Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara pranoi dëgjimin e çështjes që sfidon planin e Presidentit Obama për shmangien e deportimeve të mbi 4 milionë emigrantëve pa dokumenta dhe lejimin e punësimit të tyre të ligjshëm në SHBA. Urdhëri ekzekutiv i Presidentit synon ndalimin e deportimit të prindërve që kanë fëmijë të lindur në SHBA dhe atyre me qëndrim të përhershëm. Vendimi i gjykatës për këtë çështje do të ketë efekte afatgjata.
“Kjo tokë është bërë për ty dhe për mua”, thonë vargjet e këngës së këtij grupi njerëzish të cilët presin që Gjykata e Lartë të mbështesë urdhërin ekzekutiv të Presidentit Obama.
Gjykatësit do të vendosin nëse Presidenti Obama ka pushtetin të mbrojë katër milionë emigrantë pa dokumenta nga deportimi dhe t’u japë të drejtën të punojnë ligjërisht. Gjykatat vendore kanë kundërshtuar vendimin e presidentit dhe ekzekutivi ka apeluar në gjykatën më të lartë të vendit.
3-vjeçari Kevin është lindur këtu dhe është me status të ligjshëm. Ndërsa e ëma, Brenda Barrios, nuk është.
“Jam njeri dhe kam të drejtën të jem këtu”, thotë ajo.
Por, gjykata nuk do të vendosë për aspektin njerëzor. A ka shkelur presidenti kushtetutën? Mark Krikorian, i Qendrës për Studimin e Emigracionit, thotë se “po”.
“Presidenti po përcakton realisht politika të reja duke u dhënë leje pune, numra sigurimi shoqëror dhe patenta miliona emigrantëve të paligjshëm. Këto lloj ndryshimesh në politika janë të rezervuara vetëm për Kongresin.”
Shtëpia e Bardhë nuk është dakord.
“Në bazë të logjikës dhe të historikut, ne kemi besim se ekziston një precedent i fortë”, thotë zëdhënësi Josh Earnest.
Ndërkohë, në qendrën për emigrantët latinë CARECEN, punonjësit u shpjegojnë klientëve si të përgatisin dokumentet për të marrë qëndrim të ligjshëm.
“Duhet të sigurohemi që janë persona që nuk kanë kryer krime. Duhet të kenë deklaruar taksat dhe të kenë zbatuar rregullat dhe ligjet”, thotë Abel Nunez.
Edhe nëse gjykatësit do të vendosin në favor të urdhërit presidencial, kjo mund të jetë diçka e përkohshme. Kandidatët kryesorë republikanë për president janë zotuar ta anulojnë programin nëse fitojnë zgjedhjet në nëntor.