Ditët e pranverës asaj ia ngrijnë shpirtin. Sa herë vjen muaji maj, gruas së përvuajtur i shtohet edhe më shumë dhimbja. Sikur të kishte ndodhur dje, ajo e ka të freskët ditën kur trupi i saj u përdor me dhunë nga paramilitarët serb.
Gati sa nuk u çmend atë ditë pranvere, kur me forcë, duke u tallur me të, e shndërruan në një objekt kënaqësie. Është vetëm një nga shumë femra që ishin viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. E vrarë në shpirt, me sy të përlotur, kjo grua, mjaftë e shtyrë në moshë, rrëfen për KosovaPress ankthin të cilin e përjetoj majin e vitit 1999. Sot, ajo jeton në kushte tejet të vështira, e papunë dhe pa asnjë përkrahje nga shteti.
Gjithçka nisi pasi ajo më shumë familjarë të saj u stacionuan në një shtëpi, për të mos rënë në duart e forcave serbe. Fatkeqësisht, ajo shtëpi nuk ishte strehimi e mbrojtja e saj. Aty për së gjalli e gjeti ferrin.
Pas 15 minutave që ishin vendosur në atë shtëpi, forcat serbe kishin hyrë me dhunë duke i kërcënuar me vrasje, gra, pleq e fëmijë.
“Ma ka ngjit mbas qafe, e për xhemperi që e kam pas më ka shty përpara e më ka qit në tjetrën dhomë. E ka thirr edhe një tjetër, i tha hajde edhe ti, ai i tha ‘jo, kam punë me këta këndej’. Dhe më ka nda e më ka dërgua në tjetrën dhomë, vetëm një muri në mes e kemi pas… Edhe kom shku në atë dhomë, nuk e kom ditë se çka do të ndodhë me mua”, thotë ajo..
Sytë e saj ishin të fokusuar tek thikat e mprehta të paramilitarëve, e mendja i shkonte tek masakra që mendonte se do të mund t’ia bënin. Ajo nuk e kishte menduar dhunimin.
“Edhe më ka thënë, hajde, zhveshi teshat. Unë e kam ditë aty për aty që do të më masakrojë, mua, se për ata i nijsha… Unë për veti nuk mujsha me ia marrë vesh fjalën, se çka po më thotë, edhe i preku teshat e veta. Hiqe këtë, hiqe këtë, edhe i heka qysh më tha. Midis dhomës në këmbë isha mbet. Edhe aty e ditsha që ky do të më masakroj sikur qysh i kanë masakru të gjithë”, thotë ajo.
Duke iu dridhur zëri e duke i lotuar sytë, ajo mundohet të përshkruajë minutat kur u keqtrajtua fizikisht.
“Ish kanë një krevat aty, më tha ulu në krevat…dhe u ula ashtu qysh më ka bërë nëna. Kur u ula aty tha jo, unë pritsha që po më masakron…dhe ka fillu me më dhunu….edhe aty e di që kam bërtit, thash çka donë me më ba kështu, aq që më ka ardhë diqysh. Dhunimin ma ka bërë në gojë….tani ka filluar edhe në tjera forma. Edhe më ka thënë qu vishu, edhe më ka shajt”, thotë ajo.
Trupi i saj rrëqethët sa herë përpara saj dalin ato skena trishtuese.
“Maltretimet kanë zgjatë shumë…dikur u bëra një, u çmenda….Edhe kam dalë shpejtë e shpejtë, nuk e di as vet qysh, a jam veshë a nuk jam veshë, do mbarë do mbrapsht, kam shku prapë te fëmijët, ishin kanë fëmija duke qajt”, thotë ajo.
Viktima e dhunës seksuale gjatë luftës, ndjehet e braktisur nga shteti. Ajo sa herë dëgjon të përmenden serbët, kujtimet i kthehen aq të freskëta, sikur të ishin duke i ndodhur tani.
“Tash kur përmenden shkijet, edhe lufta, edhe krismat, menjëherë më kujtohet ai rast edhe kurrsesi nuk mund ta heq, edhe kurrë s’kam me hek sa të jem gjallë… Shumë na kanë zgjatë, ne të parët kemi qenë që me e krye këtë bisedë, për me hekë këtë fjalë prej goje, neve më herët është dashtë me na kap përpara edhe me na kqyrë, me na i dhanë të drejtat që na takojnë…”.
“..që kur po jua përmendi emrin po më doket që sot i kam këtu”, thotë ajo.
Ajo thotë se diskutimi për të drejtat e tyre është i vonuar. Nëse do të ishte më herët, ajo edhe do të kishte arritur t’i njoh ata dy paramilitarë që pranverën e 99-ës ia shndërruan jetën në ferr.
“Me pas kanë më herët i kisha njoftë, dytë i kisha njoftë….ma kish dhanë Zoti fuqinë me pa shkaun përpara, e ku me ditë çka i kisha ba. Më duket që me fuqinë e Allahut, qysh më ka shti ai thikë në zemër edhe unë ia kisha ba, bile pa frikë hiç”, thotë ajo.
Pasojat që lufta la në këtë grua janë tejet të mëdha. Ajo ka nevojë për mjekim. Ka nevojë edhe për ndihmë financiare.
“Kemi nevojë për mjekim, për ilaçe, për gjithçka,. Duhet me lanë kafshatën e gojës, ilaçet s’ki qare pa i ble, për asgjë nuk janë të interesuar për ne. Duhet me i dallua do njerëz, duhet me i dallua të burgosurit, duhet me i dallua gratë e dhunuara, invalidët. Këtu është duke shkuar paralel me atë që është i shëndoshë dhe i gjen vetës idare”, thotë në rrëfimin e saj për KosovaPress, e dhunuara e luftës së fundit në Kosovë, e cila për shkak të problemeve me rrethin e qytetin, nuk guxon as inicialet ti publikojë.
