Rrugëtimi i Maqedonisë në NATO, premtim i parealizuar i BDI-së

Drejtë aderimit në NATO Maqedonisë po i shtohen edhe shumë barriera; kriza aktuale politike dhe mungesa e kohezionit ndëretnik. Edhe përkundër premtimeve të partive politike në pushtet, posaçërisht asaj shqiptare BDI, në secilën fushatë zgjedhore, aderimi në këtë aleancë mbetet vetëm aspiratë deklarative.

Tani, kuadri i BDI-së thotë që përpos tyre edhe opozita dhe shoqëria civile duhet të punojnë për antarësim në NATO.

“Pozicioni i Maqedonisë është rrugëtimi euro-atlantik. Pra, Maqedonia nuk ka alternativë tjetër në këtë drejtim, pavarësisht sfidave me të cilat ballafaqohet qeveria. Qeveria, opozita dhe shoqëria civile duhet të punojnë që të mos e largojnë Maqedoninë nga rrugëtimi që ka drejt NATO-s dhe Bashkimi Europian”, ka deklaruar edhe njëherë Bekim Maksuti, zv/ministër i mbrojtjes.

Megjithatë, veç kësaj në rrugëtimin drejt NATO-së mbetet barriera e quajtur “kontesti i emrit me Greqinë”, shkruan Portalb.mk. Kontesti daton mbi dy dekada dhe asnjë prosperim nuk është arritur që kur ka dal në pah problemi. Këtë për Portalb e vërteton edhe ish ministri i jashtëm Denko Maleski.

“Qysh para 25 viteve kur i parashtruam qëllimet tona në politikën e jashtme- BE dhe NATO, kuptuam se do të ballafaqohem me një problem e që është unionet krijohen që t’i mbrojnë interesat e anëtarëve të tyre dhe ashtu strukturohen, në atë mënyrë që është e nevojshme konsensus për kyçje të një anëtari të ri. Atë që unë e kuptova që atëherë, si ministër i parë i jashtëm, është se pa zgjidhje të problemit me një anëtare të unionit nuk mund të presim anëtarësim”, tha për Portalb Maleski.

Sipas tij, pas 25 viteve asgjë s’ka ndryshuar, në mënyrën e sjelljes së vendimeve, as në NATO as në BE.

“Kështu që, BE dhe NATO kanë të njëjtat standarde. Duhet patjetër që të zgjidhet problemi me emrin, sepse njëzëri vendoset për pranimin e anëtarëve të ri dhe unionet nuk do të prishen me vendet anëtare për pranimin e një anëtari të ri. Dhe kjo mbetet”, sqaroi për Portalb Maleski.

Edhe njohësi i çështjeve politike Ismet Ramadani vlerëson se Maqedonia pë zgjidhjen e problemit me emrin nuk ka gjasa për aderim në NATO.

“Unë mendoj që nuk ka gjasa pa zgjidhjen e çështjes së emrit, edhe në disa raste paraqiten teza që Maqedonia të anëtarësohet me IRJM, por ato gjasa janë shumë të vogla. Konsideroj qe duhet të tejkalohet kriza. Të kalojmë në një diplomaci aktive bashkë me SHBA, BE dhe miqtë tanë- shtete në NATO siç janë Bullgaria dhe Shqipëria. Por edhe Greqia më në fund të bindet se duhet të gjendet kompromis. Maqedonia nuk ka alternativë tjetër veç NATO-s dhe BE-së”, theksoi Ramadani.

Në pyetjen e Portalb: a mendoni se as Maqedonia nuk ka spikatur ndonjë vullnet publik për ta zgjidhur çështjen e emrit, Ramadani me përgjigje.

“Ne nuk kemi ndonjë deklarim të hapur nga strukturat udhëheqëse në Maqedoni se nuk duan të aderojnë në NATO. Mirëpo detyrat tona duhet t’i kryejmë. Nëse nuk i kryejmë punët tona, atëherë është shumë vështirë. Përveç çështjes së emrit, neve Samit pas Samiti, na shtohen detyra plus për faktin se ne kemi shënuar rënie në disa standarde që na janë parashtruar nga NATO, por edhe BE”. /Portalb

Artikulli paraprakAzem Syla me grupin dëmtoi 30 milionë euro Kosovën
Artikulli vijuesKosovë: E shpëtojnë macen e ngujuar në mur