Rruga e re: Partitë politike, nxitësit e tensioneve ndërfetare dhe ndëretnike

Situata aktuale në Shkup, me vendosjen e Shqiponjës në Fushë Topanë nga ana e Komunës së Çairit dhe vendimi për të ndërtuar një kryq gjigant në rrethrrotullimin në Butel nga ana e Komunës së Butelit, është tema e emisionit të sontshëm “Rruga e re” në TV Shenja. Mysafirët në këtë emision ishin të mendimit se me këto vepra është shkelur ligji, duke shtuar se një shtet ku nuk funksionon drejtësia është e keqja më e madhe.
Sipas drejtoreshës ekzekutive të Komitetit të Helsinkit, Urania Pirovska, ndërtimi i kryqeve dhe objekteve fetare, pa marrë paraprakisht leje nga qytetarët, është ofendim dhe diskriminim për qytetarët e Maqedonisë.

“Së pari, mendoj se e gjithë kjo filloi me ndërtimin e kryqit në vitin 2002, i cili është i gjatë, me sa di unë, 65 metra, flas për kryqin në Vodno, që për mua dhe mendoj se edhe për një pjesë të madhe të intelektualëve, paraqiste një lloj ofendimi, madje do të thoja edhe diskriminim ndaj bashkësive tjera etnike. Porosia që përçohet gjatë tërë kohës me ndërtimin e objekteve të ndryshëm fetarë, të mos gënjehemi, nëse flasim për të dy partitë, VMRO-ja kryeson me ndërtimin e këtyre objekteve. Domethënë, çfarë porosie përçojmë, se në Republikën e Maqedonisë feja krishtere është dominante, ndërsa meqë ra fjala, ne jetojmë në një shtet që deklarohet si multietnik, multikulturor dhe multireligjioz”, tha Pirovska.

Nga ana tjetër, prifti ortodoks, Ivica Todorov, vlerëson se e gjithë kjo situatë është krijuar për shkak të mos respektimit të Kushtetutës së RM-së.

“Ajo që po e shohim për momentin në realitetin tonë është vetëm pasojë serioze e shumë gjërave që nuk janë bërë si duhet gjatë kohë më parë, domethënë ne tani thjesht ballafaqohemi me pasoja, ndërsa unë tërë kohën them se problemi për gjithë këto gjëra që po ndodhin është mosrespektimi i ligjit të Republikës së Maqedonisë, nga më tepër aspekte, domethënë ka ligj në Republikën e Maqedonisë, ka ligj për flamuj, ligj për monumente dhe nëse nuk respektohet ai ligj, atëherë vie deri te këto problem”, deklaroi Todorov.

Sipas teologut Ismail Bardhi, asgjë nuk është rastësi. Ai për të sqaruar situatën në fjalë të shkurta, citoi proverbën popullore që thotë: Një budalla e hudh një gur në pus ndërsa njëqind të mençur nuk mund ta nxjerrin.

“Atje ku nuk funksionon arsyeja, nuk funksionon një shtet juridik, atëherë paraqiten anomaly të tilla. Është gabim I madh të bëhet, por nëse e involvon edhe fenë në këto problem të cilat t’i krijon dikush tjetër. Për momentin politika është çmend, sidomos në shtetet ballkanike, në shtetet e vogla”, tha professor Bardhi.

Gjatë debatit të sontshëm, Urania Pirovska, tha se është shkelur laiciteti i shtetit me ndërtimin e kryqeve , dhe me këtë Maqedonia vetëm juridikisht deklarohet si shtet laik, ndërsa faktikisht është krejt e kundërta e kësaj.

Artikulli paraprakHajdari: Strategjia e radhës e BDI-VMRO-së, rreth kryqit gjigand!
Artikulli vijuesArtan Grubi me ‘trenerka’ kundër “Kryqit të Ali Ahmetit” në Butel!