Serbët të vendosur për ta funksionalizuar kishën në kampusin universitar, shteti hesht [video]

Që dy ditë, priftërinj të Manastirit të Graçanicës dhe vullnetarë të tjerë, kanë pastruar jashtë dhe brenda objektit të kishës “Shën Nikolla” në qendër të Prishtinës, raporton KTV.

Madje, brenda saj, ata kanë filluar të lyejnë muret, që siç ka thënë peshkopi Teodosije i Peshkopatës Rashkë-Prizren, ‘kur të piqen kushtet do të mbajnë mesha në këtë kishë.’

Mirëpo, për këtë aksion, nuk kanë marrë leje as nga komuna e Prishtinës e as nga Ministria e Mjedisit. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se sa i përket lejes, kjo është kompetencë e nivelit qendror.

Derisa ka ripërsëritur se në Komunën e Prishtinës nuk mund të ndërtohet asgjë pa leje të komunës. Ndërkaq, zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, kanë thënë se hapësira e kësaj kishe nuk është në kompetencë të kësaj ministrie.

Kurse, KMDLNJ përmes një reagimi ka kërkuar të zgjidhet statusi i Kishës Politike siç shkruan në reagim, duke kërkuar madje, rrënimin e kishës. Në aksionin e së martës për pastrimin e objektit të kishës, bashkë me Peshkopin Teodosije ka marrë pjesë edhe zv. kryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq.

Artikulli paraprakKomuna e Prishtinës i ndalë punimet në Kishën Serbe
Artikulli vijuesNËNTË YJET QË TA NDRIÇOJNË JETËN!!