Sa refugjatë dalin nga Maqedonia në Serbi, aq refugjatë Maqedonia do të lejoj të hynë nga Greqia. Ky vendim hyn në fuqi nga dita e sotme i cili u mor në seancën e djeshme të Komitetit drejtues, që është organi më i lartë përgjegjës për krizën e refugjatëve.
“Në seancën e djeshme një nga përfundimet ishte pikërisht kjo, se aq refugjatë sa dalin nga Maqedonia në Serbi, po aq refugjatë Maqedonia do të lejojë të hynë nga Greqia”, konfirmoi për AA zëdhënësja e Qendrës për Menaxhim me Kriza, Nadica Vëçkova.
Në takimin, i cili kryesohej nga ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, morën pjesë edhe Ministrat e Transportit dhe Lidhjeve, Vllado Misajlovski, i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, Mbrojtjes, Zoran Jolevski, dhe drejtorja e Qendrës për menaxhim me kriza, Suzana Saliu.
Ky organ solli dhe përfundimin që të ndiqet situata me qëndrimin e vendeve të Ballkanit në lidhje me pranimin e emigrantëve dhe në bazë të saj të merren vendimet.
Në mes tjerash, në takim u vendos që të shtohen kontrollet shëndetësore nëpër kampe, pas probemit që ndodhi me refugjatët nga Afganistani, të cilët u bllokuan për një kohë të gjatë në kampet e Maqedonisë.
Sa i përket situatës së refugjatëve nga Afganistani të cilët për të gjashtën ditë janë të bllokuar në Tabanoc, për shkak të pamundësisë për të hyrë në Serbi, Komiteti drejtues në seancën e djeshme ka diskutuar që refugjatëve afgan në Tabanoc t’iu ofrojë që të kthehen në Greqi, nëse refuzojnë, atëher Maqedonia do të ndjekë procedurat e vendeve tjera të rrugës ballkanike.
“Jemi duke ndjekur situatën me refugjatët afganë të bllokuar në Tabanoc dhe aktualisht po zhvillohen negociat me vendet e rrugës ballkanike, Slloveninë, Kroacinë, Serbinë, për atë se si të veprojmë më tej”, shtoi Vëçkova.
Dje MPB-ja ka regjistruar 547 refugjatët nga Siria dhe Iraku, ndërkohë që nuk është lëshuar asnjë vërtetim për refugjatët nga Afganistani.
Nga fillimi i vitit deri dje, përmes Maqedonisë kanë kaluar gjithsej 86 mijë e 462 shtetas të huaj./AA/