Rusia po i afrohet Jemenit për të rifilluar "bashkëpunimin"

Gjatë bisedimeve me presidentin e Jemenit, Abd Rabbo Mansour Hadi, Kreu i qeverisë ruse shprehu shpresën në forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

“Ne shpresojmë gjithashtu se për sa i përket të gjitha çështjeve, për të cilat ka ekzistuar dhe ekziston dialogu produktiv, do të vazhdojnë ose do të krijohen të gjitha kontaktet e nevojshme, duke përfshirë këtu aktivitetet e kompanive si dhe bashkëpunimin në të gjitha aspektet, midis të cilave edhe bashkëpunimin tekniko-ushtarak dhe atë humanitar”, – deklaroi Dimitri Medvediev.

Nga ana e vet Presidenti i Jemenit e quajti vizitën e tij “vizitë mirënjohje” në adresë të Rusisë në lidhje me pozitën e saj në mbështetje të vendit të tij.

Rusia synon të rrisë ndjeshëm bashkëpunimin ekonomik me Jemenin. Fjalë mund të bëhet për realizimin e projekteve në shkallë të gjerë në sferat e energjisë elektrike, të naftës e gazit si dhe në fushën e bashkëpunimit tekniko-ushtarak. Të martën Presidenti i Federatës Ruse Vladimir Putin u takua në Moskë me homologun e tij jemenas Abd Rabbo Mansour Hadi dhe i siguroi atij mbështetjen e plotë nga ana e Rusisë.
Presidenti i Jemenit e vizitoi Rusinë gjashtë muaj para datës së shënuar – 85-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Në vitin 1928 pikërisht Jemeni u bë vendi i parë në Gadishullin Arabik, me të cilin Bashkimi Sovjetik nënshkroi Traktatin e Miqësisë dhe Tregtisë. Bashkëpunimi vazhdoi edhe në vitet kur Jemeni u nda për shkak të luftës civile, edhe pas bashkimit të tij në vitin 1990. Por sot ritmi i këtij partneriteti lënë shumë për të dëshiruar, pavarësisht madje dhe nga fakti se vetëm vitin e kaluar qarkullimi tregtar u rrit me më shumë se 1/3, deklaroi Vladimir Putin, duke pritur homologun e tij jemenas në rezidencën e vet në periferi të Moskës – Novo-Ogarjovo:
– Ne kemi marrëdhënie të zhvilluara mirë ekonomike. Për fat të keq volumi i përgjithshëm është disi i vogël, por ritmi i marrë gjatë vitit të kaluar nuk është i keq. U rrit me 43 për qind qarkullimi tregtar. Ka edhe shumë fusha të tjera me interes të ndërsjellë, të tilla si bashkëpunimi tekniko-ushtarak.

Por Rusia ka ndërmend të zhvillojë edhe projekte të tjera me Jemenin. Në bisedimet në Moskë u bë fjalë mbi partneritetin e mundshëm në sferën e energjisë elektrike, atë të naftës dhe gazit, në zhvillimin e infrastrukturës së transportit. Ekonomia e Jemenit, e cila deri në fund të viteve 2000 është zhvilluar me ritme të shpejta, madje impresionuese, aktualisht është në rënie. GDP-ja për frymë popullsie është shumë herë më e vogël se në vende të tjera jo fort të pasura të rajonit. Ngjarjet e “Pranverës arabe” dhe kriza politike që i pasoi ato e kanë përkeqësuar në mënyrë të ndjeshme situatën. Vendi u ndodh përsëri në prag të luftës civile. Dhe autoritetet e reja arritën për mrekulli të shmangin zhvillimin e mëtejshëm të situatës sipas një skenari të tillë. Jemeni sot ka nevojë për mbështetje dhe Rusia është e gatshme t’i japë ndihmë të gjithanshme atij për rimëkëmbjen, shëndoshjen e plotë, e siguroi Presidentin jemenas Abd Rabbo Mansour Hadi Kryetari i shtetit rus Vladimir Putin:

– Jemeni po përshkon aktualisht një rrugë të vështirë në zhvillimin e vet. Ne shpresojmë, zoti President, se Ju do të jeni në gjendje për të rivendosur paqen dhe rendin, për të krijuar kushtet e nevojshme për një zhvillim të qëndrueshëm. Kurse Rusia do të bëjë të gjithçka që varet prej saj për t’ju përkrahur Ju, me qëllim që të rritet standarti i jetesës së vendit miqësor për ne.

Kryetari i shtetit i Jemenit nga ana e tij vuri në dukje se Rusia ka dhënë një ndihmë të madhe për stabilizimin e situatës në vend. Në veçanti, “me përpjekje të përbashkëta” është arritur vendosja e dialogut të brendshëm midis elitave politike vendase, shmangia e përçarjes në radhët e ushtrisë dhe shërbimeve të inteligjencës, tha Abd Rabbo Mansour Hadi. Sipas fjalëve të tij, në qoftë në vend do të kishte shpërthyer lufta civile, atëhere oshëtima e saj në mënyrë të pashmangshme do të kishte përfshirë të gjithë rajonin.

Artikulli paraprakParalajmërimi i FMN-së për ekonominë botërore
Artikulli vijuesVajzat e reja dhe pagjumësia, qfarë rrezikojnë