Pas arritjes së marrëveshjes për ndalimin e sulmeve në Siri, marrëveshje kjo e cila konsiderohet si një armëpushim i pjesshëm dhe i përkohshëm, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Mark Toner, ka thënë se janë të shqetësuar për lajmet të cilat flasin se sulmet e regjimit të Asadit kundër civilëve vazhdojnë ende, raporton Anadolu Agency (AA).
Toner këto deklarata i ka bërë gjatë konferencës të përditshme për shtyp, ndërkohë që i’u përgjigj pyetjeve për situatën pas marrëveshjes për ndalimin e sulmeve në Siri.
Duke nënvizuar se pas arritjes së marrëveshjes sulmet ajrore kundër opozitarëve dhe civilëve janë ulur Toner tha se: “Jemi të shqetësuar për lajmet që vijnë ku thuhet se regjimi po sulmon civilët me anë të topave në rajonet Latakia, Hums, Hama, dhe Damask”.
Toner në fjalën e tij tha se janë duke vlerësuar të gjitha pretendimet e adresuara tek ta në lidhje me sulmet që janë duke vazhduar. Ai tha gjithashtu se të gjitha palët janë duke raportuar pranë grupit të ndihmës ndaj Sirisë, duke përfshirë këtu edhe Rusinë dhe Iranin si dhe ftoi palët të kenë seriozitet për çështjen në fjalë.
Lajmet ku pretendohet përdorimi i armëve kimike
Toner në fjalën e tij gjithashtu u shpreh se janë duke vlerësuar lajmet në të cilat thuhet se ushtarët e regjimit të Asadit kanë përdorur armë kimike.
Ai tha se i ka lexuar lajmet ku thuhet se regjimi pas arritjes së marrëveshjes për ndalimin e sulmeve ka hedhur bomba fuçi me klor ndaj civilëve dhe më pas ka shtuar: “I kam lexuar këto lajme. Nuk mund ti vërtetojmë saktësisht. Politika jonë në këtë drejtim është e qartë. Ne dënojmë ashpër përdorimin e armëve kimike. Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike do të hetojë për rastin në fjalë”.
Toner tha gjithashtu se në rast se organizata nxjerr në pah përdorimin e këtyre armëve kimike atëherë Këshilli i Sigurimit pranë OKB-së do të hedhë hapat e nevojshëm në lidhje me rastin.
Denoncimet për shkeljet vijnë herë pas here në Washington
Toner në fjalën e tij vuri në dukje se kontrolli për marrëveshjen e arritur për ndalimin e luftimeve në Siri po bëhet nga një grup i posaçëm i ngritur pranë Departamentit amerikan të Shtetit. Ky grup tha ai vlerëson denoncimet dhe shkeljet e ardhura nga rajoni 24 orë në ditë dhe 7 ditë të javës.
Krahas denoncimeve që vijnë përmes telefonatave Toner thotë se ata marrin edhe e-mail-e dhe mesazhe nga telefoni si dhe aplikacione të tjera telefonike. Ai vuri në dukje gjithashtu se për vlerësimin e tyre kanë ngritur një grup pune që njeh gjuhën arabe dhe të cilët merren me vlerësimet e tyre.