Rusia thotë se është e gatshme për ta mbështetur Armatën e Lirë Siriane, në luftën e saj kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik.
Armata e Lirë Siriane është grup opozitar i mbështetur nga perëndimi, që lufton edhe kundër forcave të qeverisë së presidentit, Bashar al-Assad.
“Ne jemi të gatshëm, po ashtu, ta mbështesim opozitën patriotike, përfshirë të ashtuquajturën Ushtri e Lirë Siriane, nga ajri”, tha ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një intervistë të transmetuar sot në televizionin Rossiya 1.
Mëtutje, Lavrov ka theksuar se zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale duhet të jenë pjesë e çfarëdo zgjidhjeje politike të krizës së Sirisë.
Para dy ditësh, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Assadi, gjatë qëndrimit në Moskë, i kishte thënë se është i gatshëm të bisedoj me grupet e armatosura siriane, nëse ato janë të përkushtuara për dialog dhe për luftimin e militantëve të Shtetit Islamik.
Disa qeveri perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, i kanë kritikuar sulmet ajrore të Rusisë, duke thënë se në shënjestër të tyre janë kundërshtarët e zotit Assad, disa prej tyre të mbështetur nga perëndimi, dhe si rezultat është forcimi i militantëve të Shtetit Islamik.