Salustro largohet nga Kosova

Mauritzo Salustro duket se ka lënë shumë punë në gjysmë në raste të rëndësishme që i ka ndjekur penalisht. Italiani vullnetarisht ka kërkuar që të largohet nga Kosova dhe, sipas misionit evropian për sundim të ligjit, nuk është më prokuror këtu.

“Prokurori Maurizio Salustro ka vendosur të mos kërkojë vazhdim të kontratës së tij në Kosovë. Rastin e ashtuquajtur “Grupit të Drenicës” e ka marrë përsipër Jonathan Ratel, Shef i Prokurorisë Speciale të Kosovës”, thuhet në një përgjigje nga Zyra për Media e EULEX-it për KTV-në.

Ndërkohë, të gjitha rastet që ka qenë duke i hetuar janë në proces të ricaktimit te prokurorë të tjerë në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Gjykatësi Dariusz Sielicki ka thënë për KTV-në se shpejt do të dalë me një vendim për aktakuzën e ngritur nga Maurico Salustro. Nëse do të ketë një shqyrtim kryesor për këtë rast, mbrojtja nuk pret që kjo të ndodhë të paktën edhe për një muaj apo dy.

E akuzat për montim të dëshmitarëve vazhdojnë nga mbrojtësit e të akuzuarve në këtë rast. 7 nga 15 të akuzuarit janë në paraburgim deri më 23 të këtij muaji, përfshirë ish-komandantin e UÇK-së, Syljeman Selimi dhe atë për rajonin e Drenicës, Sami Lushtaku.

KTV-ja merr vesh nga burime të afërta me ngjarjen se Selimi e Lushtaku shumicën e kohës po e kalojnë në QKUK, për shkak të problemeve të vogla shëndetësore.

Artikulli paraprakBllokohet nga bora, lind në shtëpi
Artikulli vijuesBIK-u apelon: Kthehuni nga Siria