Serbia përmirëson kapacitetet ushtarake përmes stërvitjeve ndërkombëtare

0
185

Për ushtrinë serbe, viti 2014 ishte një vit pune intensive për të perfeksionuar kapacitetet në të gjitha pjesët e saj — ushtri, forca ajrore dhe njësi speciale — përmes stërvitjeve rajonale dhe ndërkombëtare me partnerë të shumtë. Sipas Ministrisë serbe të Mbrojtjes, kontingjentet ushtarake morën pjesë në më shumë se 20 stërvitje ndërkombëtare vitin e kaluar.

 

“Stërvitjet ndërkombëtare ushtarake po kryhen për të arritur dhe përmirësuar bashkëveprimin, i cili përfaqëson aftësinë e ushtrisë serbe për të kryer, së bashku me forcat e armatosura të vendeve të tjera, trajnim efikas, stërvitje dhe operacione në misione dhe detyra të përbashkëta”, tha për SETimes majori Jovan Krivokapiç, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes serbe.

 

Disa prej stërvitjeve të vitit të kaluar përbëheshin nga ushtria serbe, amerikane dhe ato të vendeve të tjera të NATO-s.

 

Serbia ishte një prej pesë vendeve pritëse të stërvitjes së shtatë vjetore Viking 14 — Stërvitja e Postës së Komandës dhe Asistencës Kompjuterike, e cila u përqendrua në bashkëpunimin për zgjidhjen e krizave në zonat e konflikteve. Viking 14 është stërvitja më gjithëpërfshirëse ushtarake ndërkombëtare e mbështetur me simulim kompjuterik, dhe i pati fillesat nga SHBA-ja dhe Suedia në vitin 1999. Ujku i Platinit 14 dhe Ujku i Platinit 15 u zhvilluan në bazën jugore në Bujanovc, në Serbinë Jugore, 20 kilometra nga vija administrative me Kosovën, në Zonën e Sigurisë.

 

Stërvitjet ishin projektuar për të përmirësuar kapacitetet e forcave të sigurisë për të promovuar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajon. Dy stërvitjet bashkuan pjesëtarë të forcave të armatosura, si edhe Komandën Amerikane në Evropë të Korpusit të Marinsave.

 

“Stërvitjet në bashkëpunim me Komandën Amerikane në Evropë të Korpusit të Marinsave / US EUCOM u kushtohen forcave të ushtrisë serbe të programuara për pjesëmarrje në operacionet paqeruajtëse”, tha Krivokapiç.

 

Së bashku me ushtarët nga vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere, ushtarët serbë morën pjesë në një numër stërvitjesh të tjera të drejtuara nga Komanda Amerikane në Evropë. Vendosmëria e Kombinuar II dhe III ishin stërvitjet shumëkombëshe të drejtuara nga Ushtria Amerikane në Evropë, të cilat përfshinë disa mijëra pjesëmarrës nga një duzinë vendesh partnere dhe aleate. Përpjekja e Kombinuar ishte një stërvitje e sponsorizuar nga Komanda Amerikane në Evropë, e cila mblodhi 40 kombe dhe u fokusua në testimin e aftësive të forcave shumëkombëshe për të komunikuar dhe operuar në fushëbetejë.

 

Krivokapiç tha se në bashkëpunim me Programin e Stërvitjes Ushtarake të NATO-s, ushtarët serbë morën pjesë në stërvitjen Regex14 në Turqi dhe ishin vëzhgues në stërvitjet Anakonda dhe Heshta Tredhëmbëshe në Poloni dhe Gjermani.

 

“Stërvitjet nga ky grup janë realizuar për të arritur teknikat dhe procedurat e NATO-s, si dhe kanë një ndikim të konsiderueshëm në rritjen e nivelit të bashkëveprimit të Ushtrisë Serbe”, tha Krivokapiç.

 

Kur bëhet fjalë për ushtrinë dhe trajnimin ushtarak me fqinjët, ushtarët serbë dhe hungarezë morën pjesë në dy stërvitje të përbashkëta — Fqinjët 2014 dhe Macja e Hekurt 2014. Forcat serbe u bashkuan edhe me Kroacinë për të zhvilluar stërvitjen Reagimi i Përbashkët 2014.

 

Sipas Krivokapiçit, stërvitjet e përbashkëta rajonale po planifikohen në një nivel taktik, me qëllimin e përmirësimit të bashkëpunimit me forcat e armatosura të vendeve të tjera. “Stërvitjet që po zhvillohen nga marrëveshjet e inter-Forumit të Ushtrive janë tradicionale, dhe cilësia e tyre më e mirë është shkëmbimi i përvojave me anëtarë të forcave të armatosura të vendeve të Ballkanit, si edhe forcimi i mirëkuptimit reciprok në rajon”, tha Krivokapiç për SETimes.

 

Në fund të vitit 2014, Serbia zhvilloi stërvitjen e përbashkët Srem 2014 me Rusinë në Vojvodinë. Qëllimi i stërvitjes ishte që ushtarët serbë të vëzhgonin teknikat dhe procedurat e ushtrisë ruse.

 

Marko Millosheviç, studiues pranë Qendrës së Beogradit për Politikën e Sigurisë, tha se kontaktet mes ushtrive dhe bashkëpunimi i ushtrisë serbe përmirësojnë jo vetëm kapacitetet ushtarake, por edhe sigurinë e rajonit.

“Përmes stërvitjeve të përbashkëta, forcat e armatosura po trajnohen më mirë dhe po kontribuojnë për një siguri më të mirë rajonale dhe kombëtare, si edhe në atë globale. Përmes këtyre stërvitjeve, ushtria jonë trajnohet mirë për luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Ne i pamë rezultatet konkrete të këtyre stërvitjeve kur njësitë tona speciale u angazhuan në Gjirin e Somalisë për të ruajtur anijet nga sulmet terroriste”, tha Millosheviç për SETimes.

 

Ai tha se përfitimi më i rëndësishëm i pjesëmarrjes në stërvitje të përbashkëta ushtarake është shansi për të arritur standardet e NATO-s, në mënyrë që ato të mund të implementohen në procesin e reformave të vendit.

 

“Personeli ushtarak po fiton përvojë të çmuar, që është e dobishme për gatishmërinë për luftë. Ky lloj bashkëveprimi është shumë i rëndësishëm për pjesëmarrjen e ushtarëve tanë në misionet paqeruajtëse të OKB-së dhe BE-së”, tha Millosheviç.

 

Çfarë hapash të tjerë mund të marrë Serbia dhe vendet e tjera rajonale për të përmirësuar kapacitetet dhe bashkëveprimet e tyre? Na tregoni mendimet tuaja më poshtë.