Përurimi i linjës energjetike në mes Kosovës dhe Shqipërisë në qershor të vitit 2016, u prit me shumë entuziazëm pasi që kjo linjë pritet që të ketë një ndikim shumë pozitiv në stabilizimin e furnizimit me energji elektrike për të dy vendet.
Kostoja e këtij projekti që u quajt edhe autostrada energjetike është mbi 75 milionë euro.
Por shteti fqinj Serbia e ka bllokuar këtë projekt tashmë të përfunduar. Serbia e ka bllokuar pavarësimin e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), që është pjesë e marrëveshjes për energji dhe kjo që ka implikime edhe në çështjen e interkoneksionit Kosovë – Shqipëri, e cila është gati, po nuk ka mundur të aktivizohet për shkak të bllokadës se Serbisë. Pra Serbia po interferon në këtë në sistemin energjetik të Kosovës pasi që nuk po e njeh pavarësinë e KOSTT-it.
Pala serbe nuk ka zbatuar marrëveshjet ndërkombëtare dhe Kosova ka pasur një plan i cili është lidhur direkt me anëtarësimin e operatorit të sistemit të transmisionit, KOSTT, në platformën ENTSO – që është Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji, ku një zonë e caktuar bëhet zonë e pavarur energjetike, dhe këtu Serbia ka bërë bllokada në zbatimin e këtyre marrëveshjeve.
Në vitin 2015, Kosova kishte nënshkruar marrëveshjen për Kyçje të Sistemit Energjetik të Kosovës në Zonën Sinkrone të Evropës Kontinentale. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar në mes të KOSTT –it në njërën anë dhe organizatës se Operatorëve Evropian të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO) dhe 29 operatorëve të grupit Regjional të Evropës Kontinentale.
Por, Serbia nuk ka nënshkruar këtë marrëveshje, me çka e ka bërë jo të plotfuqishme atë, ngase kërkohet nënshkrimi i të gjitha vendeve anëtare.
Ja sa milionë euro Serbia ia merr Kosovës nga rrjedha e energjisë elektrike
Aktualisht Serbia e përvetëson një të hyrë financiare vjetore dhe këto të hyra janë prej 4 deri 5 milionë euro nga rrjedha e energjisë elektrike që ecën nëpër rrjet të transmisionit. Dhe, kështu asaj nuk i konvenon shumë të nënshkruajë këtë marrëveshje. Por në momentin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, të hyrat nga alokimi i kapaciteteve dhe menaxhimit të kongjestioneve i takojnë KOSTT-it. Pavarësisht kësaj, autoritetet e Kosovës kanë bërë kërkesë që ato para të kthehen.
Ndërkaq për shkak të bllokimit të lëshimit në qarkullim nga ana e Serbisë, institucionet e Kosovës presin që edhe kjo çështje të jetë një nga temat e diskutimit në dialogun e Brukselit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri ka deklaruar ditë më parë se Serbia nuk po zbaton marrëveshjen e arritur në Bruksel për fushën e energjisë. Kujtojmë që kjo marrëveshje ishte nënshkruar në vitin 2015 nga kryeministrat e të dy shteteve dhe përfaqësuesja e Bashkimit Evropian.
Në lidhje me pengesat e Serbisë Qeveria e Shqipërisë në tetor të vitit 2016 është ankuar në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë ndaj Serbisë, pasi kjo e fundit nuk lejon vënien në punë të linjës së interkonjeksionit energjetik mes Shqipërisë dhe Kosovës, e cila ka kushtuar mbi 75 milionë euro por nuk është vënë në punë.
Ndryshe, interkonjeksioni mes dy vendeve shqipfolëse supozohet se do të sjellë përfitime ekonomike të konsiderueshme për të dyja vendet, nëse mekanizmat e duhura të shkëmbimit energjetik do të funksionojnë siç duhet. Sipas logjikës së interkonjeksionit, Shqipëria do të ketë mundësi të importojë energji nga Kosova për të mbuluar një pjesë të konsumit bazë dhe do ta kompensojë Kosovën duke dhënë energji për të mbuluar konsumin në orët e pikut. Skema mundëson që të reduktohet disbalanca energjetike aktuale e Kosovës si dhe të rritet eficenca e përdorimit të hidrocentraleve të Shqipërisë duke sjellë përfitime ekonomike për disa miliona euro në vit.
Linja e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri – Kosovë ka një gjatësi totale 241.1 kilometra, nga të cilat 151.1 kilometra shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 kilometra shtrihen në territorin e Kosovës. Segmenti i parë i parë i linjës nga Tirana në Vaun e Dejës me gjatësi 80 kilometra përfshin shtrirjen e qarkut të dytë në linjën ekzistuese Tiranë-Podgoricë dhe Segmenti i dytë i linjës konsiston në ndërtimin e një linje të re me një qark Vau i Dejës-Morinë me gjatësi 71 kilometra.
Linja e Interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë ka dy përcjellës për fazë të tipit ACSR 490/65 mm 2. Përcjellësi i mbrojtjes nga goditjet atmosferike do të jetë i pajisur në brendësi me fibra optike, për qëllime të telekomunikacionit dhe shkëmbimit të të dhënave. /tesheshi.