e rëndësishme. Kamera është bërë më e ndjeshme ndaj dritës, cilësia e fotove është përmirësuar, mikroni i tretë shton cilësinë e zërit, duke rritur edhe më shumë cilësinë e telefonatave dhe sidomos lidhjeve nëpërmjet programeve si “Skype”. Telefoni është më i madh dhe në përmasa dhe rezolucion, Retina display konsiderohet si rezulucioni më i lartë që sheh syri i njeriut dhe gjysmë inchi diferencë në përmasa, nuk është se sjell ndonjë ndryshim të madh në vetvete”.

Megjithatë, mbetet interesant fakti se përse “Apple” vendosi që këtë herë të prezantojë një “smartphone” më të madh se “iPhone” paraardhës. “Një ndryshim i tillë ka ardhur si një imponim tregu, i bërë nga Samsung, i cili ka pasur një avantazh më të madh me ekranin më të madh. Duke qenë se përdoret për ëeb, sa më e madhe të jetë sipërfaqja, aq më mirë është”.

Dominanca e “Apple” dhe “Samsung” në tregun e “smartphone” tashmë është e dukshme, me këto dy kompani që ndajnë mbi 50% të tregut të përgjithshëm botëror. Por, si e sheh syri i një eksperti rivalitetin midis dy kompanive më të mëdha të planetit në këtë fushë. “Telefoni inteligjent është shumë më shumë se një telefon, siç ishte “Nokia”, dominuese e tregut deri në vitin 2007, nëpërmjet modeleve që përdoreshin për të folur, dërguar mesazhe dhe fare pak për të lundruar në internet. Sot telefoni është më shumë se aq, në një “iPhone” telefoni është një p
jesë fare e vogël. Ai shërben për të lundruar, akseson programe të pafundme dhe kjo është arma e fortë e “iPhone”. Ai është praktikisht një kompiuter në xhepat tanë dhe me aplikacionet e tij ofron avantazhe të pafundme. Përsa i përket konkurrencës, “Samsung” mund të bëjë aparatë shumë të mirë, por “iPhone” ka ditur deri më sot të sërvirë produktet e tij duke dëgjuar publikun dhe kjo e bën të ketë një sukses i cili është i vështirë të barazohet”, u shpreh Gjelishti.

Së fundmi, të dhënat e publikuara nga agjensia e specializuar “J.P. Morgan” mbi rritjen ekonomike kanë treguar se dalja në treg e “iPhone 5” mund të ndikojë në stimulimin e rritjes së ekonomisë amerikane. “Besoj se parashikimi është realist, duke parë radhët e pafundme të personave përpara dyqaneve. “Apple” është një ndër kompanitë më të mëdha në SHBA dhe si e tillë ka në dorë të ndikojë në parametrat ekonomikë të vetë shtetit”./tch/kohaislame

Artikulli paraprakLibi, arrestime për sulmin mbi ambasadën
Artikulli vijuesVdesin 19 çekë që konsumuan alkool të përzier me metanol