Në Kosovë janë rreth 20 mijë femra që ishin viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.
Në Qendrën Rehabilituese për të Mbijetuarit e Torturës, aktualisht janë 100 gra që trajtohen. Ka nga ato që e kanë marrë vetën dhe nuk janë pjesë e qendrës më. Ka të tilla edhe që kanë vdekur. Tortura në mendjen e tyre nuk i ka lënë të jetojnë. E fatkeqësisht ka edhe nga ato që ende nuk marrin guxim t’i drejtohen ndonjë shoqate për të rrëfyer atë që iu ka ndodhur. Ato iu kanë betuar familjes se historia e tyre nuk do të dalë asnjëherë në opinion. Krejt kjo për shkak të paragjykimeve që vazhdojnë të behën në shoqërinë kosovare sa i përket kësaj kategorie.
Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, thotë për KosovaPress, se ndihmat që u janë bërë kësaj kategorie të njerëzve kanë qenë shumë sipërfaqësore.
“Prej 99-ës e deri në vitin 2014 mund të themi lirshëm, ka qenë vetëm shoqëria civile, e cila përmes programeve, projekteve parciale, është munduar me iu ardhë në ndihmë këtyre kategorive….fatkeqësisht shteti është menduar për to vetëm pas disa kampanjave, lëvizjeve të shoqërisë civile, do të thotë ka qenë organizata jonë,rrjeti I grave dhe organizatat tjera që e kanë prekë si çështje kur është dashtë fillimisht të hapet si çështje në parlament, pastaj ju e dini se edhe në dëgjimin e parë ky ligj, mënyrën se si është trajtuar prej disa anëtarëve të parlamentit, ka qenë shumë fyes, denigrues, diskriminues edhe mund të them lirisht se ka pas ndikim shumë negative tek gratë”, thotë ajo.
Ajo tregon se shumë prej këtyre viktimave jetojnë në kushte tejet të vështira. Madje shumë prej tyre nuk kanë para të mbulojnë as shpenzimet mjekësore.
Dhunimi i femrave në Kosovë gjatë luftës së fundit llogaritet shkelje e të drejtës ndërkombëtare humanitare. Në muajin korrik të vitit 2014, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri nisi një fushatë për të kërkuar drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Ajo inicioj një peticion që arriti 115 mijënënshkrime, për ta dërguar më pas në zyrën e sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Tahiri, kërkonte nga OKB-ja që edhe Kosova të përfshihej në raportin e tyre të bëra për gratë e dhunuara gjatë luftërave në të gjithë botën.
Ajo synonte që përmes këtij peticioni të arrijë të sjellë para drejtësisë ndërkombëtare të gjithë kryesit e këtyre veprave gjenocidale. Gjithashtu, e shihte mundësinë e formimit të një Gjykate për Serbinë, për të dënuar kryesit e këtyre veprave.
Edita Tahiri tregon për KosovaPress, se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga zyra e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.
“Pasi ne kemi komunikuar rezultatet, kemi përgatitur planin statistikor me të gjithë dokumentacionin, i kemi shkruar OKB-së, i kemi shkruar zyrës së përfaqësueses së lartë për këtë çështje, zonjës Bangura, dhe sot e kësa
j dite ende nuk kemi marrë përgjigje”, thotë Tahiri.
Ajo tregon se kanë planifikuar që nëse shpejt nuk marrin ndonjë përgjigje, do t’i shkruajnë përsëri. E nëse prapë nuk marrin përgjigje, pritet që të nisin një lobim diplomatik për të vetëdijesuar vet OKB-në për këtë çështje.
“Në qoftë se nuk do të kemi përgjigje, atëherë do të bëjmë një konferencë për media, ku dëshirojmë të japim mesazhin tonë, se ky takim duhet të ndodhë dhe OKB-ja duhet të jetë e gatshme për këtë peticion dhe e gatshme që të angazhohet për të bërë një raport për Kosovën për çështjen e grave të dhunuara gjatë luftës, ashtu siç e ka bërë për shumë vende në botë…..jam e bindur se do të vjen përgjigja, do të shkojmë do ta dorëzojmë. Dhe, në qoftë se do të vonohet ne do të nisim një lobizim diplomatik për të vetëdijesuar vet OKB-në por edhe për të njoftuar qartë se OKB ende nuk e merr parasysh këtë tragjedi gjenocidale të Kosovës. ”, thotë ajo.
Tahiri është e bindur se OKB-ja nuk mund t’i mbajë dyert e mbyllura ndaj kësaj kërkese. Siç thotë ajo, OKB është organizata kryesore ndërkombëtare e cila është zbatuese e ligjeve ndërkombëtare, andaj edhe do të përgjigjen.
Çështja e femrave të dhunuara nuk trajtohet siç duhet në shumë vende të botës. Për këtë edhe organizohen fushata të ndryshme nga shumë personalitete të botës, me qëllim të vetëdijesimit të institucioneve shtetërore dhe shoqërisë në përgjithësi.
KosovaPress ka marrë rrëfimet e shumë prej viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Dalja e tyre në publik për të rrëfyer të kaluarën e hidhur ende paraqet një “veprim të turpshëm”. Ka nga ato që u keqtrajtuan disa herë radhazi. Ka që iu shërbyen një grupi të tërë paramilitarësh. E disa u keqtrajtuan seksualisht në praninë e prindërve dhe të gjithë familjes. Shumë prej tyre sot luftojnë për ekzistencë. Janë pothuajse të braktisura nga të gjithë.