Mossack Fonesca është një nga kompanitë më sekrete në botë, shërbimet ligjore të së cilës i përdorin pasanikët për të shmangur pagimin e tatimit apo për të larë paratë. Por, ja që rrodhën 11 milionë dokumente të klasifikuara që ekspozojnë kompaninë dhe përshkruajnë 40 vitet e aktivitetit të saj të paligjshëm, raporton BBC, transmeton Telegrafi.
Dokumentet tregojnë lidhjet me 72 udhëheqësit e tashëm ose të dikurshëm botëror, disa nga të cilët janë akuzuar për plaçkitjen e popullit të tyre.
Dokumentet janë në posedim të gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung, por që i kanë ndarë me Shoqatën Ndërkombëtare të Gazetarëve Hulumtues (ICIJ), BBC, The Guardian dhe 107 organizata e media në 78 shtete.
Gerard Ryle, drejtor i ICSJ-së shpjegon se dokumentet mbulojnë operacionet e përditshme të kompanisë në 40 vitet e fundit.
“Dokumentet do të jenë goditja më e madhe e biznesit ‘offshore’”, thotë ai.
Dokumentet përmbajnë informacione në lidhje me kompanitë e fshehta të lidhura p.sh. me ish-presidentin egjiptian Hosni Mubarak, ish-udhëheqësin libian Muammar Gaddafi, apo presidentin aktual të Sirisë, Bashar al-Assad, transmeton Telegrafi.
Gjithashtu, dokumentet zbulojnë se si bankat ruse janë të lidhura me Vladimir Putinin të cilat nën sanksionet e BE-së dhe SHBA-ve – pas pushtimit të Krimesë – kanë larë miliarda dollarë. Paratë e bankave ruse janë drejtuar tek kompanitë “offshore”, disa nga të cilat ishin në pronësi të miqve më të mirë të Putinit, si violonçelisti Sergei Roldugin. Roldugin me këtë larje ka përfituar mbi 100 milionë dollarë.
Dokumentet gjithashtu tregojnë se si kryeministri islandez, Sigmundur Gunnlaugsson, ka fshehur miliona dollarë në bankat që Qeveria është dashur t’i shpëtoi. Fjala është për Qeverinë që e udhëhiqte ai. Ky person parat i ka fshehur nga publiku qëkur më 2007 hyri në Parlament.
Sipas gazetës gjermane, Süddeutsche Zeitung, në skandale përmendet edhe ish-shefi i UEFA-s, Michel Platini, madje edhe Lionel Messi.
Në këto dosje, 1500 herë më voluminoze se ato të Wikileaks, figurojnë emrat e 128 personaliteteve politike në mbarë botën dhe 29 prej 500 njerëzve më të pasur në botë (sipas klasifikimit të revistës Forbes).
Nga Mossack Fonseca thonë se kanë respektuar protokollet ndërkombëtare gjoja për t’u siguruar që të mos përdoren për larje parash, financim të terrorizmit dhe për qëllime të ngjashme të këqija.
“Ky nuk është vetëm zbulimi më i madh gazetaresk i shekullit, por edhe rrjedhja me e madhe e dokumenteve në botën e financës”, komentonte sot gazeta Le Monde.
Në ditët në vijim priten fakte tjera tronditëse.