Marshim kundër rracizmit në Athinë

Me moton “MJAFT Më!” më shumë se 2000 protestues kanë marshuar në heshtje pasditen e së shtunës në rrugët e kryeqytetit grek, në shenjë proteste ndaj fenomenit të rracizmit gjithnjë e në rritje në Greqi.

Në fillim, nga pikënisja që ka qenë sheshi Sintagma para parlamentit, protestuesit kanë hapur një pankartë gjigante në të cilën shkruhej “Europa është kundër neonazizmit”. Më pas ata kanë marshuar me destinancion Akropolin duke mbajtur në duar parrulla me anë të të cilave dënoheshin aktet e ndryshme rraciste ndaj emigrantëve të huaj.

Marshimin e protestës e ka organizuar Lëvizja Europiane Anti-rraciste, një organizatë që ka anëtarë në 40 vende të botës, ndërsa thirrjen për pjesëmarrje e kanë nënshkruar nobelisti i njohur italian Dario Fo si dhe filozofi Bernar Anri Levi.

Në përkrahje të protestuesve kanë qenë edhe Unioni Qendror i Bashkive të Greqisë, partia e Ambientalistëve të Blertë, Radikalët e Majtë, anëtarë të partisë socialiste PASOK si dhe partia e të Majtës Demokratike që mbështet koaliconin qeveritar.

Midis të tjerash në deklaratën për shtyp me anë të së cilës Lëvizja Anti-rraciste ftonte qytetarët për protestë, theksohej se në Greqi ka arritur kulmi me sulmet rraciste, me deklaratat rraciste dhe anti-semite, me pasivitetin e autoriteteve prokuroriale dhe gjyqësore, me bashkëpunimin midis forcave policore dhe anëtarëve të partisë neonaziste Agimi i Arte, me tolerancën që u bëhet xhelatëve të kësaj partie. Do përpiqemi të luftojmë ideologjinë e urrejtjes që po shpaloset nga njëri skaj i Europës tek tjetri, përfundon deklarata.

Në tre vitet e fundit në Greqi janë regjistruar të paktën mbi 800 sulme me motive rraciste, ndërsa autoritetet e rendit nuk kanë denuar asnjë prej autorëve. Megjithë nismën e socialistëve për të nxjerrë të jashtëligjshme partinë neonaziste Agimi i Artë, anëtarët e së cilës kanë marrë pjesë hapur në shumë sulme ndaj emigrantëve të huaj, forcat politike të vendit janë të pafuqishme të përballojnë rritjen e theksuar të mbështetësve te saj, që shprehet edhe në sondazhet e fundit në të cilat kjo parti po stabilizohet si forca e tretë politike në vend./tch/kohaislame

Artikulli paraprakMinistri i Jashtëm izraelit Lieberman dorëzon zyrtarisht dorëheqjen
Artikulli vijuesOSBE dënon incidentin në Prishtinë