Qëndron Kastrati jep dorëheqje nga funksionet në VV
Serinë e dorëheqjeve në Lëvizjen Vetëvendosje e ka vazhduar edhe Qëndron Kastrati, kryetar i Komunës së Kamenicës.
Në një postim në Facebook, Kastrati ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga Këshilli i Përgjithshëm i VV-së dhe nga të gjitha strukturat udhëheqëse në këtë parti.
“Duke qenë i zhgënjyer me situatën e krijuar ashtu siç jeni edhe ju, dhe duke shpresuar që ky veprim i imi ta kthejë vëmendjen te nevoja urgjente për zgjidhjen këtij problemi, unë vendosa të jap dorëheqje nga të gjitha Këshilli i Përgjithshëm dhe pozicionet drejtuese në strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Dua të theksoj se kam qenë dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj me të gjithë ata që janë të interesuar ta tejkalojmë këtë situatë bashkërisht”, ka shkruar Qëndron Kastrati.
Ky është postimi i Qëndron Kastratit:
Të dashur qytetarë e aktivistë, Lëvizja VETËVENDOSJE! po kalon nëpër një periudhë të vështirë. Që këto probleme kanë ekzistuar e kam ditur edhe më herët, por duke pasur besim të plotë tek njerëzit në strukturat tona, kam pritur se ky problem do të tejkalohet. Për seriozitetin e kësaj krize jam bërë i vetëdijshëm sidomos muajin e fundit. Kam takuar shumë njerëz që me kontributet e tyre kanë vendosur gurë dhe e kanë bërë VETËVENDOSJE!-n siç është sot.
Atmosfera që mbizotëron midis nesh është e papranueshme sepse nuk i ngjan aspak ambientit të Lëvizjes që ne e njohim. Sharjet e fyerjet midis nesh nuk i kontribuojnë zgjidhjes së problemit. Prandaj, ato duhet ndaluar sa më parë. Kush i gëzohet dorëheqjes se aktivistëve, nuk i kontribuon Lëvizjes dhe askujt brenda Lëvizjes, pavarësisht qëndrimeve që mund të kesh mbi arsyet e tyre. Së paku, ata po dorëhiqen dhe dorëheqja meriton respekt. Kontributin e tyre nuk mund ta marrë era nëse ke pasur mospajtime vitin e fundit.
E di që përgjatë kësaj kohe është përmendur vend e pa vend edhe emri im, se gjoja unë do të shkoj në PDK. Këtyre shpifjeve nuk ua kam kthyer me të njëjtën monedhë. Kam bindjen se në diskutimet midis nesh kemi nevojë urgjente për një standard sjelljeje e komunikimi. Standardet imponohen pikërisht sepse supozohen situatat e mosmarrëveshjes, dhe jo nga harmonia.
Në Lëvizje kam mësuar se çfarë na mban bashkë janë synimet për ndryshime të mëdha që i kemi për vendin. Kështu duhet të mendojmë edhe tash. Na duhet ta ruajmë Lëvizjen jo për hir të Lëvizjes, por për vendin. Na duhet ta ruajmë Lëvizjen jo për shkak të emrave të përveçëm, por për vendin.
Duke qenë i zhgënjyer me situatën e krijuar ashtu siç jeni edhe ju, dhe duke shpresuar që ky veprim i imi ta kthejë vëmendjen te nevoja urgjente për zgjidhjen këtij problemi, unë vendosa të jap dorëheqje nga të gjitha Këshilli i Përgjithshëm dhe pozicionet drejtuese në strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Dua të theksoj se kam qenë dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj me të gjithë ata që janë të interesuar ta tejkalojmë këtë situatë bashkërisht.
Dorëheqje nga funksionet ka dhënë edhe Vlorian Molliqaj. Ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të kryesisë së Qendrës së Vetëvendosjes në Suedi dhe nga Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie.
Molliqaj ka thënë se javë më parë kanë marrë udhëzime nga grupe joformale që të dënojnë organet formale të atëhershme të VV-së, të udhëhequra nga tashmë kryetari i dorëhequr i VV-së, Visar Ymeri.
“Javë më parë, nga grupe joformale brenda Lëvizjes, na erdhën letra të shkruara se si ne duhet të reagojmë lidhur me këtë problem. Paramendojeni, nga grupe joformale u tentua që të detyrohet Kryesia e Qendrës sonë t’i dënoj organet formale të Lëvizjes, pra Kryesinë Qendrore në Kosovë e cila udhëhiqej nga ish kryetari Visar Ymeri. Normalisht kjo nuk u arrit pasi shumica e anëtarëve të Kryesisë ishin kundër këtij mentaliteti detyrues dhe e kthyen mbrapsht atë letër. Diktatet që po tentohet të instalohen në Lëvizje dhe në Qendrën tonë në Suedi, linçimet ndaj shumë personaliteteve të Lëvizjes vetëm e vetëm pse kanë mendime ndryshe, si dhe tendenca për ndërtimin e kultit të një individi për mua janë të papranueshme. Janë diçka që as e kam menduar që do të ndodhin ndonjëherë në shtëpinë tonë të madhe, pra në Lëvizje”, u shpreh ai ndër të tjera.